Shtyrja e statusit, Meta: Reforma të pakthyeshme për të marrë rezultate

43

metaKryetari i Kuvendit Ilir Meta ka ironizuar mesazhin e publikuar dje nga ish-kryeministri Sali Berisha në lidhje me shtyrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë ndërsa shtoi se rruga e reformave është e pakthyeshme. Në një prononcim për mediat, Meta u shpreh se Berisha le të mbajë kënaqësinë për mosmarrjen e statusit por Shqipëria është pjesë e Europës. “Shqipëria e ka zgjedhur rrugën e saj europiane. Europa është shumë e rëndësishme për Shqipërinë por edhe Shqipëria duhet të jetë më e rëndësishme për Europën. Ky është një binom I pandarë ndërsa sa I takon çështjes në fjalë mendoj se të gjithë politikanët duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre sepse mesazhet kanë qënë të qarta. Shqipëria ka bërë një progres domethënës dhe kjo është shprehur në mënyrën më të qartë. Shqipëria ka marrë për herë të parë në muajin tetor një rekomandim mbështetës mjaft të arguemntuar mirë për statusin kandidat nga Komisioni Europian për shkak të këtij progresi, Parlamenti Europian e ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë por nuk është Shqipëria ajo që përcakton procedurat e marrjes së vendimeve në Bashkimin Europian. Kjo është një çështje që Europa e bashkuar duhet ta zgjidhë në të ardhmen. Ne do të vazhdojmë në rrugën e integrimit sepse ne reformat i bëjmë në radhë të parë për qytetarët tanë. Do të vazhdojmë të përqëndrohemi në forcimin e ligjit dhe t ë reformat ekonomike. Edhe marrëveshja e fundit me FMN tregon seriozitetin dhe vullnetin për të ristrukturuar ekonominë e vendit në mënyrë që të heqim dorë nga politikat spontane populiste të cilat sjellin shqetësime të mëdha për stabilitetin makro-ekonomik të vendit dhe që frenojnë rritjen ekonomike në të ardhmen. Prandaj rruga e reformave është e pakthyeshme dhe do të japë rezultatet e saj” tha Meta.