Rama: Kush fiton më pak, do paguajë më pak

rama me shitesenKryeministri Edi Rama vizitoi sot disa biznese të vogla në zonën e Don Boskos në Tiranë, për t’i njohur dhe shpjeguar efektet e ndryshimeve të reja fiskale për këtë biznes, në buxhetin e tyre personal. Në bashkëbisedim me ta, kryeministri sqaroi me shifra konkrete përfitimet nga heqja e taksës dhe ulja e tatim-fitimit për biznesin e vogël, çka do t’i lehtësonte njëherësh edhe nga barra burokratike.

“I gjithë sistemi do ndryshojë. Kështu që, ju nuk do të keni dy palë tatime, dy palë grupe, dy palë letra, dy palë halle. Ju keni vetëm një tatim-fitimi që nga 10% bëhet 7.5%”, -u tha Rama pronarëve të biznesit.

Kryeministri Rama garantoi se përfitimi nga ulja e barrës fiskale do të jetë i ndjeshëm për të gjithë biznesin e vogël në mbarë vendin.

“Taksën e biznesit të vogël ju e paguanit 595 mijë lekë. E gjitha aforfe e pushtetit vendor. Përveç pushtetit vendor, që ua merrte aforfe, ju paguanit edhe tatim-fitimin 10%. Tani, taksa e biznesit të vogël nga 595 mijë lekë bëhet zero. Ju do paguani vetëm një herë dhe do paguani tatim-fitimin jo 10%, sa ç’ishte, por 7.5%. Dhe praktikisht, në fund fare ju kurseni 345 mijë lekë”, – theksoi kryeministri.

Duke u ndalur në një biznes, kryeministri bëri një vlerësim të efektit të përgjithshëm që këto masa të reja fiskale do të kenë mbi buxhetin e tij.

“Xhiron e deklaruar ju e keni 1 milion e 320 mijë. Taksa e biznesit të vogël që ju e paguanit aforfe, nga 450 mijë lekë bëhet zero. Nuk keni më taksë të biznesit të vogël. Nuk ka më aforfera në kurrizin tuaj. Tatim fitimi që ju rezultonte në fund, nga gjithë kjo llogari, në 275 mijë lekë bëhet 250 mijë dhe në finale, që nga viti i ardhshëm nuk do paguani gjithë këto, por do të paguani vetëm 250 mijë lekë. Në fund, vetëm nga ulja e përgjithshme, ju do fitoni 200 mijë lekë”.

Dosja e Shpëtim Gjikës do gjykohet në Tiranë

shpetim gjikaDosja për gjykimin e Kryetarit të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika i ka kaluar për shqyrtim Gjykatës së Tiranës. Kalimi erdhi pasi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi për transferimin e çështjes

Kërkesa për transferimin e dosjes Gjika erdhi nga Prokuroria e Vlorës drejtuar Gjykatës së Lartë, ndërsa Kolegji Penal vendosi transferimin.

Kreu i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika akuzohet për shpërdorim detyre, si dhe për dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtimin me ligjin.

Greqia pro statusit për Shqipërinë

evangelos-venizelosMinistria e Jashtme greke ka shprehur mbështetjen për dhënien e statusit Shqipërisë. Lajmi është bërë i ditur nga një njoftimi në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme greke, ku ka bërë të ditur se Athina zyrtare ka përkrahur në takimin e ministrave të jashtëm në Bruksel, dhënien e menjëhershme të statusit kandidat për anëtarësim Shqipërisë.

Sipas deklaratës për shtyp zv. Kryeministri dhe njëkohësisht Ministri i Jashtëm Evangjelos Venizelos ka udhëzuar Ambasadorin e Greqisë në Tiranë, z. Leonidhas Rokanas, të informojë qeverinë shqiptare për pozicionimin e Athinës në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme në favor të dhënies së menjëhershme Shqipërisë, të statusit të vendit- kandidat për anëtar të BE.

Gjithashtu në pajtim të qëndrimeve të 28 shteteve anëtare të BE-së, ky Këshill ka vendosur të diskutojë marrjen e këtij vendimi para fundit të presidencës greke, përkatësisht në qershor të vitit 2014. Në njoftim thuhet gjithashtu se Greqia është e gatshme të japë të gjithë ndihmën e mundshme për Shqipërinë për të përmbushur kushtet e vendosura nga BE-ja, ndërsa shprehet edhe gatishmëria e Athinës për t’i ofruar Shqipërisë çdo mbështetje dhe gjithë ndihmën e mundshme, në mënyrë që ajo të përmbushe kushtet që i janë vënë Tiranës nga BE-ja.

Arrestohet, mbante armë në furgonin me nxënës shkolle

arrestimPolicia e qytetit të Shijakut, ka arrestuar paraditen e sotme një 32-vjeçar, pasi akuzohet për armëmbajtje pa leje. Bëhet me dije se i arrestuari punonte si fatorino i një furgoni.

Sipas burimeve zyrtare shtetasi, Fatmir Bylyshi, është vënë në pranga nga autoritetet lokale, pasi dispononte pistoletë në furgonin me të cilin transportonte 15 nxënësit e shkollës.

Sipas policisë, Bylyshaj, një person me precedent të shumtë penalë, ishte konfliktuar me një drejtues të një furgoni tjetër të linjës Sukth-Hamallaj për shkaqe konkurrence dhe kishte planifikuar një sulm me armë ndaj tij në fshatin Hamallaj.

Fatorino me precedentë penalë 

Me anë të njoftimi për shtyp, policia bën të ditur se sot shërbimet e komisariatit të policisë Shijak, gjatë një ndërhyrjeje të realizuar gjatë paradites, bënë të mundur kapjen e një shtetasi që mbante me një armë zjarri në brez. Sipas policisë, ky person krahas precedentëve të mëparshëm penalë, kishte dhe konflikte të tjera të tjera. Ndërhyrja e policisë u bë në kohë, duke mundur evitimin e pasojave të rënda që mund të vinin nga veprimet e tij. Bylyshaj është akuzuar e dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale, si “plagosje me armë zjarri, kanosje me armë zjarri, prishje e rendit, armëmbajtje pa leje, shkelje të qarkullimit rrugor, disa plagosje me mjete të forta, si dhe njihet i përfshirë në disa konflikte”.

Statusi, Basha: Rama mendjelehtë dhe i paaftë

Hipoteka-per-5-mije-banesaKreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar sot  pas deklaratës së djeshme të Kryeministrit Edi Rama për shtyrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Në një konferencë për shtyp, Basha theksoi se Rama nuk ka kuptuar asgjë nga vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për shtyrjen e  statusit.

“Shtyrja  gjashtë muaj e statusit të vendit  kandidat  për Shqipërinë  rrezikon  të bëhet një lajm  edhe më  i keq për vendin,  prej leximit të përciptë dhe të gabuar që Edi Rama i bëri mbrëmë vendimit të Këshillit Europian. Fajin, sipas  tij, e ka Europa, e ka Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe  vendet e tjera që vendosën shtyrjen e afatit për Shqipërinë. Këta janë në ngërç, këta  duhet të zgjidhin  ngërçin e tyre, këta duhet të korrigjohen! Ndërsa qeveria shqiptare dhe kreu i saj nuk kanë asgjë për të  korrigjuar, edhe pse statusin e bërë gati nga qeveria e Partisë Demokratike e bënë me hije derisa e humbën fare gjatë tre muajve të qeverisjes së  tyre. Mbrëmë nga kryeministri i vendit pritej reflektimi, thellimi në shkaqet e brendshme të dështimit, evidentimi i  saktë i  këtyre shkaqeve në funksion të eliminimit  të tyre si një domosdoshmëri për të fituar terrenin dhe kohën e humbur.

Edhe mbrëmë, e  njëjta mendjelehtësi me të cilën ky kryeministër trajtoi dhe dështoi në çështjen e armeve kimike; e njëjta paaftësi, i njëjti naivitet në të kuptuarit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Është e dhimbshme të themi, por duhet ta themi: Rama nuk ka kuptuar asgjë nga thelbi i vendimit të Këshillit Europian. Keq ta këtë nga padija. Keq e mos më keq ta ketë nga kokëfortësia, pra të ketë  zënë inat me Europën si qëmoti dhe  të mos i bëhet vonë fare për dushin e ftohtë që mori. Populli shqiptar mund të jetë,  ashtu siç është në të vërtetë, populli më proeuropian i rajonit. Opozita shqiptare mund të jetë, ashtu siç është në të vërtetë,  një qind  për qind për Shqipërinë në Europë. Partitë e shumicës qeveritare mund të jenë në parim, ashtu siç janë, njëqind për qind për Shqipërinë  në Europë. Të gjitha këto kanë rëndësi të madhe por nuk mjaftojnë nëse  Kryeministri dhe ekipi drejtues i vendit nuk qeverisin në mënyrë demokratike nga A-ja te Zh-ja. Shqipëria nuk e kalon klasën nëse nuk e kalojnë Kryeministri dhe qeveria. Standardi i Europës është sundimi i ligjit.

Standardi  i  Ramës gjithë këtë periudhë  ka qenë dhe  vazhdon të jetë  “ligji jam unë” çka duket qarte nga shkeljet në seri përmes vendimeve të qeverisë, të Kushtetutës së Shqipërisë, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave. Me bilancin zero të paketës së tij të 100 ditëve të para, me dështimin në marrjen e statusit, me rrokullisjen e ekonomisë nga stabiliteti në negativitet, drejt zeros po rrokullisen edhe arsyet pse duhet të drejtojë qeverinë ky njeri.  Mbrëmë me leximin e gabuar të vendimit te KE-së, ai hoqi me duart e veta edhe një shkallare tjetër në tatëpjetën që ka marrë. Partia Demokratike do të bëjë çmos të mos lejojë që kryeministri të marrë me vete edhe integrimin e vendit në rrokullisjen e tij. Sot, në këtë moment, si kryetar i opozitës së vendit i kërkoj kreut të ekzekutivit ta kuptojë si një shans për reflektime të thella demokratike kohën që i është dhënë atij dhe qeverisë së  tij nga Këshilli Europian”, u shpreh Basha.

 

Statusi dhe realpolitika shqiptare

EuroscepticismNga Eni Kondi

Refuzimi i statusit të vendit kandidat nga Këshilli i BE-së, zhgënjeu një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik, por ky zhgënjim preku dhe sferën politike, ku elementë të tij shfaqeshin dhe në fjalën e kreut të qeverisë, pas këtij vendimi.

Debati që është hapur ka në thelb, faktin se reagimi dhe pritshmëria e opinionit publik, nuk korrespondojnë me aktualitetin politikbërës të BE-së, ku për rrjedhojë zhgënjimi kalon përmasat reale të kuptimit të një fenomeni. Një nga mekanizmat që goditet, është komunikimi politik, pasi serioziteti, konsiderohet si vlerë e munguar e tij. Nëse e shikojmë pak më objektivisht, këtë element, pra, nëse i referohemi komunikimit politik, situata është bërë publike, si nëpërmjet lobimeve të vazhdueshme diplomatike, por gjithashtu edhe nëpërmjet qëndrimit të qartë dhe të shprehur, të vendeve skeptike dhe qëndrimit kundër të Holandës. Mjaftojmë të marrim vetëm këtë element, pa iu futur analizës së elementëve përbërës, për të kuptuar që problemi shmanget nga sfera e komunikimit politik, pasi të paktën ky element ka qenë transparent për publikun.

Këtu fenomeni mbase, është i nevojshëm të shikohet, në një tjetër optikë: Sa i informuar është qytetari shqiptar në lidhje me procesin vendimmarrës të institucioneve të BE-së? Nëse opinioni publik, do të kishte paraprakisht njohje mbi këtë mekanizëm, do t’i mjaftonte vetëm komunikimi politik i qëndrimit paraprak të shprehur mbi votën kundër të Holandës dhe qëndrimet skeptike të disa vendeve të tjera, për të kuptuar që statusi do të refuzohej, pasi vendimi kërkonte unanimitet. Si rrjedhojë dhe zhgënjimi nga pritja imagjinare, do të ishte shmangur.

Sigurisht që, jo vetëm politika por, edhe mekanizma të shoqërisë civile, janë struktura që luajnë rolin kryesor në informimin e opinionit publik. Por, edhe nëse ky element do të ishte normalisht funksional, situata nuk do të ishte shumë optimiste, pasi eksperiencat e vendeve anëtare të BE-së tregojnë se, pavarësisht funksionimit të këtyre strukturave, opinioni publik ka mangësira te konsiderueshme, për sa i përket kuptimit të funksionimit të mekanizmit vendimmarrës të BE-së (referuar përqindjeve në sondazhe të Eurobarometer).

Faktori, që ndoshta do të kontribuonte më shumë në këtë lloj përgatitje të opinionit, do të ishin analizat nga specialistë të kësaj fushe, jo domosdoshmërish të fushës politike apo të krahut militantist, që do të mund të sqaronin opinionin publik mbi pritshmërinë reale dhe shpjegimin e mekanizmit veprues.

Elementi i dytë, që bëhet pjesë e debatit, është fakti se diplomatë të caktuar të BE-së, janë shprehur se statusi do të merret, duke ndikuar në këtë mënyrë gjithashtu, në zhgënjimin e opinionit publik. Edhe në këtë gjykim, po ashtu si në gjykimin e parë ndikon elementi formues qytetar në lidhje me mekanizmin vendimmarrës të BE-së. Nëse publiku do të kishte njohjet e duhura mbi këtë fushë, do të kuptonte që statusi nuk varej as nga deklaratat optimiste të Komisionerit për Zgjerim dhe as nga Ambasadorë të BE-së në Tiranë, pasi tjetër instancë do të gjykonte. Paqartësia mbi funksionimin institucional, shkakton pështjellim në gjykim, duke e zhvendosur vëmendjen në elementë dytësorë, jashtë shkakut real.

Nëse do të gjykojmë, se nuk jemi në nivelin e duhur përballë pritshmërive evropiane, për të qenë të denjë për një përqasje drejt anëtarësimit, kjo logjikë nuk duket shumë e bazuar, nëse marrim si pikë referimi anëtarësimin e vendeve të Lindjes. Anëtarësimi i tyre u bë jashtë përmbushjes së kritereve teknike, pasi ekzistonte vullneti politik. Duket se në këtë rast, kemi të bëjmë po ashtu, me një vullnet të munguar politik, i cili shpjegohet nëpërmjet shumë faktorësh, ekonomike, politike, sociale, kulturore dhe fetare.

Sigurisht, kjo nuk është shmangie vëmendje, nga situata aktuale në të cilën ndodhet vendi.

Ndoshta në këtë reflektim, do të ishte e vlefshme edhe renditja në argumentim, e rolit aktual apo të ‘munguar’ të diplomacisë së përtej Atlantikut.

Përtej përqasjeve të nevojshme në argumentim, në lidhje me vendimin e fundit mbi statusin të Këshillit të BE-së, opinioni publik shqiptar ka nevojë për një informim strukturor dhe sistematik në lidhje me institucionet e BE-së dhe proceseve vendimmarrëse të tyre. Ky terren do të krijonte edhe klimën e nevojshme, për lindjen e një debati konstruktiv mbi Euroskepticizmin, si kundërpeshë logjike e rritjes dhe promovimit të vlerave kombëtare.

 

 

 

 

 

 

Zbardhet skema e mashtrimit me TVSH-në

krimi ekonomikHetimi i Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me policinë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor ka çuar në zbardhjen e një skeme mashtrimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, e cila dyshohet se arrin në vlerën e 26 milion dollarë.

Policia ka njoftuar se është bërë i mundur arrestimi i 10 personave ku pjesa më e madhe e tyre ishin  administratorë kompanish që vepronin në mbledhjen e metaleve dhe skrapit, të destinuar për industrinë metalurgjike.

Ata akuzohen për falsifikimin dokumentash dhe mashtrim, pasi dyshohet se kanë krijuar një skemë për përfitim të rimbursimit me TVSH-në, duke krijuar shoqëri të ndryshme e duke realizuar përmes tyre operacione të rreme shitje blerjeje.

Këto Kompani ishin regjistruar prej disa nga të arrestuarit, por në emër të personave të cilët sipas hetimit nuk kishin mundësi për kryerjen e aktiviteteve tregtare.

Disa javë më parë, një tjetër skemë mashtrimi u zbulua në Drejtorinë e Tatimeve të Tiranës, për nje vlerë prej afër 5 milion dollarë, ku ishin përfshirë edhe zyrtarë të tatimeve.

 

KH: Kriminaliteti në Shqipëri gjatë 2013-ës, në nivele të larta

komiteti shqiptar i helsinkitKomiteti i Helsinkit ka prezantuar raportin për të drejtat e njeriut në Shqipëri për vitin 2013.

Në raport evidentohet rritja e kriminalitetit gjatë këtij viti duke shtuar se 4 vepra penale ndodhin brenda një ore, shumica e tyre për shkak të konflikteve për pronësinë.

Gjithashtu në raportin e Komiteti i Helsinkit theksohet se gjatë këtij viti kanë ndodhur edhe 95 vepra penale në ditë ndërsa janë vrarë 19 gra si dhe janë rritur aksidentet.

Komiteti shton gjithashtu se është lëkundur besimi ndaj drejtësisë për proceset gjyqësore dhe sidomos për proceset e bujshme si “Dajti”,”Gërdeci”, dhe”21 Janari”.

Më tej në raport thuhet se ka ankesa të shumta edhe ndaj sjelljes së prokurorëve ndërsa shton se  shqetësues mbetet trajtimi i shqiptarëve në pikat e kalimit kufitar, siç janë ato me Greqinë.

Rekomandime për kufizime në programet e përgjimit

foto Reuters / Jonathan Ernst
foto Reuters / Jonathan Ernst
foto Reuters / Jonathan Ernst

Një komision i pavarur analizues i ka rekomanduar administratës Obama të bëjë ndryshime të gjera në programet qeveritare të përgjimit.

Raporti me 46 rekomandime specifike u publikua dje pasi Presidenti Obama u takua me anëtarët e komisionit.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se presidenti dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare do ta studiojnë dokumentin dhe do të vendosin cilat rekomandime të zbatojnë.

Raporti thekson nevojën për të kufizuar mbledhjen e tabulateve telefonike dhe të dhënave të internetit, si dhe për reforma në Agjencinë për Sigurinë Kombëtare.

Zbulimi i programeve të përgjimit nga ish-kontraktori i agjencisë Edward Snowden u pasua me shqetësim të gjerë publik për programet qeveritare të përgjimit./VOA/

Opozita bojkoton Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare

komisioni i siguriseKomisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, që është mbledhur ditën e sotme për të diskutuar buxhetin 2014 për Ministrinë e Mbrojtjes, është bojkotuar nga opozita. Braktisja e punimeve të Komisionit nga opozita, ka në thelb kërkesën për shpjegim drejtuar Ministrit të Brendshëm Tahiri, mbi vrasjen e dy shtetasve shqiptarë nga policia greke.

Deputetët e opozitës kanë deklaruar se do të rikthehen në Komisionin e Sigurisë, vetëm atëherë kur ministri Tahiri të raportojë për vrasjen e dy vëllezërve nga Korça.

Ndërkohë gjatë raportimit të saj në komision, Mimi Kodheli theksoi se buxheti për ministrinë e mbrojtjes është 14 miliardë lekë. Ajo e cilësoi këtë buxhetit si të drejtë në raport me kushtet reale të ekonomisë së vendit.