Rama: Kush fiton më pak, do paguajë më pak

49

rama me shitesenKryeministri Edi Rama vizitoi sot disa biznese të vogla në zonën e Don Boskos në Tiranë, për t’i njohur dhe shpjeguar efektet e ndryshimeve të reja fiskale për këtë biznes, në buxhetin e tyre personal. Në bashkëbisedim me ta, kryeministri sqaroi me shifra konkrete përfitimet nga heqja e taksës dhe ulja e tatim-fitimit për biznesin e vogël, çka do t’i lehtësonte njëherësh edhe nga barra burokratike.

“I gjithë sistemi do ndryshojë. Kështu që, ju nuk do të keni dy palë tatime, dy palë grupe, dy palë letra, dy palë halle. Ju keni vetëm një tatim-fitimi që nga 10% bëhet 7.5%”, -u tha Rama pronarëve të biznesit.

Kryeministri Rama garantoi se përfitimi nga ulja e barrës fiskale do të jetë i ndjeshëm për të gjithë biznesin e vogël në mbarë vendin.

“Taksën e biznesit të vogël ju e paguanit 595 mijë lekë. E gjitha aforfe e pushtetit vendor. Përveç pushtetit vendor, që ua merrte aforfe, ju paguanit edhe tatim-fitimin 10%. Tani, taksa e biznesit të vogël nga 595 mijë lekë bëhet zero. Ju do paguani vetëm një herë dhe do paguani tatim-fitimin jo 10%, sa ç’ishte, por 7.5%. Dhe praktikisht, në fund fare ju kurseni 345 mijë lekë”, – theksoi kryeministri.

Duke u ndalur në një biznes, kryeministri bëri një vlerësim të efektit të përgjithshëm që këto masa të reja fiskale do të kenë mbi buxhetin e tij.

“Xhiron e deklaruar ju e keni 1 milion e 320 mijë. Taksa e biznesit të vogël që ju e paguanit aforfe, nga 450 mijë lekë bëhet zero. Nuk keni më taksë të biznesit të vogël. Nuk ka më aforfera në kurrizin tuaj. Tatim fitimi që ju rezultonte në fund, nga gjithë kjo llogari, në 275 mijë lekë bëhet 250 mijë dhe në finale, që nga viti i ardhshëm nuk do paguani gjithë këto, por do të paguani vetëm 250 mijë lekë. Në fund, vetëm nga ulja e përgjithshme, ju do fitoni 200 mijë lekë”.