Statusi, Basha: Rama mendjelehtë dhe i paaftë

54

Hipoteka-per-5-mije-banesaKreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar sot  pas deklaratës së djeshme të Kryeministrit Edi Rama për shtyrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Në një konferencë për shtyp, Basha theksoi se Rama nuk ka kuptuar asgjë nga vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për shtyrjen e  statusit.

“Shtyrja  gjashtë muaj e statusit të vendit  kandidat  për Shqipërinë  rrezikon  të bëhet një lajm  edhe më  i keq për vendin,  prej leximit të përciptë dhe të gabuar që Edi Rama i bëri mbrëmë vendimit të Këshillit Europian. Fajin, sipas  tij, e ka Europa, e ka Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe  vendet e tjera që vendosën shtyrjen e afatit për Shqipërinë. Këta janë në ngërç, këta  duhet të zgjidhin  ngërçin e tyre, këta duhet të korrigjohen! Ndërsa qeveria shqiptare dhe kreu i saj nuk kanë asgjë për të  korrigjuar, edhe pse statusin e bërë gati nga qeveria e Partisë Demokratike e bënë me hije derisa e humbën fare gjatë tre muajve të qeverisjes së  tyre. Mbrëmë nga kryeministri i vendit pritej reflektimi, thellimi në shkaqet e brendshme të dështimit, evidentimi i  saktë i  këtyre shkaqeve në funksion të eliminimit  të tyre si një domosdoshmëri për të fituar terrenin dhe kohën e humbur.

Edhe mbrëmë, e  njëjta mendjelehtësi me të cilën ky kryeministër trajtoi dhe dështoi në çështjen e armeve kimike; e njëjta paaftësi, i njëjti naivitet në të kuptuarit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Është e dhimbshme të themi, por duhet ta themi: Rama nuk ka kuptuar asgjë nga thelbi i vendimit të Këshillit Europian. Keq ta këtë nga padija. Keq e mos më keq ta ketë nga kokëfortësia, pra të ketë  zënë inat me Europën si qëmoti dhe  të mos i bëhet vonë fare për dushin e ftohtë që mori. Populli shqiptar mund të jetë,  ashtu siç është në të vërtetë, populli më proeuropian i rajonit. Opozita shqiptare mund të jetë, ashtu siç është në të vërtetë,  një qind  për qind për Shqipërinë në Europë. Partitë e shumicës qeveritare mund të jenë në parim, ashtu siç janë, njëqind për qind për Shqipërinë  në Europë. Të gjitha këto kanë rëndësi të madhe por nuk mjaftojnë nëse  Kryeministri dhe ekipi drejtues i vendit nuk qeverisin në mënyrë demokratike nga A-ja te Zh-ja. Shqipëria nuk e kalon klasën nëse nuk e kalojnë Kryeministri dhe qeveria. Standardi i Europës është sundimi i ligjit.

Standardi  i  Ramës gjithë këtë periudhë  ka qenë dhe  vazhdon të jetë  “ligji jam unë” çka duket qarte nga shkeljet në seri përmes vendimeve të qeverisë, të Kushtetutës së Shqipërisë, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave. Me bilancin zero të paketës së tij të 100 ditëve të para, me dështimin në marrjen e statusit, me rrokullisjen e ekonomisë nga stabiliteti në negativitet, drejt zeros po rrokullisen edhe arsyet pse duhet të drejtojë qeverinë ky njeri.  Mbrëmë me leximin e gabuar të vendimit te KE-së, ai hoqi me duart e veta edhe një shkallare tjetër në tatëpjetën që ka marrë. Partia Demokratike do të bëjë çmos të mos lejojë që kryeministri të marrë me vete edhe integrimin e vendit në rrokullisjen e tij. Sot, në këtë moment, si kryetar i opozitës së vendit i kërkoj kreut të ekzekutivit ta kuptojë si një shans për reflektime të thella demokratike kohën që i është dhënë atij dhe qeverisë së  tij nga Këshilli Europian”, u shpreh Basha.