Statusi dhe realpolitika shqiptare

62

EuroscepticismNga Eni Kondi

Refuzimi i statusit të vendit kandidat nga Këshilli i BE-së, zhgënjeu një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik, por ky zhgënjim preku dhe sferën politike, ku elementë të tij shfaqeshin dhe në fjalën e kreut të qeverisë, pas këtij vendimi.

Debati që është hapur ka në thelb, faktin se reagimi dhe pritshmëria e opinionit publik, nuk korrespondojnë me aktualitetin politikbërës të BE-së, ku për rrjedhojë zhgënjimi kalon përmasat reale të kuptimit të një fenomeni. Një nga mekanizmat që goditet, është komunikimi politik, pasi serioziteti, konsiderohet si vlerë e munguar e tij. Nëse e shikojmë pak më objektivisht, këtë element, pra, nëse i referohemi komunikimit politik, situata është bërë publike, si nëpërmjet lobimeve të vazhdueshme diplomatike, por gjithashtu edhe nëpërmjet qëndrimit të qartë dhe të shprehur, të vendeve skeptike dhe qëndrimit kundër të Holandës. Mjaftojmë të marrim vetëm këtë element, pa iu futur analizës së elementëve përbërës, për të kuptuar që problemi shmanget nga sfera e komunikimit politik, pasi të paktën ky element ka qenë transparent për publikun.

Këtu fenomeni mbase, është i nevojshëm të shikohet, në një tjetër optikë: Sa i informuar është qytetari shqiptar në lidhje me procesin vendimmarrës të institucioneve të BE-së? Nëse opinioni publik, do të kishte paraprakisht njohje mbi këtë mekanizëm, do t’i mjaftonte vetëm komunikimi politik i qëndrimit paraprak të shprehur mbi votën kundër të Holandës dhe qëndrimet skeptike të disa vendeve të tjera, për të kuptuar që statusi do të refuzohej, pasi vendimi kërkonte unanimitet. Si rrjedhojë dhe zhgënjimi nga pritja imagjinare, do të ishte shmangur.

Sigurisht që, jo vetëm politika por, edhe mekanizma të shoqërisë civile, janë struktura që luajnë rolin kryesor në informimin e opinionit publik. Por, edhe nëse ky element do të ishte normalisht funksional, situata nuk do të ishte shumë optimiste, pasi eksperiencat e vendeve anëtare të BE-së tregojnë se, pavarësisht funksionimit të këtyre strukturave, opinioni publik ka mangësira te konsiderueshme, për sa i përket kuptimit të funksionimit të mekanizmit vendimmarrës të BE-së (referuar përqindjeve në sondazhe të Eurobarometer).

Faktori, që ndoshta do të kontribuonte më shumë në këtë lloj përgatitje të opinionit, do të ishin analizat nga specialistë të kësaj fushe, jo domosdoshmërish të fushës politike apo të krahut militantist, që do të mund të sqaronin opinionin publik mbi pritshmërinë reale dhe shpjegimin e mekanizmit veprues.

Elementi i dytë, që bëhet pjesë e debatit, është fakti se diplomatë të caktuar të BE-së, janë shprehur se statusi do të merret, duke ndikuar në këtë mënyrë gjithashtu, në zhgënjimin e opinionit publik. Edhe në këtë gjykim, po ashtu si në gjykimin e parë ndikon elementi formues qytetar në lidhje me mekanizmin vendimmarrës të BE-së. Nëse publiku do të kishte njohjet e duhura mbi këtë fushë, do të kuptonte që statusi nuk varej as nga deklaratat optimiste të Komisionerit për Zgjerim dhe as nga Ambasadorë të BE-së në Tiranë, pasi tjetër instancë do të gjykonte. Paqartësia mbi funksionimin institucional, shkakton pështjellim në gjykim, duke e zhvendosur vëmendjen në elementë dytësorë, jashtë shkakut real.

Nëse do të gjykojmë, se nuk jemi në nivelin e duhur përballë pritshmërive evropiane, për të qenë të denjë për një përqasje drejt anëtarësimit, kjo logjikë nuk duket shumë e bazuar, nëse marrim si pikë referimi anëtarësimin e vendeve të Lindjes. Anëtarësimi i tyre u bë jashtë përmbushjes së kritereve teknike, pasi ekzistonte vullneti politik. Duket se në këtë rast, kemi të bëjmë po ashtu, me një vullnet të munguar politik, i cili shpjegohet nëpërmjet shumë faktorësh, ekonomike, politike, sociale, kulturore dhe fetare.

Sigurisht, kjo nuk është shmangie vëmendje, nga situata aktuale në të cilën ndodhet vendi.

Ndoshta në këtë reflektim, do të ishte e vlefshme edhe renditja në argumentim, e rolit aktual apo të ‘munguar’ të diplomacisë së përtej Atlantikut.

Përtej përqasjeve të nevojshme në argumentim, në lidhje me vendimin e fundit mbi statusin të Këshillit të BE-së, opinioni publik shqiptar ka nevojë për një informim strukturor dhe sistematik në lidhje me institucionet e BE-së dhe proceseve vendimmarrëse të tyre. Ky terren do të krijonte edhe klimën e nevojshme, për lindjen e një debati konstruktiv mbi Euroskepticizmin, si kundërpeshë logjike e rritjes dhe promovimit të vlerave kombëtare.