Tahiri fton homologun grek dhe italian: Marrëveshje trepalëshe bashkëpunimi

tahiriMinistri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri u propozon homologëve të tij në Itali dhe në Greqi krijimin e një Trekëndëshi të Sigurisë Detare, mes tre shteteve fqinje.

Në letrën e tij drejtuar dy ministrave, zoti Tahiri thekson se “Bazuar në analizën e specialistëve tanë, por jo vetëm, rezulton se grupe kriminale shqiptare e jo vetëm, po bashkëpunojnë në mënyrë shumë të organizuar dhe tejet efikase në trekëndëshin kufitar mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe të qenieve njerëzore, duke e shndërruar sakaq këtë trekëndësh në një zonë me parametra të ulët të sigurisë”.

Më tej, ministri Tahiri nënvizon se “shtimi i përpjekjeve në një formë më të integruar, nëpërmjet forcave të sigurisë së tre vendeve, do t’i shërbejë më tej intensifikimit të marrëdhënieve tona dhe sigurisë ndërkufitare e rajonale”.

Në këtë kuadër, ministri Tahiri fton Ministrin e Brendshëm të Republikës së Italisë Angelo Alfano dhe Ministrin e Brendshëm të Greqisë Nikos Dendias të zhvillojnë një takim të përbashkët në Shqipëri.  “Ky takim do t’i shërbejë diskutimit dhe arritjes së një marrëveshje trepalëshe bashkëpunimi, në kuadër të luftës kundër trafiqeve të paligjshme që kryhen në det”, shkruan ministri Saimir Tahiri.

Në kërkim bashkëpuntorët e Sinanajt, policia 10 mln shpërblim për atë që jep informacion

mehillajPolicia e Tiranës ofron 10 mijë euro shpërblim për personin që do të japë informacione në lidhje me bashkëpunëtorët e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj. Në një njoftim të policisë thuhet për çdo person që jep informacion të vlefshëm në drejtim të kapjes së Andon dhe Genis Mëhillaj, të akuzuar si grupi i ‘tritolit’ përveç shpërblimit monetar do t`i ruhet edhe anonimati.

Burime policore pohojnë se dy kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj kanë qenë personat që bënin të mundur njohjen mes porositësit të vrasjeve dhe të dyshuarit si vrasës me pagesë. Burime nga uniformat blu sqarojnë se dy kushërinjtë, të njohur për lidhjet me politikën, kontaktonin të parët me porositësit e krimeve të rënda dhe më pas ishte Andon Mëhillaj ai që kontaktonte të dyshuarin si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj, i cili njihej nga të gjithë për saktësinë në ekzekutimet e tij.

Ky i fundit për çdo vrasje merrte nga 30 mijë euro deri në 150 mijë euro, varej nga rëndësia e personit që do ekzekutohej, ndërsa dy kushërinjtë Mëhillaj merrnin pjesën më të madhe të parave, pothuajse dyfishin e parave që merrte ekzekutori.

Shtetasit Genis Mëhillaj dhe Andon Mëhillaj janë shpallur në kërkim pasi gjykata e shkallës së parë për krime të rënda Tiranë ka vendosur masën “arrest me burg” për veprën penale “vepra me qëndrime terroriste”. –

Pjerin Ndreu: Duhet rishikuar skema e funksionimit të SHISH

pjerin ndreuPas publikimit të fakteve për mënyrën e rekrutimit të anëtarëve të Shërbimit Informativ Shtetëror nga emisioni “Alarm”,  deputeti i PS-së Pjerin Ndreu e cilëson si të  domosdoshëm rishikimin e skemës së funksionimit të këtij institucioni.Në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit të Partisë Socialiste, Ndreu ka theksuar se në mbledhje nuk u diskutua në lidhje me këtë çështje.

“Probleme që janë në kompetencë të policisë së shtetit, që bëjnë fjalë për autorë dhe ngjarje të ndryshme kriminale, të krimeve kundër personit, krimeve kundër pasurisë, trafiqeve mund dhe duhet të kalojnë direkt te Ministri i Brendshëm për ndjekje të shpejtë. Fakti që SHISH deri tani nuk ka absolutisht një informacion të dhënë për një fluks ngjarjesh kriminale që kanë shqetësuar opinionin publik është tepër shqetësuese që do të thotë se diçka nuk funksionon në atë institucion dhe na bën ne të mendojmë se duhet rishikuar skema e funksionimit.Sot s’kemi folur asgjë, më shumë keni folur ju në media, media vazhdon të flasë dhe të nxjerrë fakte të cilat ne nuk kemi pse të mos ti marrim seriozisht. Media ka nxjerrë fakte shqetësuese që kanë të bëjnë me rekrutimin e personelit e viteve 92-97, ka nxjerrë fakte për rekrutimin e personelit pa kursin bazë të SHISH, ka nxjerrë fakte për rekrutimin e drejtuesve pa çertifikatë sigurie” tha ai.

Nëse kjo mosrakordancë mes institucionit të SHISH dhe Ministrit të Brendshëm është e qëllimshme apo vjen si rezultat i paaftësisë së SHISH, Ndreu nuk përcaktoi motivin, por theksoi se mosinformimi nga ana e tij është një problem mjaft shqetësues.

“Nuk jam këtu për të nxjerrë motivin se pse, e konstatoj si problematik këtë shqetësim. Është një institucion që ka në dorë burimin e infoprmacionit dhe në burimet e veta të informacionit është e natyrshme që informacioni mund të vijë edhe për fakte ose ngjarje që nuk janë kompetencë e atyre por e policisë së shtetit apo institucioni tjetër që edhe për shkak të shpejtësisë në parandalimin e krimeve, duhet t’ia kalojnë drejtëpërdrejtë institucionit dhe kështu është vepruar gjithmonë” deklaroi Ndreu.

I pyetur nga gazetarët se kur pritet të fillojë nga puna Byroja Kombëtare e Hetimit, ai u përgjigj:

“ Është problem i cili do bëhet publik shpejt”.

Sequi: Reforma territoriale me rëndësi

ettore-sequi-602x401Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi gjatë një deklarate për mediat është shprehur se  reforma territoriale është e rëndësishme dhe ne besojmë se do të ketë dialog. Ambasadori ka bërë të ditur se, reformat janë të mira kur shtojnë kapacitetet dhe modernizimin.

“Reforma territoriale përmendet edhe në Raportin e Progresit.  Ne mendojmë që reformat janë të mira për sa kohë ato çojnë në rritjen e kapacitetit, efektivitetit dhe modernizmit. Sigurisht që për zbatimin e çdo reforme është e rëndësishme të ketë dialog nga të gjitha palët e përfshira në këtë reformë. Kjo është e nevojshme gjithandej sikurse edhe në Shqipëri. Edhe në rastin e kësaj reforme ne besojmë dhe shpresojmë që kjo do të ndodhë”, u shpreh Sequi.
Për të njëjtën çështje sot ka folur edhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, i cili ka deklaruar se, maxhoranca do të ketë durimin që të presë përfaqësuesit e opozitës që të bëhen pjesë e komisioni bipartizan në Kuvend.
Opozita kërkoi ngritjen e një komisioni që ka të bëjë me emërimet në policinë e shtetit. Është e qartë që kjo është një çështje e kuvendit por qeveria nuk mund të jetë indiferente ndaj kësaj kërkese por i ngelet Kuvendit vendimmarrja në lidhje me këtë çështje. Konferenca e kryetarëve nuk e miratoi këtë kërkesë. Në gjykimin dhe në vlerësimin tonë me të drejtë edhe pse është në të drejtën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore ngritja e këtyre komisioneve duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe të rregullores së Kuvendit dhe me vendimet e gjykatës kushtetuese që kanë trajtuar çështje të tilla. E parë në këto këndvështrime kjo kërkesë nuk ishte e bazuar pasi krijon një mbivendosje kompetencash me institucionet e tjera. Çështjet e emërimeve dhe shkarkimeve në policinë e shtetit pakica parlamentare i ka bërë objekt shqyrtimi nga organi i prokurorisë të cilat kanë kompetencat për ti shqyrtuar”, deklaroi Celibashi.

 

Paloka: Qeveria po drejtohet nga krimi

Edi_PalokaKonferenca e Kryetarëve ka refuzuar kërkesën e demokratëve për ngritjen e komsionit hetimor për shkarkimet dhe emërimet në policinë e shtetit.

Kjo u bë e ditur nga kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka i cili ka theksuar se refuzimi për ngritjen e këtij komisioni tregon se qeveria drejtohet nga krimi.

“Kërkesa jonë për ngritjen e komisionit nuk u pranua nga mazhoranca me argumentimin se ne nuk kemi pasur komisone për çështje të tilla. Edhe ky qëndrim i sotëm i mazhorancës në konferencën e kryetarëve tregon qartazi që kjo qeveri është jo vetëm e kapur nga krimi por edhe po drejtohet nga krimi” tha Paloka.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit dhe ministrit Saimir Tahiri që t’i përgjigjen akuzave të PD-së për lidhjet e mundshme të një specialisti të antidrogës në Vlorë me bandën e Zani Çaushit dhe mospranimin e denoncimit të të penduarit të “bandës së tritolit” nga komisariati i Durrësit.

“Njerëz të krimit me precedentë penale ne i kemi denoncuar, por nuk kemi marrë asnjë reagim as nga kryeministri Rama as nga Ministri i Brendshëm. Kemi denoncuar ushtarin Zani Çaushit. Kemi denoncuar faktin se shefi i komisariatit në Durrës ka qenë 8 vjet si shofer i biznesmenit që dyshohet si porositës i vrasjes së një tjetër biznesmeni dhe nuk pranoi denoncimin e të penduarit. Ky është fakt i rëndë që ne e kemi denoncuar dhe prap nuk ka reagim. Bëhen vetëm hartime mediokre të përgjithshme dhe sulme ndaj opozitës, ndërkohë që qytetarët presin të dinë të vërtetën. Ministri dhe kryeministri të bëjnë transparencë” u shtoi më tej Paloka duke shtuar se ngritja e komisionit hetimor është një domosdoshmëri për situatën e rëndë kriminame në të cilën ndodhet sot vendi.

Ukrainë, vazhdojnë protestat, rikthehet Presidenti Yanukovych

ukraine 2Protestat në Ukrainë vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme. Mbi 50 mijë persona kanë dalë sërish në sheshin “Pavarësia” në Kiev të Ukrainës, duke vazhduar me protestat, si dhe për të dëgjuar liderin e opozitës pas kthimit të tij nga Mynihu, ku u mbajt edhe Konferenca Ndërkombëtare e Sigurisë, raporton CNN.

Në këtë Konferencë ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm ukrainas Kostiantyn Gryscenko, i cili pati edhe një përplasje verbale me ish-boksierin dhe një nga liderët e opozitës Vitaly Klitschko.

Klitschko nga ana e tij i paraqiti ministrit të jashtëm fotot e protestuesve të plagosur nga policia, ndërsa ministri nga ana e tij i ka kërkuar, nëse ai vetë i mbështeste ata që bëjnë veprime paranaziste dhe sulmojnë policinë. Ndërkohë që opozita kërkon dorëheqjen e presidentit Viktor Yanukovych, ky i fundit pritet të kthehet sot në zyrë, pas gjendjes së keqe shëndetësore që ai pati të enjten. Pasi u kurua disa ditë për problemet me frymëmarrjen, burime nga presidenca thonë se Yanukovych tashmë është në gjendje të mirë shëndetësore dhe do të kthehet sot në zyrën e tij, në presidencë.

Nishani në SHBA, takime në DASH

NishaniPresidenti i Republikës, Bujar Nishani është nisur sot për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përgjigje të ftesës së ardhur nga një grup senatorësh dhe kongresmenësh për të marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve.

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Presidenti do të zhvillojë takime në Departamentin Amerikan të Shtetit, Këshillin Kombëtar të Sigurisë, në Senat dhe Kongresin Amerikan. Lajmi është bërë i ditur nga një njoftimi i Zyrës së Presidencës.

Ilir Karçini del sot para gjykatës për masën e sigurisë

ilir karciniGjykata e Krimeve të Rënda do të japë sot masën e sigurisë për biznesmenin Ilir Karçini, i cili dyshohet se pagoi Julian Sinanajn 150 mijë euro për të vrarë një prej bosëve të hidrokarbureve në Durrës, ngjarje e parandaluar me arrestimin e grupit terrorist të Vlorës.

Ilir Karçini, pronari i një firme gazi me qëndër në Patos të Fierit dyshohet si porositësi i vrasjes me pagesë të kolegut të tij Piro Bare, drejtor ekzekutiv i ndërmarrjes “Romano Port” me të cilin mendohet se ka pasur një konflikt pikërisht në fushën e tregtisë së gazit.

Emri i Ilir Karçinit është përcjellë disa ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda pas dëshmisë së Julian Sinanajt. Arrestimi i biznesmenit u bë ditën e shtunë në banesën e tij në kryeqytet dhe nën masa të larta sigurie.

Ndërkohë biznesmeni i njohur fierak do të përballet me një akuzë më të rëndë, atë për vrasjen e kolegut të tij durrsak Piro Bare, porosi e cila nuk u çua dot deri në fund nga Julian Sinanaj, që u arrestua me armën gati dhe foton e shënjestrës në xhep, dy ditë para se të kryente ekzekutimin e planifikuar.

Leonardo di Caprio rrëfen jetën e vështirë

leonardo-dicaprio-greensburgLeonardo di Caprio sapo ka dhënë një intervistë për “Los Angeles Time”,  ku ka patur rastin të flase për fëmijërinë e tij të vështirë. Përpara se të behej një ndër aktorët më të famshëm dhe të respektuar të Hollywoodit, ai ka thënë se është rritur si një fëmijë shumë i varfër.

Ylli i filmit `Titanik` është shprehur se ka qenë gjithnjë i rrethuar nga lloje të ndryshme lëndësh narkotike, por asnjeherë nuk ka tentuar ti provojë ato, duke shpjeguar dhe arsyen pse.39-vjeçari pranoi:

“Unë kam qenë një fëmijë shumë i varfër. Jam rritur në nje lagje të Los Angelos ku mbizotëronte vetëm droga dhe prostitucioni.”

Më pas ai ka shtuar se mban mend shumë fqinj të tij, të cilët konsumonin substanca të ndaluara përpara tij, kur aktori ishte vetëm 4 vjeç.

Leonardo vazhdoi :”Përveç drograve, kam qenë i pranishëm edhe në shumë raste ku është ushtruar dhunë dhe jam frikësuar. Por duke parë se nga çfarë rrethohesha asnjëhere nuk kam tentuar që të konsumoj lëndë narkotike, kam përjetuar tmerr nga ajo që u ka ndodhur të tjerëve”.

I dashuri i bukuroshes,Toni Garn, një vëmendje të veçantë i kushtoi edhe karrierës së tij artistike, sesi arriti t`ia dilte mbanë.

“Kur isha 15 vjeç i kërkova nënës time që të më dërgonte në kurs aktrimi. Unë i thashë asaj “Mami dua të behem aktor, dua të marr pjesë në ndonjë audicion. Dhe sigurisht ajo jo vetëm që më plotësoi dëshirën time, por edhe më ka mbështetur gjatë gjithë këtyre viteve” shtoi ai.

Leonardo di Caprio gjithashtu është i nominuar për të fituar një çmim Oscar si aktori më i mirë.

 

Gjirokastër, arrestohen dy persona, për vjedhje dhe dhunë në familje

prangaSpecialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Hapura në Komisariatin e Policisë Gjirokastër kanë bërë arrestimin në flagrancë të 22-vjeçarit Andrea Demcaj, i dënuar më parë  në Greqi për vjedhje.

Sipas policisë, 22-vjeçari rreth orës 05.45 , në lagjen “Zinxhira “, të qytetit Gjirokastër, ka tentuar të thyejë me mjete të forta derën e lokalit të shtetasit K.D, me qëllim vjedhjen e lokalit, por s’ka mundur dot  të realizojë vjedhjen pasi është kapur në flagrancë nga Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Gjirokastër që ishte duke patrulluar në këtë lagje.

Gjithashtu më datën 02.02.2014, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Hapura Komisariatin e Policisë Gjirokastër , kanë bërë arrestimin e 38-vjeçarit me inicialet E. K., banues në Gjirokastër.

Arrestimi i tij u bë pasi më datën 02.02.2014, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Gjirokasër bashkshortja e tij S.K e cila ka bërë kallzim se ndaj saj është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti i saj.

Si pasojë e dhunës fizike shtetsja S.K, ka pësuar dëmtime të ndryshme në trup. Gjithashtu kjo shtetase ka deklaruar se bashkëshorti i saj për një vit rresht ka ushtruar dhunë në mënyrë sistematike .

Shtetsja S.K në muajin Shtator të vitit 2013 është pajisur me urdhër mbrojtjeje lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësr Gjirokastër.

Ndërkohë  materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale “Dhunë në familje”.