Pjerin Ndreu: Duhet rishikuar skema e funksionimit të SHISH

57

pjerin ndreuPas publikimit të fakteve për mënyrën e rekrutimit të anëtarëve të Shërbimit Informativ Shtetëror nga emisioni “Alarm”,  deputeti i PS-së Pjerin Ndreu e cilëson si të  domosdoshëm rishikimin e skemës së funksionimit të këtij institucioni.Në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit të Partisë Socialiste, Ndreu ka theksuar se në mbledhje nuk u diskutua në lidhje me këtë çështje.

“Probleme që janë në kompetencë të policisë së shtetit, që bëjnë fjalë për autorë dhe ngjarje të ndryshme kriminale, të krimeve kundër personit, krimeve kundër pasurisë, trafiqeve mund dhe duhet të kalojnë direkt te Ministri i Brendshëm për ndjekje të shpejtë. Fakti që SHISH deri tani nuk ka absolutisht një informacion të dhënë për një fluks ngjarjesh kriminale që kanë shqetësuar opinionin publik është tepër shqetësuese që do të thotë se diçka nuk funksionon në atë institucion dhe na bën ne të mendojmë se duhet rishikuar skema e funksionimit.Sot s’kemi folur asgjë, më shumë keni folur ju në media, media vazhdon të flasë dhe të nxjerrë fakte të cilat ne nuk kemi pse të mos ti marrim seriozisht. Media ka nxjerrë fakte shqetësuese që kanë të bëjnë me rekrutimin e personelit e viteve 92-97, ka nxjerrë fakte për rekrutimin e personelit pa kursin bazë të SHISH, ka nxjerrë fakte për rekrutimin e drejtuesve pa çertifikatë sigurie” tha ai.

Nëse kjo mosrakordancë mes institucionit të SHISH dhe Ministrit të Brendshëm është e qëllimshme apo vjen si rezultat i paaftësisë së SHISH, Ndreu nuk përcaktoi motivin, por theksoi se mosinformimi nga ana e tij është një problem mjaft shqetësues.

“Nuk jam këtu për të nxjerrë motivin se pse, e konstatoj si problematik këtë shqetësim. Është një institucion që ka në dorë burimin e infoprmacionit dhe në burimet e veta të informacionit është e natyrshme që informacioni mund të vijë edhe për fakte ose ngjarje që nuk janë kompetencë e atyre por e policisë së shtetit apo institucioni tjetër që edhe për shkak të shpejtësisë në parandalimin e krimeve, duhet t’ia kalojnë drejtëpërdrejtë institucionit dhe kështu është vepruar gjithmonë” deklaroi Ndreu.

I pyetur nga gazetarët se kur pritet të fillojë nga puna Byroja Kombëtare e Hetimit, ai u përgjigj:

“ Është problem i cili do bëhet publik shpejt”.