Ilir Karçini del sot para gjykatës për masën e sigurisë

15

ilir karciniGjykata e Krimeve të Rënda do të japë sot masën e sigurisë për biznesmenin Ilir Karçini, i cili dyshohet se pagoi Julian Sinanajn 150 mijë euro për të vrarë një prej bosëve të hidrokarbureve në Durrës, ngjarje e parandaluar me arrestimin e grupit terrorist të Vlorës.

Ilir Karçini, pronari i një firme gazi me qëndër në Patos të Fierit dyshohet si porositësi i vrasjes me pagesë të kolegut të tij Piro Bare, drejtor ekzekutiv i ndërmarrjes “Romano Port” me të cilin mendohet se ka pasur një konflikt pikërisht në fushën e tregtisë së gazit.

Emri i Ilir Karçinit është përcjellë disa ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda pas dëshmisë së Julian Sinanajt. Arrestimi i biznesmenit u bë ditën e shtunë në banesën e tij në kryeqytet dhe nën masa të larta sigurie.

Ndërkohë biznesmeni i njohur fierak do të përballet me një akuzë më të rëndë, atë për vrasjen e kolegut të tij durrsak Piro Bare, porosi e cila nuk u çua dot deri në fund nga Julian Sinanaj, që u arrestua me armën gati dhe foton e shënjestrës në xhep, dy ditë para se të kryente ekzekutimin e planifikuar.