Malajzia, një vend unik i Azisë

malajzia_nje_vend_unik_i_aziseNuk ka dyshim se e tërë bota është një univers unik, por në të ka disa rajone që janë ku e ku më unike se pjesa tjetër. Pa diskutim midis tyre është Malajzia. Brenda shoqërisë malaje ekziston një mozaik i ndërthurjes multikulturore, multiracore dhe multifetare, që e bën Malajzinë unike në Azi, nëse jo edhe në botë, në përgjithësi.
Kjo përmbledh grupet vijuese të popullsisë: malajzianët, kinezët, indianët, euro-aziatikët (duke përfshirë arabët hadrami, hollandezët dhe portugezët) dhe grupet indigjene të Gadishullit dhe të Borneos Veriore (si ibanët, bidajuhnët dhe kadazandusunët).

Qytetet më të mëdha, industria e rëndë dhe grupet emigrante të Malajzisë janë të përqendruara kryesisht në bregun perëndimor të vendit, ndërsa bregu lindor është më pak i populluar, më agrar, e nga pikëpamja demografike më malajas. Kryeqyteti është në qendrën e vjetër minerare të kallajit të Kuala Lumpurit, por gjatë viteve të para të dekadës së fundit ndodhi zhvendosja e tij në periferi, në Kuala Lumpurin e ri, pra, në Putraxhaja.

Pasqyrimi i përgjithshëm

Statistikat demografike më të rëndësishme malaje janë ato të etnicitetit, me anë të të cilave gati 52% klasifikohen si malajzianë, 24% me prejardhje kineze, 8% me prejardhje indiane, dhe 16% si indigjenë e të tjerë. Në lidhje me fenë, shifrat flasin për 61% myslimanë, 20% budistë, 9% krishterë, 7% hinduistë, 2% konfucianë, taoistë e të besimeve të tjera tradicionale kineze dhe 1% të besimeve të panjohura apo të asnjë besimi.

Numri i përgjithshëm i popullsisë llogaritet të jetë pothuajse 27 milionë. Këto shifra të popullsisë kanë një vend të rëndësishëm në historinë e gadishullit, sepse Malajzia u krijua si shtet duke e pasur parasysh demografinë.

Malezishtja u bë gjuha e vetme kombëtare në vitin 1967. Ajo është e institucionalizuar me një shkallë modeste suksesi, ndonëse anglishtja flitet po ashtu gjerësisht, për shkak se ishte gjuha administrative e kolonizatorëve britanikë. Krahas malezishtes dhe anglishtes janë popullore dhe gjuhë të tjera.

Për shembull, shumë malajzianë kinezë flasin një kombinim të kantonishtes, hokkienishtes dhe/ose të mandarinishtes, shumica e malajzianëve indianë flasin tamilisht dhe një numër i madh gjuhësh lulëzojnë midis grupeve autoktone në Gadishull, veçanërisht në shtetet lindore të Saravakut dhe Sabahut.

Malajzianët, duke patur parasysh heterogjenitetin gjuhësor të vendit të tyre, janë shumë të aftë në mësimin e gjuhëve, andaj për ta njohja e shumë gjuhëve është diçka e zakonshme. Megjithatë industrializimi i shpejtë e ka konfirmuar rëndësinë e anglishtes dhe e ka çimentuar atë si gjuhë të biznesit.

Identiteti i Malajzisë

Mbreti, breshka e detit, lulja Bungu raja (hibisku kinez ose trëndafili kinez), makina e vendit “Proton”, kompania e transportit ajror “Malaysia Airlines”, kullat e famshme “Petronas Tower” (që janë ndërtesat më të larta të botës) dhe slogani qeveritar, “Malaysia Boleh!” (Malajzia Mundet!), janë disa nga imazhet më emblematike të Malajzisë.

Ndërkaq larmia etnike e Malajzisë konsiderohet përgjithësisht një bekim. Përzierja e bën Malajzinë një nga vendet më kozmopolitane në tokë, ndërsa ndihmon në mbajtjen gjallë të marrëdhënieve ndërkombëtare me shumë shoqëri të përfaqësuara në Malajzi, me arkipelagun indonezian, me botën islame, me Indinë, Kinën dhe Europën.

Kjo larmi e ka bekuar gjithashtu vendin me një nga kuzhinat më të pakrahasueshme në botë dhe përbërësit e gatimit malaj, kinez, indian, arab dhe, pjesërisht, europian janë njëkohësisht të veçuar e të shkrirë bashkë.

Ekonomia

Malajzia është integruar me kohë në ekonominë globale. Gadishulli i Malajzisë ishte lideri botëror në prodhimin e kallajit (nxitur nga kërkesa perëndimore për ushqim të konservuar) dhe të kauçukut natyror (të nevojitur për të prodhuar gomat e makinave) gjatë dekadave të para të shekullit të njëzetë. Ekspansioni i industrializimit të Malajzisë e thelloi varësinë e saj nga importet për ushqim dhe nevoja të tjera.

Nevojat bazë në Malajzi kanë çmime të palëvizshme dhe, si shumë vende në zhvillim, shërbimi bankar, shitja me pakica dhe shërbime të tjera janë të rregulluara e të disiplinuara në imtësi. Tregtia e vendit është e lidhur me etnicitetin dhe angazhimi i qeverisë i ka ndihmuar malajzianët të rivalizojnë në aktivitete tregtare të dominuara për shumë kohë nga kinezët etnikë.

Liberalizimi i biznesit dhe financave vazhdon duke pasur parasysh këto dinamika etnike. Bumi dhe fiaskoja në mallrat kryesorë, të tillë si kauçuku dhe kallaji, i kanë dhënë shoqërisë malaje një ritëm ciklik, të lidhur me kërkesën e jashtme të paqëndrueshme. Qeveria filloi t’i japë larmi ekonomisë në vitet ’70 (e ndihmuar nga një rritje në eksportet e naftës) dhe Malajzia tani është një vend industrial i qëndrueshëm.

Pozita e spikatur e Malajzisë në ekonominë globale, si një nga njëzet vendet më të mëdha tregtare, është pjesë e rëndësishme e identitetit të saj si shoqëri. Partnerët kryesorë tregtarë përfshijnë Japoninë, Singaporin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Malajzia importon pjesë industriale dhe eksporton prodhime të gatshme.

Artikuj të rëndësishëm janë vaji i palmës, kauçuku, drurët e fortë tropikalë dhe produktet e naftës. Makinat luksoze, telefoni celular, bizhuteritë prej ari dhe veshjet e modës tregojnë rangun e lartë në rendin shoqëror malajzian. Sot Kuala Lumpuri ka më shumë automjete se njerëz.

Sistemi politik

Malajzia, duke qenë monarki konstitucionale, është e drejtuar formalisht nga mbreti, posti i të cilit sillet rrotull çdo pesë vjet midis nëntë sundimtarëve malajzianë trashëgimtarë. Mbreti zgjedh kryeministrin nga koalicioni udhëheqës në parlament, një organ i ndarë më tej në përfaqësuesit e zgjedhur dhe senatorët e emëruar. Zgjedhjet e përgjithshme malaje janë fituar që nga pavarësia prej një koalicioni të partive politike me baza etnike/racore.

Ky koalicion, i njohur së pari si Aleanca, e më vonë si Fronti Kombëtar, është i dominuar nga Organizata Kombëtare e Malajzianëve të Bashkuar (UMNO), një parti e përbërë nga malajzianë të moderuar. Presidenti i UMNO-s është bërë gjithmonë kryeministër i Malajzisë.

Ëndrra e krijimit të një Malajzie të pasur, paraqitur nga ish-kryeministri, Dr. Mahathir Muhammed, vazhdon edhe sot me planin e qeverisë të vitit 1991 të quajtur “Vizioni 2020”, i cili planifikon që në vitin 2020 vendi të jetë “plotësisht i zhvilluar”. Ky vizion i ri e mbështet besimin në teknologjinë e lartë dhe në zhvillimin e një shoqërie më të unifikuar.

Arsimi

Në Malajzi arsimi i lartë është pjesë jetike e jetës, ndonëse shkollat me më shumë ndikim në shoqëri gjenden jashtë vendit. Qindra e mijëra studentë janë arsimuar në Britani, Australi, në vendet e Lindjes së Mesme dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përvoja e lënies së Malajzisë për t’u arsimuar jashtë është një ritual i rëndësishëm për shumë njerëz të elitës.

Shkencëtarët malajzianë kanë dhënë kontribut të madh në kërkimet mbi kauçukun dhe vajin e palmës dhe kjo punë do të vazhdojë me gjasa ta rrisë prodhimtarinë e këtyre sektorëve.

Me gjithë mbikëqyrjen e qeverisë, kërkimet shkencore humane dhe shoqërore po rriten me studimin akademik kritik dhe konstruktiv, ndonëse disa akademikë janë krejtësisht të hapur dhe kanë prestigj të konsiderueshëm në shoqëri. Kjo është bërë kryesisht përmes dy universiteteve të famshme: Universitetit Islamik Ndërkombëtar të Malajzisë dhe Universitetit të Malajzisë.

Religjioni

Feja është e lidhur fort me etnicitetin, ku dallojnë malajzianët myslimanë, indianët hinduistë dhe kinezët budistë. Prania e një larmie të tillë e shton rëndësinë e identitetit fetar, andaj shumica e malajzianëve kanë një ndjenjë të fortë të asaj se si praktika e tyre fetare dallon nga ajo e të tjerëve (prandaj një i krishterë malajzian identifikohet gjithashtu si një jomysliman).

Festat fetare, veçanërisht ato të kremtuara me pritje e përcjellje, i bashkojnë më tepër përvojat ndërfetare të popullsisë. Tensioni midis bashkësive fetare është modest.

Ja edhe disa tradita interesante malaje:

– Nëse je i ftuar në shtëpinë e ndonjë malajziani për drekë ose për darkë, dërgoji të zonjës së shtëpisë pasta ose çokollatë të cilësisë së mirë, por kurrë mos i dhuroni pije alkoolike.

– Shmanguni prej përdorimit të letrës së bardhë të ambalazhit, sepse ajo simbolizon vdekjen dhe zinë

– Shmanguni prej përdorimit të letrës së ambalazhit me ngjyrë të verdhë, sepse ajo është ngjyra e familjes mbretërore;

– Dhuratat i jepni vetëm me dorën e djathtë ose me të dyja duart nëse artikulli është i madh

– Mos manifestoni zemërim në publik, sepse kjo i bezdis malajzianët dhe krijon një ndjenjë pafuqie. Nëse jeni i qetë, ka shumë më tepër mundësi ta arrini rezultatin e pritur, ndërsa pak mund të arrihet me zhurmë. /Y.P

Kruja, qyteti që të shpie në një epokë tjetër

kalajaeKrujesNga: Flora Xhemani

Kruja është një nga qytetet më me histori nga të gjitha ato shqiptare. Ajo karakterizohet jo vetëm për gjeografinë e veçantë, kalanë mbresëlënëse por dhe shumë tradita të përcjella brez pas brezi. Historia që u thurr në qytetin e lashtë na bën të ndihemi krenar sa herë që e vizitojmë. Duke mos harruar betejat e Skënderbeut, folklorin e shumë tradita krutane

Si shkohet:  Largësia e Tiranës nga Kruja është 37 km. Nëse udhëtoni me mjete publike, furgonat për në Krujë nisen në fund të Rrugës Mine Peza. Rruga për në Krujë kalon nga kryqëzimi i Kamzës, Ura e Tapizës, merr djathtas për në Fushë-Krujë pasi keni lënë autostradën Tiranë-Lezhë dhe pasi jeni futur në zonën e Fushë-Krujës, vazhdoni në dalje drejt lindjes. Pak para se t’i ngjiteni malit, në të djathtë ndodhet qyteti ilir i Albanopolisit.

Pa dyshim mund të quhet aktraksioni më i madh turistik në Shqipëri, si për të huajt ashtu edhe për ne. Çdo ditë pret vizitorë të shumtë në numër të cilët shijojnë një rikthim në epokën mesjetare mes mureve të kalasë dhe rrugicave me gurë, pamjen mahnitëse që të shfaqet, muzeumet e historisë dhe traditës. E pa harruar pazarin e famshëm ku asnjë nuk i shpëton tundimit për të blerë sende dhe objekte të vjetra që vetëm aty mund ti gjesh.

Është e habitshme sesi sa herë që planifikojmë të nisemi për në Krujë, bën gjithmonë kohë e bukur.

Ndoshta sepse edhe vetë Zoti e natyra, ka dëshirë që ta shijojmë plotësisht qoftë pamjen e mbledhur të Krujës, strukur në gji të Malit të Skënderbeut, nga poshtë rrugës automobilistike, derisa arrijmë në Fushë-Krujë, qoftë atë rrugën e mrekullueshme me pisha që gjarpëron përgjatë malit, derisa hyn në portat e Krujës. Vetëm se, pa shumë iluzione për mrekullira tashmë, qyshkurse gomat e makinave djegin zjarre të zinj për të shuar gëlqere të bardhë, e qyshkurse fabrikat zinxhir të çimentos, pluhurosin rrugët e Krujës. Është mëkat i madh në fakt, masakrimi total i peisazhit të mrekullueshëm, që dikur të rrëmbente, edhe tej, larg, ndërkaq që makina kalonte mbi urën e Tapizës, vazhdoje përgjatë rrugës së Nikëlit – tanimë e mbjellë me dyqane mobiljesh – e derisa kaloje Fushëkrujën e hyje në zonën që i përket Mamurrasit.

Mirëpo kartolina e shqyer e Krujës, nuk paska shumë efekt në “përzënien” e turistëve, ata vazhdojnë ta mësyjnë qytetin me po aq interes sa para masakrës, me sa duket të sugjestionuar prej faktit se aty jetoi Skënderbeu- i vetmi burrë shqiptar që bota e njeh si atlet të Krishtit. E Kruja është magjepsëse edhe për ne, që s’kemi si të mos e dashurojmë për dy arsye; sepse ajo është mbretëresha e historisë shqiptare, e sepse fiset që kanë jetuar në të, na kanë dhënë emrin që ne sot mbajmë në botë. Në këmbët e Krujës jetuan Albanët, emër të cilin e trashëguam nga shekujt e largët e me të cilin na thërret sot bota mbarë.

Albanopolisi sot është një grumbull rrënojash me gurë të mëdhenj metroshë e dymetroshë, ca mure rrethuese që i ngjiten kodrës shkallë-shkallë, e tek-tuk ndonjë copëz më shumë, ashtu siç janë edhe shumica e parqeve arkeologjike në Shqipëri, duke ruajtur pak ose aspak prej lavdisë dhe shkëlqimit të dikurshëm. Por gjurma, ekzistuese dhe kryeneçe, është aty, për të na treguar se shqiptarët (apo qofshin Albanët, Pleuratët, Enkeljetë, Adrianët, Labeatët e, Arbrit më vonë), e paskëshin njohur qytetërimin shumë shumë herët, aq mirë sa nuk e njohin ndoshta shumë nga shqiptarët e sotëm.

Gjithsesi, sot jemi për në Krujë, na tërheqin shumë kalldrëmet mesjetare, kullat e kalasë, shtëpitë karakteristike brenda rrethit të kalasë e gjithçka tjetër që mban era histori dhe traditë.

Tek portat e Krujës

Makina medoemos duhet të qëndrojë poshtë, e sido që të përpiqemi t’i afrohemi rrezes së kalasë mbi rrota, nuk shkojmë dot më larg sesa tek parkimi me pagesë tek sheshi i vogël i mbushur me lokale e me lule kacavjerrëse. Kalldrëmin e bukur do ta përshkojmë në këmbë, duke kullotur sytë në tezgat e shumta përgjatë të dy anëve të rrugës, të cilat vazhdojnë nëpër tunel, e dalin në oborrin e jashtëm, ose më mirë të themi në sheshin e mbushur dingas me njerëz, tezga, suvenire, restorante, shkrepje aparatesh, vizitorë që pozojnë pa fund ballë fasadës së Muzeut Historik, e gjithçka tjetër që përbën gjallërinë e nevojshme të një qendre turistike.

Restorante të shumtë kanë mbushur këtë shesh përqark dhe brenda ambienteve të kalasë, e kjo është një gjë e trishtueshme po të mendosh se shumicën e njerëzve mund t’i ketë sjellë këtu kuzhina e mrekullueshme e Lulit, në restorantin e tij “Alba”, apo gatimet me famë të restorant “Bardhit” e kështu me radhë. Por ana e mirë e kësaj dukurie që rëndom po përhapet në sitet kulturore shqiptare është se këto restorante e hotele, përpiqen të mos shkatërrojnë peisazhin ose dukjen e arkitekturës, duke ruajtur shumë prej elementeve të ndërtesave ekzistuese, qeramikë, gur, dru, hekur i rrahur etj. Oborri i “Albës” ku hyjmë të pijmë një kafe, ndërkohë që na pret krahëhapur i zoti i shtëpisë, nuk ka ndonjë ndryshim nga kalldrëmi i jashtëm i sheshit e gjithashtu veshja e mureve me tullë, tavolinat e zbukuruara me mbulesa të punuara me dorë po nga artizanet e Krujës, e ruajnë më së miri dukjen shqiptare.

Të huajt preferojnë gatimet shqiptare si tavë dheu, kabuni, apo mish të pjekur në hell. “Kjo është një gjë që ndodh gjithmonë, -thotë Luli. Të huajt kërkojnë kuzhinë shqiptare dhe më pyesin vazhdimisht për vende ku duan të shkojnë të shohin diçka. Fundja ata për këtë kanë ardhur. Nëse nuk janë pjesë e një grupi, duan që t’i çosh në Sarisalltik, nganjëherë edhe deri në Qafshtamë, ose kërkojnë informacione për Muzeun Etnografik, duan të dinë se çfarë mund të blejnë poshtë tek pazari që të jetë me vlerë”- përfundon ai.

Një shëtitje në Pazarin e Vjetër

 Në fakt, tek shihnim të dy anët e mbushura të Pazarit të Vjetër, plot me objekte të pluhurta, gjyma, xhezve, mullinj kafeje, djepa fëmijësh, tepsi bakri, për të mos folur për monedhat e bizhutë e shumta prej bakri e argjendi, syri na shkonte tek gratë brenda dyqaneve që thurnin në tezgjah qilima, çanta e tapete të vegjël prej leshi dhe tek veshjet e mrekullueshme popullore me motive të panumërta zbukuruar me ar dhe argjend. Është e trishtueshme të mendosh se kinezëritë e shumta që mbushin sot dyqanet e suvenireve nëpër qytetet turistike apo edhe në kryeqytet, mund ta mbysin një ditë edhe Krujën dhe punën e palodhur të këtyre grave që çdo gjë e nxjerrin nga duart e që pashmangshmërisht do të kushtojë shumë më shumë sesa stemat me shqiponjë apo suveniret prej pleksiglasi që dalin në seri prej fabrikave turke apo kineze me simbolet shqiptare përsipër.

Por shëtitja përgjatë Pazarit, na qetëson hëpërhë, teksa shohim produktet që edhe kur janë të reja e nuk vijnë prej shekujve, prodhohen ende në kthinat e këtyre dyqaneve shekullorë që kanë ndërruar vetëm artizanët, njerëz të ulur mbi punën e tyre, duke prodhuar qeleshe, filigran, duke gdhendur dru apo duke thurur çorape.

Muzeu dhe Skënderbeu

Muzeu i Krujës është vazhdimisht plot, jo vetëm me grupe turistësh por edhe me individë, e nganjëherë edhe me nxënës shkollash. Ky qytet, i cili pavarësisht vuajtjeve ambientale, vazhdon të tërheqë mbi vete vëmendje, mund të jetë një nga qytetet turistike më të vizituar në Shqipëri, jo thjesht për faktin se ndodhet pranë kryeqytetit (vetëm 37 km larg), por edhe sepse ka aftësinë të zhvendosë në kohë, e të bën të ndihesh banor i një epoke tjetër.

Duke jetuar në mes të metropolit apo kudo qoftë, nuk mund të lësh pa vizituar një qytet, i cili në një rreze prej pak kilometrash, të bën të jetosh dy periudha të ndryshme kohe, Antikitetin e herët që flet përmes gurëve të mëdhenj të Albanopolisit dhe Mesjetën, e cila për shqiptarët ka falur jo pak lavdi e histori, sidomos në vitet e arta kur jetoi Skënderbeu – Gjergj Kastrioti.

U kthyem te Luli dhe porositëm mish qengji të pjekur në hell, perime zgare, verë të hapur vendi e në fund, Kabuni Kruje, duke i thënë me humor se jo të gjithë shqiptarët vijnë te “Alba” për për një picë në furrë druri, megjithëse nuk ka asgjë të keqe të vish edhe për këtë. Në Krujë mund të vish edhe për të shijuar panoramën mbresëlënëse që shijohet nga veranda e “Albës”, e që shkon deri poshtë në Adriatik, ku në kohë të kthjellët e më një dylbi në dorë, mund të dallosh edhe vijën ndarëse të horizontit, ose diellin e lodhur që zhytet në det për t’u freskuar e për të bërë gjumin e natës.

Traditat dhe kultura krutane

Kruja dallohet dhe për ekzistencën e një pazari karakteristik, me vlera të rralla në Ballkan. Ky pazar kulmin e ka patur në shek. XIX-XX, kur Kruja dallohet si qendër tregtaro-artizanale (në këtë kohë Kruja numëronte rreth 130 dyqane, ndërsa sot gjenden rreth 70 të tillë). Ky pazar dallohej për punimin e bakrit, leshit, argjendari, prodhimin e qelesheve etj.

Zona e Krujës dallohet për zhvillimin e zejeve të ndryshme si punimi i gurit(që duket në ndërtimin e banesave apo kalasë. Punimi dhe gdhendja e drurit që vazhdon  akoma dhe  sot në Krujë (kjo duket në dyert, dritaret, parmakët etj). Punimi i leshit dhe shajakut njihej që kohë më parë (dallohen prodhimi i sixhadeve, qilimave apo dhe qelesheve). Në shek. XIX-XX  kemi dhe përdorimin e pambukut në prodhimin e veshjeve për pajën (prikën) e vajzave. Po kështu mori zhvillim dhe qëndistaria, prodhimi i cohërave, tezgjahu etj.

Folklori,veshjet dhe festat në Krujë

Folklori i zonës së Krujës është shumë i pasur.Veçohen këngët e dasmave.Grupi karakteristik “Pleqtë e Krujës” (themeluar më 1956) vazhdon akoma dhe sot të marrë pjesë në festivalet kombëtare e ndërkombëtare. Po kështu dhe vallet janë të larmishme si psh. vallet e burrave që kanë karakter heroik dhe  valle grash me natyrë të gëzuar.

Për nga pikëpamja e veshjeve popullore dallojmë disa njësi etnografike.Veshja më e vjetër e burrave është ajo me këmishë të gjatë dhe me dollmë prej shajaku të bardhë. Në shek.XIX  kjo veshje u zëvendësua menga veshja me tirq të bardhë dhe xhokën e zezë. Një veshje e përdorur shumë është ajo e grave qytetare me linjë të gjatë dhe xhybe me gajtan të zi (xhybja e qëndisur me fije ari). Kjo veshje është përdorur  nëpër dasma në shek. XIX. Vendin e kësaj veshjeje do e zënë Dimitet (sidomos në dasma përdoreshin veshjet me dimit mermeri). Dimitet e grave krutane dallohen nga pëlhurat e mëndafshta që përdoren apo dhe për zbukurimin me fije ari apo rruaza të bardha që i bëhej këmishës dhe këmbëve të dimiteve (çitjan-siç thirrej nga gratë krutane).

Një pjesëmarrje të madhe ka në Krujë gjatë kremtimit të festave, sidomos atyre fetare si Kurban Bajrami, Bajrami i madh apo Sulltan Novruzi, kur njerëzit zakonisht zgjedhin si vend pelegrinazhi  teqenë e Sari-Salltikut që gjendet në Malin e Krujës. Origjinale në Krujë është ceremonia e përgatitjes dhe shprazjes së Hashures.

Përveç përgatitjes së Hashures, zona e Krujës dallohet dhe për një kuzhinë të pasur. Mes gjellëve karakteristike dallojmë pulën me harapash, fërgesën e gjizës me tavë dheu, byrekun, trahananë etj.

Periudha e Skënderbeut

Zona e Krujës u përfshi në zotërimet e Kastriotasve pikërisht nga i ati i Skënderbeut , Gjon Kastrioti. Gjergj Kastrioti, (Skënderbeu-emër që e mori në perandorinë Osmane), do rikthehet në Krujë pas betejës së Nishit (Nëntor 1443) dhe pas kuvendit të Lezhës (2 Mars 1444). Kruja do shërbejë sërish si qendër e Arbrit dhe në shek. XV Kruja do jetë në qendrën e vëmendjes së gjithë kombeve europiane që kërcënoheshin nga rreziku osman.

Tri herë e rrethuan osmanët Krujën (1450,1466,1467) me ushtri të mëdha. Në Krujë kanë ardhur dhe dy nga sulltanët më të fuqishëm të perandorisë osmane (sulltan Murati II dhe i biri i tij Mehmeti II), që në v.1453 kishte pushtuar dhe Kostandinopojën). Megjithatë kalaja e Krujës rezistoi dhe ra nën sundimin osman vetëm në v .1478 (10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut). Në shekujt e mëvonshëm do kemi një rënie të rëndësisë së zonës së Krujës, që u pasua dhe me një shpërngulje të madhe të popullsisë. Një farë zhvillimi Kruja do e marrë në shek. XIX-fillim shek.XX, kur do dallohet në fusha të ndryshme si në tregti apo zejtari.

Kalaja e Krujës

Kalaja gjendet në një kodër të gurtë , që mendohet se para tërmetit të v.1617 ka qenë e lidhur me malin e Krujës. Ka një pamje të gjerë që shkon deri në malin e Tomorit (jug), detin  Adriatik (perëndim) dhe deri në Ulqin (veri). Forma e kalasë është eliptike dhe sipërfaqja e saj është 2.25 Ha.Trashësia e mureve shkon nga 0.8 deri 1.5 m. Ndërtimi i kalasë daton në shek.VI-VII, duke u rindërtuar më pas nga bizantinët (shek.XI-XII) dhe osmanët në (shek.XVI-XVII).

Kështjella ka dy hyrje. Hyrja kryesore (nga veriu) është një tunel i gurtë me çati të harkuar dhe me disa bodrume. Ka dhe një hyrje të dytë shumë të vogël (në pjesën perëndimore të kalasë). Brenda territorit të kalasë ka shumë rrënoja dhe pjesë të mbetura të kalasë, ku më të rëndësishmet janë kulla e sahatit,  kisha e Shën Ndreut, xhamia e Fatihut, hamamet (banjot mesjetare), teqeja e Dollmës, banesa mesjetare etj. Në brendësi  të kalasë gjenden dy muze kombëtarë.

 

Venizelos sot vizitë në Beograd, nesër në Prishtinë

evangelos-venizelosMinistri i Jashtëm i Greqisë, Evanegelos Venizelos, arrin sot në Beograd si kryetar i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian. Në takim me zyrtarët e lartë të shtetit serb, ai do të bisedojë për përparimin e Serbisë në rrugën e integrimit evropian, për situatën në rajon dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Të mërkurën, Venizelos do të qëndrojë edhe në Prishtinë. Greqia, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, është njëri nga pesë vendet anëtare të bllokut që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Në kuadër të turneut rajonal, Venizelos do të qëndrojë edhe në Mal të Zi, Bosnjë, Maqedoni dhe Shqipëri.

Majko: Ambasadorët e NATO-s në Maj takim në Tiranë

Pandeli-Majko_1_3Deputeti socialist Pandeli Majko, ndërsa po merr pjesë në takimin e Komitetit të Çështjeve te sigurisë dhe te mbrojtjes në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ka konfirmuar se në Maj Tirana zyrtare do të mbajë takimin e tryezës së Ambasadorëve të NATO-s, ku do të marrë pjesë dhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës Euroatlantike, Andres Fogh Rasmussen.

“Në muajin maj në Shqipëri do të mbahet takimi i tryezës së Ambasadorëve dhe do marrë pjesë dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, dhe kjo është shenjë vlerësimi ndaj Shqipërisë. Është takim që është i zhveshur nga anët formale, është kornizë konsultative.

Në fokus janë çështjet më sensistive, si situata në Siri, Ukrainë, lufta kundër terrorizmit”,  tha kreu i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Pandeli Majko.

Itali, arrestohet 27 vjeçari shqiptar, kapet me kokainë

pranga-arrestimKapet me më shumë se 1 kilogramë kokainë një 27 vjecar shqiptar në Xhenova të Italisë i cili gjatë ditës ishte futbollist amator, ndërsa në darkë shiste kokainë për të paguar lojërat dhe pokerin, ndërsa frekuentonte edhe lokalet e modës.   Mësohet se i riu me inicialet M. L., bënte jetë të dyfishtë, por është vënë në pranga pas një hetimi të gjatë që kishte nisur pikërisht nga shpenzimet e shumta që bënte ai edhe pse ishte i papunë.

Gjatë aksionit të bërë mbrëmë, janë ndaluar edhe dy përdorues droge, italianë të moshave 33 dhe 53 vjeç, të cilëve u janë gjetur një sasi prej 10 gramësh. I riu shqiptar, pasi është vënë në pranga është dërguar në burgun e Marassit dhe është vënë në dispozicion të prokurorisë.

Trafikonin lëndë narkotike, shkatërrohet rrjeti shqiptar në Francë

policia francezePolicia e Clermont-Ferrand në provincën e Auvergne në qendër të Francës, pranë Lioni ka ndërmarrë një aksion kundër trafikimit të lëndëve narkotike, ndërsa në pranga janë vënë 6 shqiptarë të moshës 20-30 vjeç.

Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar 2.140 kg heroinë dhe 70 gramë kokainë. Vlera e rishitjes së  heroinës, kokainës dhe kanabisit arrinte në 115.000 €”.   Policia kishte identifikuar dy vëllezër shqiptarë si krerët e një “rrjeti trafiku që përbëhet pothuajse vetëm nga shqiptarët”.

Gjatë aksionit janë konfiskuar edhe tre automjete, duke përfshirë një lloj BMW 4 X 4. Policia e Francës vijon ende hetimet.

Naço prezanton Kodin e Proçedurës Administrative: Qëllimi, modernizimi i administratës

Nasip-NacoMinistri i Drejtësisë, Nasip Naço, prezantoi nismën e re për hartimin e Kodit të Proçedurës Administrative. Sipas tij qëllimi i këtij kodi mes të tjerash është lehtësimi i nëpunësve civil dhe modernizimi i administratës publike.

“Miratimi i kodit ishte një hap përpara për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve por ka prodhuar dhe mangësi. Këto ligje kanë nxitur fragmentarizimin e procedurës administrative.Hartimi i një ligji të ri të kodit të procedurës do të jetë edhe unifikim me ligjet aktuale. Një uniformitet që do të ulte koston administrative, përshpejtonte veprimet administrative dhe rriste efektivitetin.Këto janë arsyet që kanë shtyrë Ministrinë e Drejtësisë në këtë nismë ligjore hartuar edhe me mbështetjn e BE. Kjo vjen edhe në përputhje me unifikimin e ligjeve të tjera, si: statusi i nëpunësit civil, ligji për organizimin dhe funksionimin e organizatës shtetërore etj. Ligjet përbëjnë hap të rëndësishëmm në reformimin e sistemit gjyqësor në rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit. Ky ligj vjen si nevojë përafrimi me standardet e politikat në BE” tha ai.

Duke folur në tryezën e drejtësisë, Naço theksoi se administrata publike është dëmtuar nga inercia politike dhe çdo ndryshim politik ka sjellë ndryshime administrative dhe burokraci të tepruar. Naço bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë ka ftuar OSBE-në, delegacionin e BE-së, unionin e gjyqtarëve, Gjykatën Kushtetuese etj., për të paraqitur komente për projektligjin.

Ndërkaq Avokat i Popullit, Igli Totozani, tha se parimi i mirëqeverisjes duhet të udhëheqë punën e administratës publike gjate gjithë punës së saj dhe marrëdhënies me qytetarët.

“Ajo çfarë është e rëndësishme veç të tjerave, është që të kërkohet që ligji të zbatohet, në përballje të qytetarit me administratën publike, gjë që do të bënte të gëzonim një administratë publike të pavarur, që nuk do të ndryshonte sa herë që ndërrohen qeveritë”u shpreh ai.

E pranishme në këtë tryezë ishte edhe Albana Koçiu, drejtore e departamentit të Administratës. Ndërkaq të mërkurën do të organizohet edhe një konferencë tjetër, ku do të ketë të pranishëm teknicienë, që do të punojnë me procedurat administrative. Këto hapa mbyllin kështu proçedurat e filluara që në nëntor për kodin e procedurës administrative.

Vjenë, rinisin bisedimet bërthamore me Iranin

iran-nuclear-weapons-m-25169E ardhmja e programit bërthamor të Iranit dhe ekonomia e këtij vendi, do të jenë në tryezën e bisedimeve në Vjenë duke filluar sot, ndërkohë që qeveria e Teheranit fillon një fazë të re dhe të vështirë të negociatave me grupin P5+1. Këto bisedime pasojnë një marrëveshje të përkohshme të arritur vitin e kaluar e cila vuri kufizime mbi disa pjesë të programit bërthamor të Iranit.

Marrëveshja historike e arritur në nëntor të vitit të kaluar i ofroi Iranit lehtësimin e një pjese të vogël të sanksioneve në këmbim të kufizimit të disa aspekteve më shqetësuese të programit të tij bërthamor.

Por ky ishte vetëm një hap i përkohshëm, i parashikuar të zgjasë gjashtë muaj ose një vit, për t’i dhënë mundësi negociatave për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mbi programin bërthamor të Teherani në shkëmbim të heqjes së të gjitha sanksioneve ndërkombëtare të cilat e kanë dëmtuar rëndë ekonominë e këtij vendi.

Ky proces fillon sot në Vjenë, ku negociatorët iranianë do të bisedojnë me zyrtarë nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë, të udhëhequr nga shefja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme.

Ekspertët thonë se kjo do të jetë një përpjekje e gjatë dhe më e vështirë se bisedimet e vitit të kaluar. Për heqjen e plotë të sanksioneve, Irani do të duhet të bie dakord për kufizime të thella dhe të përhershme në programin e tij bërthamor për të garantuar se Teherani nuk është në gjendje të prodhojë një bombë bërthamore.

Irani thotë se nuk dëshiron të prodhojë armë bërthamore, por Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dhe ekspertët bërthamorë, janë të shqetësuar se disa aspekte të programit të Teherani e kanë sjellë atë afër ndërtimit të aftësive për prodhimin e armëve bërthamore.

Eksperti i politikave bërthamore Mark Hibbs i organizatës Carnegie për Paqen Ndërkombëtare, thotë se çështja kyçe është nëse udhëheqësit kryesorë të Iranit do të pranojnë kufizime të tilla mbi një program që ata e kanë bërë një element kyç të krenarisë kombëtare të Iranit, duke mohuar lidhjen e tij me armët bërthamore.

“Pengesa më e madhe mund të jetë shkalla në të cilën iranianët janë të gatshëm të zbulojnë aspekte të ndjeshme të programit të tyre bërthamor, që tregojnë studimet që ata kanë bërë për zhvillimin e armëve bërthamore.”

Përveç kësaj, ka shumë çështje të tjera teknike në lidhje me pasurimin e uraniumit dhe prodhimin e plutoniumit, si dhe aftësive të objekteve të ndryshme. Nga ana tjetër, ekziston një numër sanksionesh komplekse ndërkombëtare dhe bilaterale ndaj Iranit nga disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar i lartë amerikan tha dje se bisedimet do të jenë të “komplikuara, të vështira dhe të gjata”. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, bëri thirrje për bisedime serioze dhe të përqëndruara, dhe tha se shanset e tyre të dështimit apo suksesit janë pothuaj të barabarta.

Tani për tani, pritjet janë të ulëta. Por zyrtari amerikan vuri në dukje se deri tani zbatimi i marrëveshjes së përkohshme është duke shkuar mirë, duke shtuar se tani takimet, komunikimet me telefonë dhe email mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre iranianë janë rutinë. Ai tha se kjo është një atmosferë tërësisht e re krahasuar me muajt e mëparshëm.

Halimi për furgonat: Rama po tenton monopolin, duhet ta ndalim

Eduard-Halimi_1Ish-Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, akuzon kryeministrin Edi Rama se po tenton ta shndërrojë në monopol për qëllime të tij klienteliste transportin urban. Përmes rrjetit social fb, Halimi shprehet se nëse Kryeministri nuk ndalet nga shqiptarët, do të çojë për skrap 21.000 furgonat dhe milionat e atyre 21.000 familjeve qe mbajne femijet e tyre me ate pune.

“Rama eshte konfuz dhe i paqarte sa here flet per ekonomine, rendin, mjekesine. Por eshte shume i qarte ne disa ushtrime qe i ka bere qe kur mori bashkine e Tiranes. Te paren gje qe beri kur u be kryetar ishte te rregullonte zyren e tij dhe fasaden e bashkise. Sa u be Kryeminister te paren gje qe beri ishte zyra dhe fasada e KM.Te dyten gje qe beri sa u be kryetar bashkie ishte rrafshimi i lokaleve dhe shtepive me fadroma dhe matrapik çdo dite deri sa iku. Te njejten gje beri me tritol sapo u be Kryeminister.Kushdo qe ka dyshim nese ushtrimi me furgonet eshte ide e Rames apo Ministrave qe dalin ne emer te tij, dhe nese ka dyshim se Rama e ka jo seriozisht çeshtjen e furgonave, duhet te kujtoje si u soll me furgonat ne Tirane kur ishte kryetar Bashkie dhe se kush i mori monopolin e tyre? Eshte ushtrim qe e ka bere kur ishte kryetar Bashkie dhe per te treja keto Rama nuk eshte konfuz por shume i qarte! Nese nuk e ndalin, ai nuk do ndalet per ti zhdukur nga faqja e dheut 21.000 furgonat ne Shqiperi dhe ti çoje per skrap milionat e atyre 21.000 familjeve qe mbajne femijet e tyre me ate pune. Prisni..asgje nuk kemi pare akoma..nese nuk e ndalim..”shkruan Halimi.

Në Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër, Berat, Vlorë, Fier, Burrel, shoferët e furgonave kanë vijuar protestën kundër vendimit të Edi Ramës për të bllokuar transportin nëpërmjet furgonave taxi 8+1. Në Elbasan, drejtuesit e furgonëve kanë përshkallëzuar protestën, duke bllokuar korsinë që të çon për në Tiranë në aksin Elbasan-Tiranë.

Opozita ka kërkuar seancë dëgjimore, në lidhje me ndalimin e qarkullimit të furgonëve. Ka qenë deputeti Dashamir Tahiri, i cili ka kërkuar raportim të ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Sipas Tahirit, vendimi i qeverisë ka lënë në mëshirë të fatit me qindra familje.

Rrëmbehet avioni etiopian

Par7795235Një avion i Ethiopian Airlines, i nisur nga Adis Abeba për në Romë, bëri ulje të detyruar në Gjenevë të Zvicrës, veprim ky i parë fillimisht me çudi, vetëm për t’u zbuluar më pas se bëhej fjalë për një rrëmbim.

Autori i gjestit ekstrem ishte piloti i dytë i mjetit, i cili siç shpjegoi më pas për policinë, kishte pritur deri sa piloti kishte lëvizur nga kabina e më pas qe mbyllur brenda.

Arsyeja e veprimit të tij ishte pretendimi për azil në Zvicër. Në vend të kësaj, gjithë çfarë ka marrë kanë qenë hekurat e qelisë.

Linja ajrore sqaroi në një deklaratë të saj se 202 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit në bordin e avionit janë të gjithë shëndoshë e mirë. Incidenti detyroi mbylljen e përkohshme të aeroportit të Gjenevës. Piloti i arrestuar ishte i datëlindjes 1983. Ai pretendon se e kërkonte dëshpërimisht azilin për shkak të frikës së persekutimit në Etiopi.

31-vjeçari nuk ishte i armatosur e për asnjë moment nuk ka përbërë rrezik për ekuipazhin apo pasagjerët. Madje, situata ka qenë aq e qetë sa ata vetë nuk kanë mësuar gjë për rrëmbimin deri në momentin e mbërritjes së forcave të policisë, të njoftuara nga piloti kryesor i avionit.