Naço prezanton Kodin e Proçedurës Administrative: Qëllimi, modernizimi i administratës

46

Nasip-NacoMinistri i Drejtësisë, Nasip Naço, prezantoi nismën e re për hartimin e Kodit të Proçedurës Administrative. Sipas tij qëllimi i këtij kodi mes të tjerash është lehtësimi i nëpunësve civil dhe modernizimi i administratës publike.

“Miratimi i kodit ishte një hap përpara për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve por ka prodhuar dhe mangësi. Këto ligje kanë nxitur fragmentarizimin e procedurës administrative.Hartimi i një ligji të ri të kodit të procedurës do të jetë edhe unifikim me ligjet aktuale. Një uniformitet që do të ulte koston administrative, përshpejtonte veprimet administrative dhe rriste efektivitetin.Këto janë arsyet që kanë shtyrë Ministrinë e Drejtësisë në këtë nismë ligjore hartuar edhe me mbështetjn e BE. Kjo vjen edhe në përputhje me unifikimin e ligjeve të tjera, si: statusi i nëpunësit civil, ligji për organizimin dhe funksionimin e organizatës shtetërore etj. Ligjet përbëjnë hap të rëndësishëmm në reformimin e sistemit gjyqësor në rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit. Ky ligj vjen si nevojë përafrimi me standardet e politikat në BE” tha ai.

Duke folur në tryezën e drejtësisë, Naço theksoi se administrata publike është dëmtuar nga inercia politike dhe çdo ndryshim politik ka sjellë ndryshime administrative dhe burokraci të tepruar. Naço bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë ka ftuar OSBE-në, delegacionin e BE-së, unionin e gjyqtarëve, Gjykatën Kushtetuese etj., për të paraqitur komente për projektligjin.

Ndërkaq Avokat i Popullit, Igli Totozani, tha se parimi i mirëqeverisjes duhet të udhëheqë punën e administratës publike gjate gjithë punës së saj dhe marrëdhënies me qytetarët.

“Ajo çfarë është e rëndësishme veç të tjerave, është që të kërkohet që ligji të zbatohet, në përballje të qytetarit me administratën publike, gjë që do të bënte të gëzonim një administratë publike të pavarur, që nuk do të ndryshonte sa herë që ndërrohen qeveritë”u shpreh ai.

E pranishme në këtë tryezë ishte edhe Albana Koçiu, drejtore e departamentit të Administratës. Ndërkaq të mërkurën do të organizohet edhe një konferencë tjetër, ku do të ketë të pranishëm teknicienë, që do të punojnë me procedurat administrative. Këto hapa mbyllin kështu proçedurat e filluara që në nëntor për kodin e procedurës administrative.