Malajzia, një vend unik i Azisë

Share This
Tags
malajzia_nje_vend_unik_i_aziseNuk ka dyshim se e tërë bota është një univers unik, por në të ka disa rajone që janë ku e ku më unike se pjesa tjetër. Pa diskutim midis tyre është Malajzia. Brenda shoqërisë malaje ekziston një mozaik i ndërthurjes multikulturore, multiracore dhe multifetare, që e bën Malajzinë unike në Azi, nëse jo edhe në botë, në përgjithësi.
Kjo përmbledh grupet vijuese të popullsisë: malajzianët, kinezët, indianët, euro-aziatikët (duke përfshirë arabët hadrami, hollandezët dhe portugezët) dhe grupet indigjene të Gadishullit dhe të Borneos Veriore (si ibanët, bidajuhnët dhe kadazandusunët).

Qytetet më të mëdha, industria e rëndë dhe grupet emigrante të Malajzisë janë të përqendruara kryesisht në bregun perëndimor të vendit, ndërsa bregu lindor është më pak i populluar, më agrar, e nga pikëpamja demografike më malajas. Kryeqyteti është në qendrën e vjetër minerare të kallajit të Kuala Lumpurit, por gjatë viteve të para të dekadës së fundit ndodhi zhvendosja e tij në periferi, në Kuala Lumpurin e ri, pra, në Putraxhaja.

Pasqyrimi i përgjithshëm

Statistikat demografike më të rëndësishme malaje janë ato të etnicitetit, me anë të të cilave gati 52% klasifikohen si malajzianë, 24% me prejardhje kineze, 8% me prejardhje indiane, dhe 16% si indigjenë e të tjerë. Në lidhje me fenë, shifrat flasin për 61% myslimanë, 20% budistë, 9% krishterë, 7% hinduistë, 2% konfucianë, taoistë e të besimeve të tjera tradicionale kineze dhe 1% të besimeve të panjohura apo të asnjë besimi.

Numri i përgjithshëm i popullsisë llogaritet të jetë pothuajse 27 milionë. Këto shifra të popullsisë kanë një vend të rëndësishëm në historinë e gadishullit, sepse Malajzia u krijua si shtet duke e pasur parasysh demografinë.

Malezishtja u bë gjuha e vetme kombëtare në vitin 1967. Ajo është e institucionalizuar me një shkallë modeste suksesi, ndonëse anglishtja flitet po ashtu gjerësisht, për shkak se ishte gjuha administrative e kolonizatorëve britanikë. Krahas malezishtes dhe anglishtes janë popullore dhe gjuhë të tjera.

Për shembull, shumë malajzianë kinezë flasin një kombinim të kantonishtes, hokkienishtes dhe/ose të mandarinishtes, shumica e malajzianëve indianë flasin tamilisht dhe një numër i madh gjuhësh lulëzojnë midis grupeve autoktone në Gadishull, veçanërisht në shtetet lindore të Saravakut dhe Sabahut.

Malajzianët, duke patur parasysh heterogjenitetin gjuhësor të vendit të tyre, janë shumë të aftë në mësimin e gjuhëve, andaj për ta njohja e shumë gjuhëve është diçka e zakonshme. Megjithatë industrializimi i shpejtë e ka konfirmuar rëndësinë e anglishtes dhe e ka çimentuar atë si gjuhë të biznesit.

Identiteti i Malajzisë

Mbreti, breshka e detit, lulja Bungu raja (hibisku kinez ose trëndafili kinez), makina e vendit “Proton”, kompania e transportit ajror “Malaysia Airlines”, kullat e famshme “Petronas Tower” (që janë ndërtesat më të larta të botës) dhe slogani qeveritar, “Malaysia Boleh!” (Malajzia Mundet!), janë disa nga imazhet më emblematike të Malajzisë.

Ndërkaq larmia etnike e Malajzisë konsiderohet përgjithësisht një bekim. Përzierja e bën Malajzinë një nga vendet më kozmopolitane në tokë, ndërsa ndihmon në mbajtjen gjallë të marrëdhënieve ndërkombëtare me shumë shoqëri të përfaqësuara në Malajzi, me arkipelagun indonezian, me botën islame, me Indinë, Kinën dhe Europën.

Kjo larmi e ka bekuar gjithashtu vendin me një nga kuzhinat më të pakrahasueshme në botë dhe përbërësit e gatimit malaj, kinez, indian, arab dhe, pjesërisht, europian janë njëkohësisht të veçuar e të shkrirë bashkë.

Ekonomia

Malajzia është integruar me kohë në ekonominë globale. Gadishulli i Malajzisë ishte lideri botëror në prodhimin e kallajit (nxitur nga kërkesa perëndimore për ushqim të konservuar) dhe të kauçukut natyror (të nevojitur për të prodhuar gomat e makinave) gjatë dekadave të para të shekullit të njëzetë. Ekspansioni i industrializimit të Malajzisë e thelloi varësinë e saj nga importet për ushqim dhe nevoja të tjera.

Nevojat bazë në Malajzi kanë çmime të palëvizshme dhe, si shumë vende në zhvillim, shërbimi bankar, shitja me pakica dhe shërbime të tjera janë të rregulluara e të disiplinuara në imtësi. Tregtia e vendit është e lidhur me etnicitetin dhe angazhimi i qeverisë i ka ndihmuar malajzianët të rivalizojnë në aktivitete tregtare të dominuara për shumë kohë nga kinezët etnikë.

Liberalizimi i biznesit dhe financave vazhdon duke pasur parasysh këto dinamika etnike. Bumi dhe fiaskoja në mallrat kryesorë, të tillë si kauçuku dhe kallaji, i kanë dhënë shoqërisë malaje një ritëm ciklik, të lidhur me kërkesën e jashtme të paqëndrueshme. Qeveria filloi t’i japë larmi ekonomisë në vitet ’70 (e ndihmuar nga një rritje në eksportet e naftës) dhe Malajzia tani është një vend industrial i qëndrueshëm.

Pozita e spikatur e Malajzisë në ekonominë globale, si një nga njëzet vendet më të mëdha tregtare, është pjesë e rëndësishme e identitetit të saj si shoqëri. Partnerët kryesorë tregtarë përfshijnë Japoninë, Singaporin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Malajzia importon pjesë industriale dhe eksporton prodhime të gatshme.

Artikuj të rëndësishëm janë vaji i palmës, kauçuku, drurët e fortë tropikalë dhe produktet e naftës. Makinat luksoze, telefoni celular, bizhuteritë prej ari dhe veshjet e modës tregojnë rangun e lartë në rendin shoqëror malajzian. Sot Kuala Lumpuri ka më shumë automjete se njerëz.

Sistemi politik

Malajzia, duke qenë monarki konstitucionale, është e drejtuar formalisht nga mbreti, posti i të cilit sillet rrotull çdo pesë vjet midis nëntë sundimtarëve malajzianë trashëgimtarë. Mbreti zgjedh kryeministrin nga koalicioni udhëheqës në parlament, një organ i ndarë më tej në përfaqësuesit e zgjedhur dhe senatorët e emëruar. Zgjedhjet e përgjithshme malaje janë fituar që nga pavarësia prej një koalicioni të partive politike me baza etnike/racore.

Ky koalicion, i njohur së pari si Aleanca, e më vonë si Fronti Kombëtar, është i dominuar nga Organizata Kombëtare e Malajzianëve të Bashkuar (UMNO), një parti e përbërë nga malajzianë të moderuar. Presidenti i UMNO-s është bërë gjithmonë kryeministër i Malajzisë.

Ëndrra e krijimit të një Malajzie të pasur, paraqitur nga ish-kryeministri, Dr. Mahathir Muhammed, vazhdon edhe sot me planin e qeverisë të vitit 1991 të quajtur “Vizioni 2020”, i cili planifikon që në vitin 2020 vendi të jetë “plotësisht i zhvilluar”. Ky vizion i ri e mbështet besimin në teknologjinë e lartë dhe në zhvillimin e një shoqërie më të unifikuar.

Arsimi

Në Malajzi arsimi i lartë është pjesë jetike e jetës, ndonëse shkollat me më shumë ndikim në shoqëri gjenden jashtë vendit. Qindra e mijëra studentë janë arsimuar në Britani, Australi, në vendet e Lindjes së Mesme dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përvoja e lënies së Malajzisë për t’u arsimuar jashtë është një ritual i rëndësishëm për shumë njerëz të elitës.

Shkencëtarët malajzianë kanë dhënë kontribut të madh në kërkimet mbi kauçukun dhe vajin e palmës dhe kjo punë do të vazhdojë me gjasa ta rrisë prodhimtarinë e këtyre sektorëve.

Me gjithë mbikëqyrjen e qeverisë, kërkimet shkencore humane dhe shoqërore po rriten me studimin akademik kritik dhe konstruktiv, ndonëse disa akademikë janë krejtësisht të hapur dhe kanë prestigj të konsiderueshëm në shoqëri. Kjo është bërë kryesisht përmes dy universiteteve të famshme: Universitetit Islamik Ndërkombëtar të Malajzisë dhe Universitetit të Malajzisë.

Religjioni

Feja është e lidhur fort me etnicitetin, ku dallojnë malajzianët myslimanë, indianët hinduistë dhe kinezët budistë. Prania e një larmie të tillë e shton rëndësinë e identitetit fetar, andaj shumica e malajzianëve kanë një ndjenjë të fortë të asaj se si praktika e tyre fetare dallon nga ajo e të tjerëve (prandaj një i krishterë malajzian identifikohet gjithashtu si një jomysliman).

Festat fetare, veçanërisht ato të kremtuara me pritje e përcjellje, i bashkojnë më tepër përvojat ndërfetare të popullsisë. Tensioni midis bashkësive fetare është modest.

Ja edhe disa tradita interesante malaje:

– Nëse je i ftuar në shtëpinë e ndonjë malajziani për drekë ose për darkë, dërgoji të zonjës së shtëpisë pasta ose çokollatë të cilësisë së mirë, por kurrë mos i dhuroni pije alkoolike.

– Shmanguni prej përdorimit të letrës së bardhë të ambalazhit, sepse ajo simbolizon vdekjen dhe zinë

– Shmanguni prej përdorimit të letrës së ambalazhit me ngjyrë të verdhë, sepse ajo është ngjyra e familjes mbretërore;

– Dhuratat i jepni vetëm me dorën e djathtë ose me të dyja duart nëse artikulli është i madh

– Mos manifestoni zemërim në publik, sepse kjo i bezdis malajzianët dhe krijon një ndjenjë pafuqie. Nëse jeni i qetë, ka shumë më tepër mundësi ta arrini rezultatin e pritur, ndërsa pak mund të arrihet me zhurmë. /Y.P

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>