Rrëmbehet avioni etiopian

45

Par7795235Një avion i Ethiopian Airlines, i nisur nga Adis Abeba për në Romë, bëri ulje të detyruar në Gjenevë të Zvicrës, veprim ky i parë fillimisht me çudi, vetëm për t’u zbuluar më pas se bëhej fjalë për një rrëmbim.

Autori i gjestit ekstrem ishte piloti i dytë i mjetit, i cili siç shpjegoi më pas për policinë, kishte pritur deri sa piloti kishte lëvizur nga kabina e më pas qe mbyllur brenda.

Arsyeja e veprimit të tij ishte pretendimi për azil në Zvicër. Në vend të kësaj, gjithë çfarë ka marrë kanë qenë hekurat e qelisë.

Linja ajrore sqaroi në një deklaratë të saj se 202 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit në bordin e avionit janë të gjithë shëndoshë e mirë. Incidenti detyroi mbylljen e përkohshme të aeroportit të Gjenevës. Piloti i arrestuar ishte i datëlindjes 1983. Ai pretendon se e kërkonte dëshpërimisht azilin për shkak të frikës së persekutimit në Etiopi.

31-vjeçari nuk ishte i armatosur e për asnjë moment nuk ka përbërë rrezik për ekuipazhin apo pasagjerët. Madje, situata ka qenë aq e qetë sa ata vetë nuk kanë mësuar gjë për rrëmbimin deri në momentin e mbërritjes së forcave të policisë, të njoftuara nga piloti kryesor i avionit.