Dueli Clinton-Bush

hillary bushKur Bushët dhe Clintonët të kenë mbaruar, ata do i kenë bërë Tudorët dhe Plantagenetët të duken si “kalimtarë të rastit”.

Përpara se këto dy familje të kenë hequr mbërthimin që i kanë bërë sistemit elektoral amerikan, do të na duhet të shohim mbesën e Chelseat, tek mund të në zgjedhje nipin e George P., Prescott Walker Bush. Barak Obama, që dikur ëndërronte të ishte një president transformues, do të rezultojë thjeshtë një “lemzë” në histori, ai politikani i përkohshëm që thjeshtë ofroi një periudhë të vogël pushimi, teksa Hillary dhe Jeb përgatiteshin për garë.

Zgjedhjet për president supozohet që të na bëjnë të ndihemi të rinj dhe të ngazëllyer, sikur të jemi drejt një fillimi të ri. Kështu ndodhi me JFK dhe Obamën dhe, ndonëse po mbushte 70 vjec kur po merrte detyrën, edhe me Ronald Reaganin. Por sot, një tjetër garë Bush-Clinton na bën të ndihemi të lodhur.

Shoqëria jonë meritokratike duket gjithnjë e më shumë nepotike dhe dinastike. Ka 32 vite rresht që në Shtëpinë e Bardhë ka patur një Bush apo një Clinton. Michael Crowley i Time kishte shkruajtur në Twitter të premten: “Cili prej jush mezi po pret për 10 vite të tjerë, të dhënë pas të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes së Hillary-së?” Clintonët nuk munden. Ata thjeshtë shtyhen në kohë.

Ashtu si Hillary bën gati terrenin në Partinë Demokratikë, nëse do të jetë mirë me shëndet dhe do të kandidojë, një prej donatorëve të mëdhenj të Romney-t tha për Uashington Post se “nëse Jeb Bushi është në garë, edhe ai e pastron fushën për vete”. Të hënën, Jeb Bush, kur iu kërkua të komentojë thënien e mamasë së tij se “nëse ne amerikanët nuk gjejmë më shumë se dy-tre familje për të garuar për president, ky është budallallëk”, u përgjigj: “për mua, ky nuk është problem”. Dhe shtoi: “Është një gjë që, nëse kandidoj, do të më duhet ta kapërcej. E njëjta gjë dhe për Hillary-në. Le të kemi të njëjtët standarde, për të gjithë”.

Kemi mbërritur në një botë të re të teknologjisë së shekullit 21, ku robotët po bëhen më të mencur se qeniet njerëzore. Megjithatë, politikisht vazhdojmë të udhëtojmë drejt të kaluarës.

Kur Clintonët humbën përballë Obamës, ata thjeshtë e shndërruan presidencën Obama në favor të tyre. Jim Messina, menaxheri i fushatës së Obamës në 2012, si dhe disa të tjerë që punuan për Obamën, tani po ndihmojnë Hillary-në. Dhe Bill po shfaqet si kryemenaxheri i fushatës, duke u përpjekur të mbajë sa më të shkëlqyeshëm dhe joshës emrin Clinton në 2014.

Dokumentet e reja që dolën të premten, në lidhje me kohën kur Hillary ishte Zonjë e Parë janë shumë domethënës. Ka pako me këshilla se si të orientonte reformën për Shëndetësinë, të cilat duhet të kenë mbushur dosjet e famshme të kartonit që Hillary mbante gjithmonë me vete. Por a i përthithi ajo mësimet, duke parë që reforma shëndetësore dështoi pikërisht për arsye se ajo refuzoi të ishte fleksibël si dhe të bënte kompromiset e nevojshëm që sugjeronin bashkëshorti dhe aleatët? Ajo është gjithmonë në seanca dëgjimi, por a mban vesh? Një prej këshilltarëve për reformën shëndetësore, sipas dokumenteve, i pati sugjeruar: “Duhet të dukemi sikur po dëgjojmë”.

Ashtu si kujtimet e mikeshës së ndjerë të Hillary-së, Diane Blair, një politologe në Universitetin e Arkansasit, edhe dokumentet e rinj tregojnë se sa të kokolepsura ishin jetët publike dhe private të Clintonëve në Shtëpinë e Bardhë. Në një memo të vitit 1995, Lisa Caputo, sekretarja për median e Zonjës së Parë, sheh një shans për fushatën e ardhshme për rizgjedhjen e Clintonit, duke organizuar “një festë të madhe” për përvjetorin e 20 të martesës së Clintonëve. “Mund t’i ofrojmë revistës People një seri të mrekullueshme fotografish nga festa, bashkë me fotografi të vjetra të muajit të tyre të mjaltit si dhe momenteve më specialë të çiftit në 20 vitet e fundit”, shkruante Caputo.

Të dy palët e dokumenteve nxjerrin edhe një herë zbuluar përpjekjet e kahershme herkuliane se si i duhet prezantuar Hillary publikut dhe botës, si të shndërrohet modeli i saj i flokëve dhe karakteri i saj, në një imazh autentik. “Kujdesu që të dukesh e vërtetë”, i shkruante Hillary-së, Mandy Grunvald, këshilltar për median, përpara një dreke që do të hante me disa fermerë në Nju Jork. “E bëre mirë tek intervista për “Rather”, aty ku pranove që, sigurisht që viti i kaluar ishte i vështirë. Pasi bie dakord me gazetarët për një realitet të tillë, kjo të krijon hapësirë që pastaj të thuash çfarë të duash”. Grunvald e këshillon Zonjën e Parë që të “shikojë për mundësi për të bërë humor, dhe të mos shfaqet në vetëmbrojtje”. E vështirë të kuptosh përse duhen gjithë këto përllogaritje për “t’u dukur e vërtetë”, ashtu sikurse është e vërtetë të kuptosh se si Hillary kalon me lehtësi nga pozicione feministë, në pozicione jofeministë.

Në dokumentet e Blair, këndvështrimi privat që Hillary kishte për çështjen Levinski i afrohej shumë arsyetimit të çalë që ofronte Billi dhe miqtë e tij.

“Hillary Rodham Clinton këmbëngul, pavarësisht se çfarë thonë njerëzit”, thoshte Blair, pasi kish biseduar me të në telefon, “se ishte një sjellje e shpifur dhe e papërshtatshme, por ishte konsensuale (nuk ishte një marrëdhënie prej pushtetit) dhe nuk ishte seks me ndonjë kuptimin e vërtetë të fjalës (ngrihu, ulu, oral etj)”.

Presidenti që ia dridhte me një punonjëse 22-vjecare të Shtëpisë së Bardhë “nuk ishte një marrëdhënie pushteti”, dhe disa lloje seksi nuk quhen?

Ashtu si aleatët e saj, Sidney Blumenthal dhe Charlie Rangel, Hillary e përshkruan dashnoren e të shoqit si një erotomaniake. Pak e çmendur, pak si kuckë. “Ishte gabim”, shkruan Blair. “Por ajo thotë se nuk duhet mohuar që Billi u përpoq ta ndërpresë, të largohet, u përpoq të menaxhojë me kujdes një femër narciziste të cmendur. Por, ishte përtej kontrollit të tij”.

Kaskada e dokumentave, risjell në kujtesë grindjet stresuese të Hillary-së. Me të shoqin, median, Kongresin dhe Komplotin e Madh të të djathtës. Dhe të kujton problemin e saj, që është kaq shqetësues dhe i vështirë për t’u kuptuar. Ajo është një grua shumë e ndërlikuar, që ka dy anë. Është shërbyesja publike e palodhur dhe e talentuar. Dhë është luftëtarja e lodhur që mund të jetë e pasigurtë dhe në vetëmbrojtje, dikush që është kapur pas një mentaliteti bunkeri, kur do t’i kish dalë më mirë nëse do të kish hequr dorë nga kruspullimi vetëmbrojtës.

Tek bisedonte me shoqen e saj, Blair, Hillary kish shumë fjalë të ndyra për të thënë për “kundërshtarët” e saj në media dhe në Partinë Republikane.

Blair thoshte se Hillary ishte e tërbuar edhe me Billin, që “shkatërroi veten dhe presidencën në vitin 1994”. Dikur, në 1993, Hillary ka thënë se shtypi “ka ego të madhe por nuk ka tru”. Në fakt, kjo flet më shumë për betejat e saj titanike dhe për plagët që i kanë lënë.

Ajo ka kaluar kaq shumë kohë në kërkim të identitetit të duhur, duke dëgjuar të tjerët t’i thonë se kush duhet të jetë, duke i rezistuar ose ndjekur këshillat për të qenë “e vërtetë”, saqë na ka lënë ne, edhe sot, me të njëjtën pyetje që kishim kur u shfaq në skenë në vitin 1992: Cila është Hillary Clinton? /bota.al/

Sensibilizim për shmangien e aksidenteve rrugore

policia-rrugore (1)Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka planifikuar masa konkrete për përmirësimin e parametrave të qarkullimit rrugor në Tiranë. Sipas një grafiku të miratuar, ka filluar në teori në shkollat 9-vjeçare, sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi i nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në gjithë Tiranën për respektimin e rregullave në fushën e qarkullimit rrugor.

Ditën e sotme, krahas sensibilizimin teorik është bërë edhe vendosja e nxënësve pranë punonjësve të policisë rrugorë të veshur me jelek të qarkullimit si dhe të qyetarëve vullnetar në këtë fushatë ndërgjegjësimi.

Në ditët në vijim kjo iniciativë do të vazhdojë me nxënës shkollash, qytetar vullnetar dhe punonjës të qarkullimit rrugor, të cilët do të vendosen  në afërsi të kryqëzimeve të shkollave përkatëse, për sensibilizimin e ndërgjegjësimin qytetar dhe për respektimin e rregullave në fushën e qarkullimit rrugor.

Nisma të tilla të policimit, po shtrihet në rritjen e bashkëpunimit, edukimit, sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit të nxënësve në veçanti qytetarëve, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe respektimin e rregullave në fushën e qarkullimit rrugor.

Cana: Goli ishte reagim instiktiv

canaLorik Cana është heroi më i ri i Lazios. Futbollisti kosovar i dhuroi një fitore të rëndësishme dhe tre pikë ekipit të tij, në transfertën e vështirë në Firenze, ndaj  Fiorentinës. Futbollisti shqiptar shënoi një gol spektakolar në stilin “gërshërë” dhe u bë njeriu i ndeshjes, kur askush s’e priste.

“Në rastin e golit kam reaguar me një instikt të pastër. Në ato situata nuk mund të mendosh shumë”, ka thënë 30 vjeçari pas ndeshjes.

Ai  iu gëzua më shumë fitores së arritur, e cila e ngriti ekipin bardheklatër në vendin e tetë në tabelë me 38 pikë të grumbulluara.

“Kjo fitore na mundëson të shkojmë përpara në rrugëtimin tonë në kampionat. E kishim përballë një skuadër të fortë, por ishim të përqëndruar si duhet gjatë ndeshjes. Kur je në avantazh duhet të qëndrosh i vëmendshëm pasi një kundërshtar si Fiorentina mund të të ndëshkojë. Kemi ende nevojë për shumë përmirësime, pasi në momente të tilla të lojës duhet të synojmë të shënojmë edhe një tjetër gol”, tha futbollisti nga Gjakova.

Ndërsa Cana luajti titullar në Artemio Franchi, portieri kosovar, Etrit Berisha, përfundoi edhe në këtë ndeshje në bankinë, pasi trajneri Edy Reja preferoi më shumë portierin Federico Marchetti.

Të gjithë sytë tek Kim Kardashian

kardashianTre motrat Kardashian morën pjesë në festën e Elton Xhon për financimin e Oskar, në Parkun Sunday në West Hollywood.

Khloe dhe Kim kishin tentuar të vishnin fustane dramatikë, ndërsa motra e tyre më e madhe Kourtney u shfaq me një fustan të zi, të frymëzuar nga stili burrëror. 29-vjeçarja Khloe dukej shumë joshëse në fustanin e saj prej kamoshi, me kaçurrela të mëdha dhe me një buzëkuq të errët. Kourtney, motra 34-vjeçare dukej superelegante me xhaketën e saj me temina, këmishën e bardhë dhe pantallonat e ngushta. Ndërsa Kim e ngriti temperaturën me fustanin e saj të kuq, të hapur në pjesën e gjoksit dhe me një hapje voluminoze në pjesën e poshtme. Fustani ishte stiluar nga Celia Kritharioti, një stiliste që e di padyshim se çfarë vlen në tapetin e kuq.

Yjet e serialit “Të rejat nga Kardashian” (“Keeping up with the Kardashians”) u bashkuan me nënën e tyre Kris Jenner dhe partnerin e Kourtney prej nëntë vjetësh, Scott Disick.

Andon Mëhillaj pranon: Unë e porosita eleminimin e Sokol Veizajt

andon-mehillaj-ne-gjykateAndon Mëhillaj,ndërmjetësi dhe punëdhënësi për vrasësin Julian Sinanaj pranon se është porositësi për të paktën një nga vrasjet e kryera nga 31-vjeçari. Në seancen e marrjeve në pyetje Mëhillaj ka pranuar se është ai pas vrasjes së peshkatarit Sokol Veizaj, ngjarje kjo e ndodhur në gushtin e vitit 2012 në Orikum.

Ndërmjetësi Mëhillaj është dorëzuar përpara fakteve të prokurorëve të Krimeve të Rënda, duke u justifikuar se Veizaj i kishte zaptuar pronën duke ndërtuar edhe një shtëpi aty. Ai ka vazhduar me tej, se me peshkatarin Veizaj nuk mund të negociohej pasi ai ishte një person me preçedent penal dhe figurë e njohur në zonë në vitin famëkeq 1997.

Por ajo që ka ndikuar më shumë në deklaratat e 41-vjeçarit është përballja me dy të penduarit e drejtësisë, tashme vrasësin Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona, të cilët kanë deklaruar se punëdhënësi i tyre është Andon Mëhillaj.

Por ajo çka nuk ka pranuar Andon Mëhillaj, është porosia për vrasjen e biznesmenit Agron Çela, ngjarje kjo e ndodhur në Vlorë. Në sitën e grupit hetimor priten të kalojë edhe komunikimi elektronik mes Sinanaj dhe Mëhillajve, pasi nën akuzë është edhe kushuriri i Andonit, Genis Mëhillaj i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare.

Sipas akuzës çdo veprim dhe komunikim kryehej me anë të emailit. Një bllok i sekuestruar nga hetuesit i cili i përket vrasësit Sinanaj, ka zbardhur mjaft detaje të reja. Aty killeri shenonte targa makinash,numra celulari , e-maile të ndryshme si dhe përshtypje të njerëzve që ai takonte apo kishte në shenjestër.

Presidentja lituaneze: Rrezik për konflikt të heshtur në Krime

Irak luftimeVeprimi i Rusisë në Krime mund të shndërrohet në një konflikt të heshtur, paralajmëroi sot presidentja lituaneze Dalia Grybauskaite, duke aluduar për konflite indipendantiste të mbetura pa zgjidhje politike, sidomos në disa shtete të ish-BRSS-së.

”Eksiton një rrezik i madh për shpërthimin e një konflikti të heshtur në botë, në Krime”, deklaroi Grybauskaite për shtypin në Vilnius.

”Kriza mund të ketë pasoja të rënda për sigurinë në të gjithë rajonin”, shtoi ajo, duke theksuar se “çështja e sanksioneve kundër Rusisë ishte e parakohshme”.

Veprimi i Rusisë në 2008 në dy rajone separatiste të Gjeorgjisë, Abkhazi dhe Oseti e Jugut, çoi në këtë lloj konflikti të heshtur.

Lituania, që mbajti në 2013-n presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje asocimi me Ukrianën, që presidenti Viktor Janukoviç e hodhi poshtë në samitin e fundnëntorit në Vilnius.

Lituania, ashtu si dy shtetet e tjera baltike, Letonia dhe Estonia, është shkëputur nga Bashkimi Sovjetik në 1991-n, pas pesë dekadash regjimi komunist dhe është anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO në vitin 2004.

Braho: Përgjimet e paligjshme, masa drastike ndaj drejtuesve të SHISH

spartak brahoKryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, ka deklaruar se nuk është në dijeni që të jetë vënë në përgjim nga SHISH-i, ashtu siç raportonin ditët e fundit disa media.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë lajm Braho u shpreh se do të ketë masa ligjore në rast se këto lajme do të vërtetohen.

“Nuk di gjë që SHISH-i ka urdhër për përgjime, nuk di gjë që unë përgjohem. Dhe po ju them se nuk ka bir nëne që të më përgjojë mua”, tha z. Braho. “Nëse përgjimet janë bërë në kundërshtim me rregullat që përcakton ligji i veprimtarisë së SHISH-it do të merren masa drastike, sepse është shkelur rëndë ligji”, theksoi Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Duke shpjeguar masat që mund të merren nëse ka pasur shkelje të ligjit nga drejtuesit e SHISH-it, Braho tha se personat që kanë urdhëruar përgjime të paligjshme do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale. I pyetur nëse do të mblidhet komisioni për situatën e shpërthimeve me tritol, Braho tha se ”Komisioni nuk merret me shpërthimet me tritol, sepse me shpërthimet me tritol merret opozita”.

ISHP: 41 raste të dyshuar me virusin AH1

spitalPrej javës së 3-të të muajit tetor 2013 deri më datën 2 Mars 2014 janë dërguar në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik,  486  mostra nga persona të dyshuar për Grip ku rezultuan 77 (16%), rezultuan pozitive.

Në deklaratën për mediat lidhur me situatën epidemiologjike të  Gripit në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik deklaron se 36 (47%) prej mostrave pozitive kanë rezultuar me virusin A(H3) dhe 41 (53%) mostrave pozitive me virusin A(H1) pdm09.

Përsa i përket shpërndarjes së barnave antivirale, ISHP bën të ditur se “në fillim të sezonit të gripit (java e 40-të, 2013), gjendja e barit Tamiflu, në depot qëndrore në ISHP, ishte 85,630 tableta. Deri më sot (dt. 2/3/2014), janë shpërndarë sipas planit të kontigjencës 15,600 tableta në të gjithë spitalet rajonale dhe universitare në vend”.

Bazuar në të dhënat e mbledhura nga sistemi i referimit të rasteve me SRRA (Sindromë të Rëndë Respiratore Akute), deri sot kanë ndodhur 2 raste vdekjeje te konfirmuara nga laboratori virologjik të prekur me virusin pandemik A(H1).Një paciente e moshës 30 vjeç e shtruar në SU “Shefqet Ndroqi”, e diagnostikuar me Insufiçencë Multiorganore, Anemi dhe Pneumoni Bilaterale.

Ndërkohë, pacientja, e cila ishte shtatzanë 13–javëshe, ishte diabetike e tipit të I-rë Insulinovartëse dhe kishte edhe simptoma të Nefropatisë Diabetike dhe Kardiopatisë së Dilatuar. Në paraditen e datës 27 shkurt pacientja ka ndërruar jetë, dhe në pasditen e kësaj date  nga përgjigjet rezulton se pacientja ka qënë pozitive me virusin A(H1)pdm09.Ndërsa një pacient i moshës 86 vjeç që rezultoi pozitiv me virusin A(H1) pdm09. Pacienti manifestoi insuficience kardio-cirkulatore dhe sindromë të rëndë respiratore dhe ndërroi jetë pak orë pas mbërritjes në QSUT.

KD i RTSH-së, Pollo: Selektimi i kandidaturave me marrëveshje

genc-pollo3_0Procedura për seleksionimin e kandidaturave për anëtarë të Këshillit Drejtues (KD) të Raditotelevizionit Shqiptar (RTSH), do të shqyrtohet në Komisionin e Medias pasi palët të arrijnë një marrëveshje paraprake për këtë çështje.
Komisioni e Medias u mblodh të hënën për të diskutuar rreth kalendarit trejavor të punës, ku paraprakisht ishte caktuar që më 4 mars të diskutohej sërish rreth gjetjes së formulës për përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të KD-së. Në dy mbledhje të mëparshme, palët nuk kanë gjetur konsensus, duke e shtyrë zgjedhjen e entit të ri drejtues të RTSH-së, pa një afat të caktuar.
Kryetari i komisionit, Genc Pollo tha se futja në kalendar e kësaj çështje nuk mund të bëhet pa arritur një marrëveshje paraprake. “Jam dakord të caktojmë një datë për shqyrtimin e procedurës për anëtarët e KD-së, por kjo pasi të kemi një arritur një marrëveshje”, tha ai.
Për 10 postet e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të RTSH-së konkurojnë 64 kandidatë. Gjatë muajit dhjetor komisioni organizoi seanca dëgjimore me kandidatët, ku ata shpalosën platformat për drejtimin e RTSH-së dhe vizionin në lidhje me menaxhimin e tij nga pikëpamja e teknologjisë së informacionit, arkivave, pasurimin e programacionit të kanaleve transmetuese, kalimin në transmetimin numerik, strukturën e punonjësve, etj.
Në kalendarin trejavor të komisionit të medias u përfshi dhe diskutimi i disa ndryshimeve në ligjin “Për artin dhe kulturën”, në datat 10 dhe 11 mars, me praninë e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe të grupeve të interesit.

Eksploziv në banesën e biznesmenit Ermal Koka

EKSPLOZIV-BANESES-280x200Një shpërthim me eksploziv është shënuar në orët e para të ditës së hënë në kryeqytet, po fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 4:10′  të mëngjesit të sotëm në rrugën “Prokop Mima” në Tiranë, ku një sasi eksplozivi është vënë në derën e hyrjes së një apartamenti i cili ndodhej në katin e tetë të një pallati pranë kompleksit sportiv dinamo, i cili i përket shtetasit Ermal Koka.
Policia bën me dije se nuk ka persona të lënduar, ndërsa ka dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e shpërthimit ka pasur dëme materiale edhe në banesën me numër 37, e cila i përket shtetasit me inicialet A.P. Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet dhe autorët e vendosjes së eksplozivit, ndërsa policia po punon për të zbuluar konflikte të mundshme të pronarit të banesës, që mund të kenë lidhje me ngjarjen e sotme.
Policia e Tiranës bën të ditur se shtetasi Ermal Koka është, biznesmen i materialeve elektrike tek rruga “Siri Kodra”. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”