KD i RTSH-së, Pollo: Selektimi i kandidaturave me marrëveshje

66

genc-pollo3_0Procedura për seleksionimin e kandidaturave për anëtarë të Këshillit Drejtues (KD) të Raditotelevizionit Shqiptar (RTSH), do të shqyrtohet në Komisionin e Medias pasi palët të arrijnë një marrëveshje paraprake për këtë çështje.
Komisioni e Medias u mblodh të hënën për të diskutuar rreth kalendarit trejavor të punës, ku paraprakisht ishte caktuar që më 4 mars të diskutohej sërish rreth gjetjes së formulës për përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të KD-së. Në dy mbledhje të mëparshme, palët nuk kanë gjetur konsensus, duke e shtyrë zgjedhjen e entit të ri drejtues të RTSH-së, pa një afat të caktuar.
Kryetari i komisionit, Genc Pollo tha se futja në kalendar e kësaj çështje nuk mund të bëhet pa arritur një marrëveshje paraprake. “Jam dakord të caktojmë një datë për shqyrtimin e procedurës për anëtarët e KD-së, por kjo pasi të kemi një arritur një marrëveshje”, tha ai.
Për 10 postet e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të RTSH-së konkurojnë 64 kandidatë. Gjatë muajit dhjetor komisioni organizoi seanca dëgjimore me kandidatët, ku ata shpalosën platformat për drejtimin e RTSH-së dhe vizionin në lidhje me menaxhimin e tij nga pikëpamja e teknologjisë së informacionit, arkivave, pasurimin e programacionit të kanaleve transmetuese, kalimin në transmetimin numerik, strukturën e punonjësve, etj.
Në kalendarin trejavor të komisionit të medias u përfshi dhe diskutimi i disa ndryshimeve në ligjin “Për artin dhe kulturën”, në datat 10 dhe 11 mars, me praninë e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe të grupeve të interesit.