Rama: është hedhur në erë KQZ

63

rama (1)Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u takua me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, NATO-s, të delegacionit të Bashkimit Europian, Prezencës së OSBE-se dhe Zyrës së Këshillit të Europës. Pas këtij takimi është zhvilluar menjëherë një tjetër takim me bashkë-raporterët e Asamblesë Parlamentar të Këshillit të Europës, deputetët Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, të cilët vizitojnë Shqipërinë në kuadrin e një vizite fakt-mbledhëse.

Në përfundim të këtyre takimeve Kryetari i PS, Edi Rama dha këtë prononcim për mediat.

‘’Ne jemi në komunikim intensiv me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të shqetësuar që të gjithë për atë që po ndodh. Praktikisht, është hedhur në erë Institucioni Qendror i Zgjedhjeve. Përsa na takon në kuptimin e betejës elektorale dhe të ballafaqimit me kundërshtarin e vetmuar dhe në panik, le ta marri KQZ-në në shtëpi, nuk është ky problemi ynë. Ky është problem i vendit tonë, ky është problem i Shqipërisë në sytë e botës demokratike. Ky është problem për shoqërinë shqiptare sot dhe për popullin shqiptar mbas 23 qershorit kur pavarësisht se ne do të fitojmë e rëndësishme është që në sytë e Europës, në sytë e partnerëve tanë strategjikë, në sytë e Shteteve të Bashkuara që prej kaq kohësh po përpiqen që Shqipëria të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme, vendi ynë do të jetë i njollosur. I njollosur me turpin që po i lë në fytyrë kryeministri dhe kjo shumicë pa shumicë. I njollosur me faktin që nuk realizoi dot zgjedhjet të standardeve ndërkombëtare, të lira dhe të ndershme. Dhe, për këtë ne kërkojmë që të ketë një reflektim, për këtë ne kërkojmë që të ketë një kthim në ligjshmëri të Institucionit Qendror të Zgjedhjeve. Për këtë ne kërkojmë që administrimi i zgjedhjeve të ndahet nga gjithë vala e panikut që e ka përfshirë kryeministrin, që ka përfshirë pushtetin familjar dhe partinë familjare të kryeministrit. 

Cila do të ishte ligjshmëria për KQZ-në z.Rama? Për çfarë ligjshmërie e keni fjalën? Kush është zgjidhja që propozon Partia Socialiste? 

“Nuk ka nevojë të shikojmë gishtin, kur gishti tregon hënën”, thotë një fjalë e urtë. Zgjidhja është e përcaktuar në Kodin Zgjedhor, dokumenti i rregullave të lojës shkruar dhe miratuar me konsensus, i cili praktikisht është shkelur me të katërt këmbët e kësaj shumice, që ka mbetur në duart e 3 mercenarëve dhe që përcakton shumë qartë se KQZ-ja nuk është as instrument i partive dhe as organ që varet nga Kuvendi. 

Riformatimi total i KQZ-së mund të jetë një zgjidhje?  

Nuk hymë ne në këto hulli. Ne kërkojmë kthimin e ligjshmërisë për KQZ-në. E përsëris, për t’i dhënë procesit dinjitetin që meriton Shqipëria, që meriton populli shqiptar, jo për ne si forca politike në një koalicion që është fitues dhe që do të fitojë edhe sikur KQZ-në e përsëris ta marri Saliu dhe ta fusë në kuzhinë. Ne zgjedhjet do t’i fitojmë me një shumicë bindëse. Problemi këtu qëndron gjetkë, tek dinjiteti i këtij vendi, tek liria e këtij populli, tek domosdoshmëria që Shqipëria të ikë nga harta e regjimeve hibride, siç thotë revista prestigjioze “The Economist” vetëm pak ditë më parë dhe të ikë nga horizonti ku rrinë në radhë vende që nuk kanë lidhje me botën demokratike. Sot për sot me këtë që ka ndodhur me KQZ-në gjithë këtij procesi i mungojnë vetëm mustaqet e Llukashenkos, se të gjitha të tjerat i ka si të ishim në Bjellorusi. Edhe një palë mustaqe po ja bëjmë dhuratë Saliut, le t’ia ngjisë Jozefina me zamkë edhe le të vazhdojnë rrugën e tyre. Janë të humbur, nuk i shpëton asgjë. Ne zgjedhjet do t’i fitojmë dhe në 23 qershor Shqipëria do të rilindë.’