Serbi-Kosovë: Plani 15 pikësh

82

1830552419509b6e02869d4654746107_v4bigMarrëveshja e arritur midis Kosovës dhe Serbisë mbështetet në një plan prej 15 pikësh. Ky plan që në thelb ka negocimin e Veriut të Kosovës,  nuk është bërë publik nga institucionet ndërmjetësuese evropiane, duke ia lënë palëve përkatëse ta publikojnë atë në shtetet e tyre. Po çfarë përmban ai konkretisht dhe përse ka shkaktuar disa polemika, si ndërmjet palëve në negocim, po ashtu edhe ndërmjet elitave politike, brenda shteteve përkatëse?

Sipas agjencisë Reuters, plani 15- pikësh, ishte për ti dhënë fund ndarjes etnike të Kosovës. Caktimi i një forme autonomie për veriun e Kosovës, në shkëmbim të marrjes fund të përpjekjeve të Serbisë për të izoluar vendin e ri. Nga ana tjetër edhe agjencia Tanjug ka bërë të ditur, se një nga pikat e rëndësishme në marrëveshje është kërkimi i një forme autonomie për Veriun e Kosovës. Tanjug, ka konfirmuar përpara raundit të 10-të, se Marko Djuric, këshilltari i presidentit serb  Tomislav Nikolic, ka deklaruar, se mund të arrihet një marrëveshje, vetëm nëse, nuk ka devijime nga propozimi, që është tashmë në tryezë, ku sipas kësaj marrëveshje, komuniteti i komunave serbe do të ketë kompetenca ekzekutive, veçanërisht në terma policore dhe do të jetë i aftë të emërojë komandantin e policisë rajonale.

Djuric, ka deklaruar gjithashtu, se Kryeministri Thaçi po manipulon vazhdimisht dhe po u tregon gënjeshtra në lidhje me përmbajtjen e marrëveshjes. Për Prishtinën, gjëja më e vështirë është që marrëveshja, e cila është në tavolinë tregon qartësisht, se vetëm policët serbe do të jenë prezentë në veriun e Kosovës ndërkohë, që Forcat Kosovare të Sigurisë nuk do të lejohen ti afrohen veriut pa miratimin e NATO-s dhe një marrëveshje të komunitetit të komunave serbe. Djuric, tha gjithashtu se, ai shpreson për arritjen e kësaj marrëveshje, duke shtuar se marrëveshja është e mundur, nëse nuk do ketë manipulime dhe devijime nga propozimi që gjendet mbi tavolinë.

Kjo pikë faktikisht gjen lidhje në pikën 9 të planit të ofruar.

Por, marrëveshja tashmë është realizuar dhe për këtë liderët e Bashkimit Europian janë shumë entuziastë.

Pesëmbëdhjetë pikat e propozim-marrëveshjes, Kosovë-Serbi janë publikuar sot nga ‘Koha Ditore’, ku sipas saj, ky version mendohet të jetë versioni i fundit i paraqitur për miratim, nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

 Plani 15- pikësh:

1: “Bashkësi/Asociacion” të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, e hapur edhe ndaj komunave të tjera, nëse anëtarët pajtohen.

2: “Bashkësia/Asociacioni” do të formohet me statut.

3: Strukturat do të formohen sipas të njëjtës bazë sikur edhe rajonet ekzistuese në Kosovë.

4: Kompetencat që do të jenë sipas Kartës evropiane të vetëqeverisjes lokale dhe sipas ligjeve të Kosovës.

5: “Bashkësia/Asociacioni” do të ushtrojë kompetenca shtesë ashtu siç i jep autoriteti qendror.

6: “Bashkësia/Asociacioni” do të ketë një rol përfaqësues në autoritetin qendror  dhe do të ketë një ulëse në Këshillin konsultativë të komuniteteve.

7: Në Kosovë do të ketë vetëm një forcë policore,  e cila do të quhet “Policia e Kosovës”.

8: Pika tetë sqaron se “e tërë policia në veri të Kosovës do të jetë e integruar në kornizën e Policisë së Kosovës” dhe se rrogat e policëve do të jenë vetëm nga Policia e Kosovës.  Anëtarëve të strukturave të tjera serbe të sigurisë do t’u ofrohen pozita përkatëse në strukturat e Kosovës.

9: Për pikën e nëntë ka patur më së shumti dallime deri me tash. Sipas propozimit në tavolinë në këtë pikë saktësohet se do të ketë një post të komandantit rajonal për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe ai do të jetë serb i Kosovës i zgjedhur nga Ministria e Brendshme e Kosovës nga një listë,të cilët do ta paraqesin katër kryetarët e komunave në emër të “Bashkësisë/Asociacionit”, përbërja e Policisë së Kosovës në veri do të reflektojë strukturën etnike.

10: Sipas marrëveshjes së propozuar  “autoritetet gjyqësore do të integrohen dhe punojnë në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës. Gjykata e Apelit nga Prishtina do të themelojë një panel të përbërë nga gjykatësit serbë të Kosovës, të cilët do të merren me të gjitha komunat me shumicë serbe. Një njësi e kësaj Gjykate të Apelit do ta ketë selinë në pjesën veriore të Mitrovicës.

11: Zgjedhjet lokale në vitin 2013 do të zhvillohen me lehtësimin e OSBE-së dhe në përputhje me ligjet e Kosovës.

12: Kjo pikë flet për përpilimin e një plani të implementimit, i cili do të përmbante afate të sakta kohore, e që do të përpilohej deri me 26 prill.  Në implementimin e kësaj marrëveshjeje do të bëhej kujdes edhe për transparencën e fondeve.

13: Sipas pikët 13 palët do të duhej të arrinin  marrëveshje për energji  dhe telekom para mesit të muajit qershor po të këtij viti.

14:  Kjo pikë është më kontestuese në këtë moment, për të cilën Serbia edhe e ka refuzuar propozimin e fundit, që flet për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Sipas formulimit të tashëm kjo pikë thotë se palët pajtohen se asnjëra nuk  do të bllokojë palën tjetër, apo të inkurajojë të tjetër që të bllokojnë kërkesat për anëtarësim në organizatat dhe forumet ndërkombëtare.
Burimet diplomatike pohojnë se do të ketë përpjekje dhe presion që kjo pikë  të riformulohet dhe të flet për mosbllokimin e palëve në procesin e integrimeve evropiane.

15: Pika e fundit e propozim-marrëveshjes thotë se do të themelohet  një komision implementues nga të dyja palët me një lehtësim të Bashkimit Evropian.