Takimet ishin në kuadrin e projektit KEPASS(Knoëledge Exchange Program Students in Adriatic Area), një program për shkëmbimin e njohurive mes studentëve të shkollave të mesme në Rajonin e Adriatikut, të financuar nga Bashkimi Evropian.
Mes të tjerash, Malaj u prit edhe nga kryetari i komunës së qytetit të Cividales në provincën e Udines, Stefano Ballochi, ku u diskutua për mundësitë e zgjerimit dhe të forcimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit. Malaj, theksoi mes të tjerash se, “projekti KEPASS, është një mënyrë për të zgjeruar njohuritë, për t’u integruar, për njohjen reciproke mes dy vendeve. “Këto janë piketat e para të një bashkëpunimi që duhet të zgjerohet më tej në të ardhmen”. Sipas saj, të rinjtë dhe të rejat janë ambasadorë të vendeve të tyre dhe kështu ata do të promovojnë kulturat, do të promovojnë vlerat respektive. Ajo evidentoi se, ky projekt, krijon modalitetin dhe rritjen e standardit të nxënësve shqiptarë, por jo vetëm, që janë të aftë që me dijen e tyre të japin me kolegët e vendeve të tjera mundësinë e komunikimit dhe qasjes ndërkulturale.Nga takimi i Zv. Ministres se Arsimit dhe Sporteve Nora Malaj gjate vizites ne Udine (Itali) Foto Harilla Koçi’
Malaj tha se, përmes këtij projekti që adresohet në shkolla të rëndësishme italiane, sllovene, kroate etj, krijohet një format shumë i rëndësishëm i bashkërendimit të punës në kuadër të një komuniteti jo vetëm shqiptar, por të komunitetit evropian, që është një qasje akoma më e madhe një model shumë promovues.
Sipas Malajt, duke u zbatuar në Qarkun e Vlorës, ky projekt krijon mundësitë që të rinjtë të bëhen ambasadorë të politikës së zhvillimit të prioritetetit të qeverisë në drejtim të kapitalit human, duke treguar që, jo vetëm turizmi por edhe qasja e shkencave aplikative dhe e raporteve humane, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve simotra të përzgjedhura, tregon që standardi i sietemit tonë të arsimit, tashmë matet me kornizën dhe vlerësimin evropian. “Përmes këtij projekti dhe të tjera aktiviteteve të realizuara nga Agjencia AULEDA, tregohet se pikërisht shkollat tona kthehen në qendra komunitare atëhere kur kanë dëshirë dhe energji dhe sinergji pozitive për të realizuar produktin e përbashkët”, shtoi Malaj. Ndërkohë, ajo tha se, ky bashkëpunim duhet të zgjerohet më tej edhe në fushën e biznesit, sepse Shqipëria, tha ajo, është një vend i mirë për investime. “Ky fakt, duhet të shërbejë për të nxitur praninë e kapitalit italian në Shqipëri”, theksoi ajo.
Kryetari i komunës së Cividales në provincën e Udines, Stefano Ballochi, vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, ndërkohë që e vlerësoi projektin KEPASS, si një mundësi e mirë në këtë drejtim, jo vetëm për të rinjtë dhe të rejat, për shkëmbim kulturash, por edhe për prindërit e tyre. Ai u shpreh se, ky bashkëpunim nuk duhet të mbetet vetem në kuadrin mes shkollave por edhe më gjerë, në nivel komunash e qytetesh, në nivel ministrish me synimin për të krijuar partneritete të reja mes dy vendeve tona.
Projekti KEPASS, që po zbatohet nga Agjensia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, me qendër në Vlorë, synon akreditimin e shkollave të mesme të përgjithshme dhe profesionale në Rajonin e Adriatikut, respektivisht në Itali, Slloveni, Kroaci, Mal i Zi, Bosnje Hercegovinë dhe Shqiperi, të Qarkut të Vlorës, në një sistem unik mësimdhënieje, me module dhe standarte evropiane, sistem ky që do të krijojë mundësinë e mobiliteteve mes nxënësve në shkollat e akredituara në vendet respektive.Nga takimi i Zv. Ministres se Arsimit dhe Sporteve Nora Malaj gjate vizites ne Udine (Itali) Foto Harilla Koçi
Përmes këtij programi, nxënësit e shkollave të mesme do të përfshihen në një mundësi për krijimin e moduleve dhe programeve të reja në mësimdhënie, ndërkohë që mësuesit do të shkëmbejnë informacionin respektiv. Në Qarkun e Vlorës është realizuar akreditimi, i katër shkollave në në sistem unik edukimi në zonën e Adriatikut, të cilat janë shkolla e mesme e përgjithshme “Ali Demi”, “Halim Xhelo”, shkolla jopublike “International” dhe shkolla e Hoteleri Turizëm “Antoni Athanas”, Sarandë. Në kuadër të këtij programi do të rriten kapacitetet e mësuesve në sistemin e arsimit e arsimit të mesëm të përgjithshëm profesional, përmes shkëmbimit të metodologjive në mësimdhënie me homologët e vendeve të Bashkimit Evropian.
15 nxënës të klasave të 11-ta në vitin akademik 2014-2015, do të zhvillojnë mobilitetet përkatësisht në shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale ne shkollat italiane, sllovene, boshnjake dhe kroate për një periudhë tre mujore, ndërkohë që 15 nxënës të këtyre shkollave do të studiojnë për po të njëjtën periudhë në shkollat e akredituara.
Kreditet e fituara nga studentët do të jene të trasferueshme dhe do të njihen nga të gjitha shkollat e akredituara, në Shqipëri dhe vendet e përfshira në projekt.