Kryetari i Kuvendit njoftoi se në këtë legjislaturë do të funksionojnë pesë grupe parlamentare: ai i Partisë Socialiste, i Partisë Demokratike, i Lëvizjes Socialiste për Integrim, grupi i Partisë Republikane dhe ai i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Grupi i PS-së me 65 deputetë do të kryesohet sërish nga deputeti Gramoz Ruçi; grupi i PD-së do të ketë 45 deputetë, që do drejtohen nga Edi Paloka; grupi i LSI-së kryesohet nga Petrit Vasili dhe përbëhet nga 16 deputetë; grupi i PR-së ka kryetar Fatmir Mediun dhe përbëhet nga 7 deputetë, ndërsa grupi i PDIU-së me 7 deputetë do të drejtohet nga Shpëtim Idrizi.
Kuvendi zyrtarizoi 8 komisionet e përhershme parlamentare që merren me shqyrtimin e projektligjeve të propozuara nga qeveria. Sipas vendimit të miratuar me unanimitet (120 vota) u ra dakord që pesë nga këto komisione të drejtohen nga përfaqësues të maxhorancës dhe tre të tjerët nga opozita.
Kështu, maxhoranca do të drejtojë komisionin parlamentar të Ligjeve, me kryetar Fatmir Xhafaj; komisionin e Ekonomisë, me kryetar Erion Braçen; komisionin e Jashtëm do e drejtojë Arta Dade dhe komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi. Ndërsa komisionin parlamentar të Sigurisë do e kryesojë deputeti i LSI-së, Spartak Braho.
Ndërkohë, Kuvendi vendosi që kryesimi i komisioneve të Medias, Integrimit dhe Çështjeve Sociale t’i kalojë Partisë Demokratike të opozitës. Deputeti demokrat Genc Pollo do të drejtojë komisionin e Medias; Majlinda Bregu do drejtojë komisionin e Integrimit dhe Albana Vokshi komisionin e Çështjeve Sociale.
Nga rendi i ditës u hoq pr/vendimi për lirimin nga detyra të anëtarëve të dorëhequr të KQZ-së, pasi opozita ngriti pretendimin se kjo çështje nuk ishte diskutuar në mbledhjen e kryetarëve të grupëve.