Shpëtim Gjika: Vlora nuk është ‘macja e zezë’ e ndërtimeve pa leje

17

shpetim-gjikaKryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika u shpreh sot mbi ndërtimet pa leje në qytetin bregdetar duke theksuar se situata nuk është alarmante.

“Unë dua të hedh poshtë me të gjitha garancitë e mia se Vlora nuk është ‘macja e zezë’, sic është përcjellë, madje është qyteti më i mbrojtur sa i përket ndërtimeve pa leje. Gjatë gjithë vijës bregdetare janë vetëm 65 baraka dhe lokale me konstruksione të lehta që për 48 orë marrin fund. Sigurisht brenda në qytet ka, por kjo nuk është për justifikim, por ka pasur një mungesë rakordimi. Por dhe parlamenti i mëparshëm shqiptar mori një vendim të fundit me 124 vota unanime që thekson se legalizohen objektet në pronë private. Nga njëra anë stimulohet me forma ligjore ndërtimi i paligjshëm ndërsa nga ana tjetër kërkohet të bëhet ‘kokë turku’ kryetari i Bashkisë apo inspektoratet. Sigurisht nëse kemi përgjegjësi patjetër nuk është se ne jemi të paprekshëm dhe duhet që të mbajmë përgjegjësitë që na takojnë”, tha Gjika në një intervistë për gazetarin, Enrik Mehmeti.

I pyetur se ku zonë ka ndërtuar pallat kreu i PD në Vlorë, Lulzim Basha në Vlorë, Gjika tha shkurt “Lulëzim Basha nuk ka pallat në qytetin e Vlorës. Lulzim Basha është kryetar i Bashkisë së Tiranës, kryetar i Partisë Demokratike dhe si person publik e ka pasurinë të deklaruar”.

Një ditë më parë Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika reagoi në lidhje me procedimet penale ndaj zyrtarëve të inspektorateve
ndërtimore, por edhe ndaj personave që kanë ndërtuar. Gjika ka deklaruar se bllokimet e ndërtimeve pa leje nuk duhet të jenë të selektuara.
“Duhet të ketë bashkëpunim nga ana e gjykatave që mos të pezullojë prishjet e ndërtimeve nga ana e inspektorateve, nga
prokuroria që të mos pezullojë kallëzimet e policisë dhe bashkisë. Duhet ta çojmë në fund këtë mision, i cili nuk është një aksion, ndërsa policia në këtë moment po operon si e njëanshme duke sanksionuar edhe në mënyrë të njëanshme”, u shpreh kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika.

Në muajt e verës, kryesocialisti Rama deklaroi se është vënë re një valë e re ndërtimesh pa leje në bregdet dhe se shkalla e abuzimit me pronën publike në këto zona është rritur duke përfituar nga tranzicioni i pushtetit.
“Ka plot raste kur njerëzit ankohen për gardhe dhe mure që pengojnë territorin e plazhit. E dyta, është gjendja skandaloze e ndërtimeve pa leje në gjithë vijën bregdetare nga veriu në jug, e që në këtë periudhë kanë marrë një hov të jashtëzakonshëm për pasojë të këtij vakuumi në periudhën e ndërrimit të qeverisë. Ndërtime pa leje, që kanë pësuar rritje edhe për shkak të moskoordinimit të punës mes qeverive vendore dhe asaj qendrore. Duhet të ndalim një orë e më parë këtë dallgë ilegaliteti”,-u shpreh Rama gjatë disa takimeve që pati në Vlorë dhe të tjera në Tiranë me kryetarët e Bashkive të zonave bregdetare.