Tullumbaci i Lulit

59

Lulzim_Basha_mNga Reldar DEDAJ

Lulzim Basha gjatë këtyre ditëve, me siguri, ka pasur një merak të madh. Një të tillë, që mund të konsiderohej jo vetëm thjesht si një detaj i rëndësishëm, por një faktor tepër ndikues për një të ardhme jo shumë të largët. Me një fjalë, në protestën e 20 shkurtit, Basha është gjendur në mes të dy rrugëve: vizionit dhe shembullit. Nëse aij do të vendoste për të zgjedhur rrugën e dytë, në mënyrë të prerë mund ta themi, asgjë nuk do ta dallonte më atë nga Berisha, dhe ai mbi të gjitha i druhet si dreqi një mendimi të tillë. Ka të drejtë, kërkon ligjitimitetin e vet. Megjithatë, zgjodhi të parën; më të vështirën, ndoshta edhe më të gjatën, më të sigurtën, por në fund me siguri, më stresuesen.

Pasi, shumë ithtarë të kësaj partie do të ndjehen mjaft të lodhur dhe ndoshta ende të pafuqishëm për të ndjekur një hulli kaq të gjatë. Një pjesë e elektoratit të PD janë mësuar me një mesazh të ashpër, shkatërrues dhe ku solidaritetet e munguara nuk i merr më askush për bazë. Andaj, Lulzim Basha ka një merak të madh, referenca kulturore e partisë që aij përfaqëson, nuk është një asht i tillë sa mund të mendojë për të ecur aq gjatë. Kjo ide sa mund ta lehtësojë atë në syrin e ndërkombëtarëve, aq mund ta largojë me përkrahësit e partisë që ka marrë tashmë të drejtojë.

Rreziku i tjetërsimit, apo edhe rënia e politikës së tij në mediokritet, e shqetëson profilin e një politikani që kërkon të ligjërohet si i ditur. Vizioni qëndron më lart se shembulli. Ky është një postulat i liberalëve. Rrugë e cila, po nis të projektohet me mjaft kujdes tash e tutje nga kreu i opozitës shqiptare. Vendimi për të ndjekur rrugën e protestave paqësore, nga njëra anë, dhe nga tjetra për të mos bojkotuar asnjë komision apo seancë parlamentare, mund të konsiderohet me plot gojën një ndryshim kursi. Kjo i kujton vetvetiu z. Basha, gjithë ç’ka qenë e mirë, e gabuar apo e pakujdesshme në karrierën e tij politike.

Kreu i PD-së, ka rënë në një kontradiktë të theksuar logjike në rrugën që ka nisur të ndërmarrë, kjo për një arsye akoma më të thjeshtë. E cila, ka mjaftueshëm lidhje me faktin se Lulzim Basha ka nisur të dojë akoma edhe më shumë partinë se vetveten. Dhe kjo ide në të ardhmen, me siguri, do t’i sjellë aq shumë probleme; sa një ditë edhe mund ta humbasë atë. Lerini pallavrat se aij është i zgjedhuri i Berishës. Kjo nuk pi më ujë.

Për arsye, se Basha ende nuk ka një parti të gatshme për ambiciet e tij, aij është shndërruar në demokrat, por PD nuk është demokrate. Pasi, pritshmëritë e tija me ato të partisë nuk janë të njëjta në këto kohë që po flasim. Ai po i beson në gjithçka asaj, pa e kuptuar realisht se po behet i huaj tashmë për të.

Një instikt i fshehur, ashtu siç mund të konsiderohen në të shumtën e rasteve ata, ka dalë për t’u mbrojtur nga rreziqet, është dhe duhet të jetë instikti i mbrojtjes së bizneseve të afaristave që tashmë kanë ngelur veçse me letra për dorë tek sorollaten për të marrë ndonjë tendër, apo për të gjetur përsëri fijet e kukullës që të rifuten edhe një herë tjetër në tortën e pushtetit.

Pikërisht, ky ishull i vetmuar në pamje të parë, do t’i krijojë probleme mjaft të mëdha në një të ardhme kreut të PD-së, nëse aij nuk krijon tension të lartë politik, nëse nuk ndërton një mesazh agresiv, që bizneset e tyre jo vetëm të ndjehen të mbrojtura, por edhe që nesër askush të mos guxojë të ndërpresë zhvillimin e tyre. Prandaj, Z.Basha i druhet pa masë prishjes së këtyre raporteve, duke e ditur mjaft mirë se herët a vonë, përfundon jashtë shtëpisë blu. Por besoj, nën qiellin blu me siguri do të jetë…?!