Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim në fushën e drejtësisë

66

gjykataBashkëpunimi në fushën e drejtësisë,  ishte në qendër të takimit që kryetari i Gjykatës së Lartë,  Xhezair Zaganjori si dhe anëtarë të tjerë të kësaj gjykate,  zhvilluan në Tiranë me delegacionin e nivelit të lartë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryesuar nga Kryetari i këtij Këshilli Enver Peci.

Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë bënë të ditur sot se, z.Zaganjori, shprehu interesimin e tij dhe trupës gjyqësore mbi situatën dhe organizimin e pushtetit gjyqësor në Kosovë, duke u shprehur gjithashtu se gjyqësori shqiptar do të jetë gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar me koleget e mbi të gjitha për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqtarëvë dhe mirëfunksionimin e sistemeve respektive në Shqipëri e Kosovë.

Zaganjori, bëri një përshkrim të detajuar të sistemit gjyqësor në vendin tonë duke i njohur miqtë nga Kosova, me mënyrën e funksionimit të pushtetit gjyqësor në Shqipëri dhe të Gjykatës së Lartë në veçanti, veçanërisht pas ndryshimeve të fundit ligjore dhe krijimit të Kolegjit Administrativ.

Sipas tij, të dy vendet ndajnë problematika të përbashkëta sa i takon forcimit të shtetit dhe demokracive respektive si dhe bashkëpunimit ndërsinstitucional me qëllim gantanimin e një procesi të rregullt e të shpejtë gjyqësor në shërbim të qytetarit, në kuadër të përmbushjes së kritereve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë bashkëbiseduar me anëtarët e delegacionit kosovar në lidhje me disa nga problematikat kryesore me të cilat përballet sot sistemi gjyqësor në vendin tonë, duke i ftuar kolegët nga Kosova të jenë të hapur për bashkëpunim.  Gjatë bashkëbisedimit, u evidentuan gjithashtu sfidat e përbashkëta në kuadër të përmbushjes së objektivave që secili shtet mbart në vetvete në fushën e drejtësisë dhe gjyqësorit. Gjatë takimit,

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës,  Peçi, theksoi rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të tilla, të cilat nuk duhet të jenë vetëm të nivelit zyrtar por dhe mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme në shërbim të rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu  Peçi, bëri një përshkrim të funksionimit të institucionit që ai drejton si dhe të sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në Kosovë,  duke hedhur mbi tryezë ide e probleme të përbashkëta për tu diskutuar.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të ketë takime me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë, takime në të cilat do të diskutohen tema dhe shkëmbehen eksperienca nga palët gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.