Në një seri postimesh në “Twitter”, ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk do të shpenzojnë më në lojëra lufte me Korenë e Jugut, por nëse do t’u duhej t’i rinisnin ato, do të ishin më të mëdhatë në histori.
Amerika pranoi të ndalonte momentalisht stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Jugun, të cilat vazhdimisht kanë irrituar Penianin, pikërisht pas bisedimeve historike të qershorit me udhëheqësin e Veriut komunist. Por, disa ditë më parë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se stërvitjet ushtarake mund të vazhdojnë.
Debati i vazhdueshëm mbi lojërat e luftës vjen në kohën kur shumë vëzhgues thonë se Koreja e Veriut nuk po përparon mjaftueshëm në çmontimin e kapaciteteve bërthamore e raketore, pas samitit mes Trumpit dhe Kim Jong-unit në qershor.
Mesazhet e Trumpit në “Twitter” duket se drejtojnë gishtin e fajit për këto sfida nga Kina, pavarësisht se vet ai lavdëron marrëdhëniet personale me krerët e Koresë së Veriut dhe Kinës. Kjo përzierje konfuze e kritikës, lavdërimit dhe kërcënimeve të kamufluara vjen teksa Uashingtoni përballet me presion gjithnjë e në rritje për të nxjerrë rezultate të prekshme nga ato bisedime të paprecedenta në histori.
Menjëherë pas samitit, Trump njoftoi se “nuk ekzistonte më kërcënim bërthamor nga Koreja e Veriut”. Por, vetëm pak ditë më parë, Uashingtoni i anuloi vizitën në vendin komunist Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, me presidentin që argumentoi vendimin me përparimin e pamjaftueshëm të vërejtur në frenimin e programit bërthamor.