Trajneri shqiptar i Durbuy-t: Do të kthehesha në Shqipëri, po të më jepej mundësia

84

Trajner i klubit Durbuy në Belgjikë, Jahir Shehi, tregon eksperiencën e tij si futbollist dhe më pas si trajner. Ndonëse i lindur dhe rritur aty, shprehet se është i gatshëm të vijë menjëherë në në Shqipëri, nëse thirret për të dhënë kontribut.

Nga Aurora Allushaj

Jahiri ka lindur në Bruksel verën e 50 viteve më parë nga dy prindër të emigruar nga Shqipëria. Sportin e ka nisur në moshë të vogël, me skuadrën e Anderlecht-it. Jahiri është i gatshëm të bëjë një eksperiencë në Shqipëri, nëse do t’i jepet mundësia. Në një intervistë ekskluzive për ‘Fjalën’, Shehi tregon rrugëtimin e tij në futboll dhe kleçkat për t’u bërë i suksesshëm në Belgjikë.

Kush është Jahir Shehi?

Kam Lindur në Bruksel, në qershor të vitit 1969. Gjyshi im ka ardhur në Belgjikë, kur im atë ishte shumë i vogël. Jam baba i një djali të vogël i cili merret me sport, por jo me futboll.

Çfarë kujtoni nga fëmijëria juaj?

Unë jam rritur bashkë me fëmijët e shqiptarëve që kanë emigruar në të njëjtën kohë me gjyshin tim. ‘Jemi rritur ndër veti’, me shumë dashuri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mblidheshim darkave dhe dëgjonim historinë e emigrimit të çdonjërit prej tyre.

Kur e keni nisur futbollin?

Futbollin e kam nisur në moshën 6-vjeçare në Anderlecht. E nisa fillimisht me shkollën dhe pastaj u bë pasioni i jetës sime. Në atë periudhë ka qenë shumë e vështirë, sepse kushtet nuk kanë qenë si sot.

Cilat kanë qenë momentet më kulminante në futboll për ju?

Kur hyn në shkollën e Anderlecht-it mendoj se është një arritje e mirë dhe këtë e kupton vetëm në momentin që lëviz në një skuadër tjetër. Por dua t’ju tregoj se në kohën kur unë isha lojtar, ishte shumë e vështirë të luaje me ekipin e parë dhe të dytë. Unë hyra në ekipin e dytë dhe për 6 vite Anderlecht-i nuk na largoi, por na jepte me qira në skuadra të tjera.

Sa vite keni luajtur tek Anderlecht-i?

Kam luajtur për Anderlecht-in për 14 vjet. Kur del prej Anderlecht-it ke stilin e tij dhe ashtu ndodhi edhe me mua. Në fakt, siç e thashë edhe pak më sipër, nuk ishte e lehtë për një të huaj të hynte tek Anderlecht-i në ato vite. Plus që nuk kishim informacione, siç ndodh sot.

Në çfarë ekipesh të tjera keni luajtur?

Kam luajtur në Uçle, Ganshoren, Asse, Zelik, Lembeek, Kosova Scharbeek, Evere etj. Kam luajtur më shumë në këtë nivel, pasi edhe pagesa ishte e mirë. Në fakt, në ato vite nuk bëheshin kontrata siç bëhen sot.

Pak kohë më parë ju keni marrë në dorë ekipin e Durbuy-t. Si po shkon përgatitja për ndeshjet e sezonit të ardhshëm?

Po, është një qytet shumë i vogël dhe i bukur. Në fakt, është qyteti më i vogël në botë. E kam pritur mirë dhe plot me energji këtë impenjim të ri. Shpresoj në një ecuri të mirë të skuadrës sime.

Nëse do t’ju bëhej një ofertë për të shkuar në Shqipëri, a do të pranonit të merrnit në dorë një skuadër atje?

Do të shkoja direkt që nesër, sepse jam shqiptar dhe e dua shumë Shqipërinë. Para vitit 2008 kam qenë belg me origjinë shqiptare, ky ishte mendimi im. Një mbrëmje në Kukës, një plak i familjes më pyeti nëse isha belg apo shqiptar, iu përgjigja belg me origjinë shqiptare. Ai plak atë natë më tha se unë isha shqiptar nga Belgjika dhe prej asaj dite unë them se jam shqiptar nga Belgjika.

Sa e njihni futbollin shqiptar?

Kam ndjekur çdo ndeshje të Kombëtares shqiptare. Skuadrat nuk i kam ndjekur shumë, përveç Kukësit. Ndeshjet e Kukësit i kam ndjekur nga televizioni.

Po lojtarët shqiptarë sa i njihni? Cilin do të veçonit si emër?

Do të veçoja Ilir Kepën si lojtar shumë të mirë. Lorik Canën do ta veçoja pa dyshim, ka pasur fizik dhe shumë klas. Gjithashtu, Orges Shehin, i cili më pëlqen shumë. Ka lojtarë shqiptarë të mirë në Itali e gjithë Evropën.

A ka një emër shqiptar që premton në futbollin belg të momentit?

Është e vështirë, nuk ka në divizionin e parë. Nuk e di ku është problemi, por për mua nuk ka. Në klubet e pjesës flamande ka shqiptarë, ndërsa në pjesën valone jo. Adnan Januzaj është një emër që doli nga klubet belge. Ne shqiptarët u bëjmë shumë presion fëmijëve. Fëmija duhet të ketë talent e të luajë shumë, të stërvitet, pjesa financiare duhet të vijë më pas. Nëse fëmija është i mirë, vijnë e marrin skuadrat e mira, nuk ka nevojë të tuten prindërit. Futbolli është i egër, nuk çohet djali me ‘Audi’ tip i fundit në stërvitje, duhet ta bëjë rrugën në këmbë. Ky është një problem i yni, i shqiptarëve, jo i racave të tjera.

Një këshillë për të gjithë prindërit shqiptarë që duan t’i fusin fëmijët në rrugën e futbollit, apo për fëmijët shqiptarë që kanë talent.

Sa më shumë shkollë, edukatë dhe disiplinë. Në këto kohë futbolli është i cilësdo gjini. Mundohuni t’i angazhoni sa më shumë fëmijët tuaj me sport, sa më pak kompjuterë dhe telefona.

*Botuar tek Fjala.al