Karshillëk apo Promovim i Turizmit?

151

Nga Erion Muça

Vera erdhi e bashkë me to edhe emisonet në programacionet e televizioneve të ndryshme me ilustrim dhe pasqyrim të vëndeve turistike kryesisht ato të rivierës shqiptare.

Një hap apo moment për tu përshëndetur nisur nga qëllimi i mirë i promovimit të destinacioneve turistike. Shqipëria ka shumë vende e destinacione turistike të cilat me çdo formë dhe menyrë duhen promovuar.

Zgjedhja e një programacioni televiziv me elementë show dhe ekzagjerimi, duke prezantuar në vitrinë një tablo me nuanca modernizimi dhe emancipimi, jashtë mundësive e realitetit të shumicës së njerëzve për ti aksesuar, vizituar dhe shijuar nga pamundësia ekonomike, i kthen ato vetëm në reklamuese faktike për një pakicë duke dalë kështu edhe jashtë qëllimit, funksionit por dhe shërbesës si media e të gjithëve.

Formati është shumë i goditur por notat në të cilat zhvillohet dhe drejtohet ai, nuk promovojnë por shesin në syrin e vizitorit apo turistit një realitet shumë larg të tonit edhe pse do te donim të gjithë ta kishim prezent si të tillë por gjendja dhe situata ekonomike fatkeqësisht nuk na e lejon.

Trajtimi i menyrës dhe organizimit sikur asgjë s’ka ndodhur kur gjendja ekonomike e shqiptarëve është shumë e rëndë, e kur kemi me qindra të papunë nga pandemia mendoj se duhet të ndikonte sado pak tek këto formate, që të përshtatnin konceptin e tyre me situatën e të tregonin minimalisht se çmimet janë shumë të lira e të përballueshme nga të gjithë, tashmë solidarizimi dhe mikëpritja e operatorëve nuk është më ajo që ka qenë por janë më të dashur e mirkuptues e me pak abuzues me vizitorët, se janë përmirësuar paketat turistike duke u rritur shërbimet falas për vizitorët dhe turistët.

Ju lutemi na i kurseni llustrat dhe variantet copy-paste nga viti në vit në këtë periudhë pasi sa herë një vizitor vendas është nisur drejt jugut e ka pyetur mirë xhepin në ja mban apo jo në fakt jo vetëm nga aspekti ekonomik por edhe nga diferenca e lartë midis cilësisë së shërbimit dhe asaj që paguan.

Ju lutem na ndihmoni me sinqeritet dhe realitet më shumë sesa me pompozitet pasi këtë vit po i drejtoheni turistit vendas i cili kërkon shumë përpjekje e sforco për tu bindur dhe sheshojë përceptimin dhe steriotipin e shumë viteve që në jug çdo verë zhvatet.