Thaçi uron Ramën për 28 Nëntorin: Kosova mirënjohëse shtetit shqiptar

63

thaçiKryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, i ka dërguar një telegram urimi kreut të qeverise Edi Rama me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit. Në këtë telegram urimi Kryeministri Thaçi thekson se, 28 Nëntori Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar është dhe do të mbetet njëra ndër ngjarjet më të ndritura të popullit shqiptar. Thaçi shpreh gjithashtu mirënjohjen e tij në emër të institucioneve dhe qytetarëve kosovarë ndaj shtetit shqiptar, per kontributin e dhënë në të gjitha periudhat për Kosovën.

Mesazhi i plotë i urimit i Kryeministrit Thaçi:

“Kaloi më shumë se një shekull pavarësi të shtetit shqiptar, akti më i rëndësishëm i historisë së kombit shqiptar, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, duke sublimuar kështu përpjekjet e pareshtura të popullit shqiptar për të qenë i lirë dhe i pavarur.

28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar është dhe do të mbetet njëra ndër ngjarjet më të ndritura të popullit shqiptar. Është vlerë që duhet të ruhet dhe kultivohet në shenjë respekti për paraardhësit tanë, për të tashmen dhe të ardhmen e brezave që do vijnë.

Në këtë përvjetor Shqipëria gjendet shumë më e konsoliduar si shtet me frymën e re të rilindjes, i anëtarësuar në NATO, me liberalizim të vizave dhe një prej vendeve që po kontribuon në forcimin e stabilitetit dhe paqes në rajon.

Institucionet dhe qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës shtetit shqiptar për kontributin që ka dhënë në të gjitha periudhat për Kosovën.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës  dhe në emrin tim, ju lutem pranoni urimet më të përzemërta me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar, për një Shqipëri me perspektivë evropiane. “