Statusi, Rama: Refuzoj me përçmim fyerjet ndaj shqiptarëve

42

edi rama-3Me rastin e shpalosjes së punës që qeveria e re ka bërë për 99 ditë, që nga ardhja në pushtet, kryeministri Edi Rama, nuk ka lënë pa përmendur as çështjen më të nxehtë të ditëve të fundit, atë të statusit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nga fjala e tij duket se kryeministri Rama është “revoltuar” për mosmarrjen e statusit kandidat, edhe pse në qoftë se do të merrej, ai nuk do ta njihte vetëm si meritë të qeverisë së tij, por edhe të ish-qeverisë Berisha.

Rama u shpreh se vendimi për marrjen e statusit në qershor, nuk ishte vendimi më i mirë që BE mund të merrte për Shqipërinë, dhe madje as për rajonin. Kreu i qeverisë theksoi disa përfaqësues forcash ekstremiste antievropiane, në disa vende anëtare të BE-së, që mbajtën qëndrime të papranueshme ndaj Shqipërisë.

Rama tha se refuzon të pranojë në heshtje fyerjet dhe kategorizimet e papranueshme që iu bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në prag të vendimmarrjes, jo nga institucionet e Bashkimit Evropian, as nga qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian, por nga forca dhe individë që ëndërrojnë hapur dhe propagandojnë përditë mbylljen në vetvete të Bashkimit Evropian dhe deri edhe daljen nga euroja apo nxjerrjen e vendeve të tyre jashtë BE-së.

Më tej ai nënvizoi: “Si kryeministër i këtij vendi e refuzoj me përçmim abuzimin që bëjnë në fenë e shqiptarëve, këto lloj forcash dhe individësh që s’kanë asnjë lidhje me idealin e etërve themelues të Bashkimit Evropian. Dua të jem prapë shumë i qartë dhe në shqipen evropiane, dua ta përcaktoj sot rrugën tonë drejt familjes evropiane me fjalët e njërit prej mendjendriturve më të mëdhenj të Evropës, që ia kushtoi jetën dhe kaloi mes shumë peripecish për të çelur rrugën e Bashkimit Evropian, Jean Monnet, i cili thoshte ‘nuk jam optimist, por jam i vendosur për Bashkimin Evropian’.

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama, në lidhje me statusin e Shqipërisë:

Padyshim që 100-ditëshi do të kishte qenë perfekt në qoftë se do të ishte kurorëzuar me statusin e kandidatit, edhe pse e kemi thënë dhe padyshim e përsëris edhe sot nuk do të ishte arritja jonë ekskluzive. Ne thjesht bëmë çmos në 100 ditë që t’i jepnim atë shtysë që mungonte për ta merituar statusin bazuar në çka është shprehur Komisioni 1 vit më parë dhe bazuar në gjithçka kemi dëgjuar nga miqtë dhe partnerët tanë që nga fillimi i 100-ditëshit. Nisma për dialog të nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian që Komisioneri Fyle e vlerësoi si nismën e dialogut të nivelit të shkëlqyer ishte njëri nga hapat e kërkuar prej kohësh dhe që ne e realizuam falë edhe angazhimit të drejtpërdrejtë të Ministres së Integrimit me shumë përkushtim në gjithë këtë proces. Plani Strategjik i Veprimit për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsëri ishte një domosdoshmëri e shkuar dhe u realizua në një kohë rekord.

Po ashtu edhe krijimi i sektorit të Shoqërisë Civile në Ministrinë e Integrimit ishte një risi që u përshëndet. Por, të gjitha këto nuk ishin ç’ka e kishin penguar Shqipërinë deri dje të merrte statusin. Të gjitha këto ishin plotësuese për të marrë vlerësimin e lartë që morëm dhe, sigurisht, vendimi për marrjen e statusit në qershor nuk ishte vendimi më i mirë që BE mund të merrte. As për rajonin nuk ishte gjëkundi vendimi më i mirë. S’ka dyshim që ne na vjen mirë, më vjen mirë mua, i vjen mirë të gjithë ministrave, i vjen mirë gjithë përfaqësuesve të shumicës parlamentare që puna e sapo nisur e qeverisë së re është vlerësuar me notat më pozitive, nga vendet anëtare. Gjë që na është ritheksuar qoftë në bisedën e drejtpërdrejtë me komisionerin Fyle pas marrjes së vendimit, marrjes së vendimit për të mos marrë vendim, qoftë në takimin që së bashku me ministrin e Jashtëm dhe ministren e Integrimit kemi pasur me ambasadorët e Bashkimit Evropian para dy ditësh. Mbetemi të keqardhur që opozita vazhdon “ia mbyt katundit” siç i thonë lidhur me çështjen e statusit, ndërkohë që vetë kushtet e vështirësuara prej situatës brenda disa vendeve anëtare të BE-së mund ta kishin bërë opozitën më solidare jo me qeverinë natyrisht, por me shqiptarët përballë qëndrimesh të papranueshme që mbajtën haptazi ndaj nesh, në vigjilje të vendimmarrjes, përfaqësues forcash ekstremiste antievropiane në disa vende anëtare.

E kam dëgjuar nga udhëheqësa dhe udhëndjekësa të Partisë Demokratike të na akuzojnë si eurofobë, se po hedhim baltë mbi Evropën. Jo! Ne thjesht kemi refuzuar të pranojmë në heshtje fyerjet dhe kategorizimet e papranueshme që iu bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në prag të vendimmarrjes, jo nga institucionet e Bashkimit Evropian, as nga qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian, po nga forca dhe individë që ëndërrojnë hapur dhe propagandojnë përditë mbylljen në vetvete të Bashkimit Evropian dhe deri edhe daljen nga euroja apo nxjerrjen e vendeve të tyre jashtë BE-së. Kësi forcash, fatkeqësisht, po rriten nëpër sondazhe në vendet e tyre dhe zërat e kësisoj individëve është fakt se arrijnë ta ndikojnë për keq edhe fatin në tërësi të politikës evropiane të zgjerimit. Kjo është e vërteta. Është një e vërtetë e njohur botërisht. Nuk është shpikje e jona, siç ishte për shembull albanofobia që ishte shpikje ekskluzivisht shqiptare. Nëse për opozitën këto forca janë të dëshiruara sepse pengojnë, përveç shumë gjërash, brenda BE-së edhe rrugën tonë të integrimit dhe kështu opozita mund të fajësojë qeverinë apo mua vetë për mosmarrjen e statusin me shpresën, në fakt, të varfër se do nxjerr ndonjë pikë uji për mullirin e vet në këtë thatësirë të madhe për të, kjo është zgjedhja e opozitës. Ndërsa unë vetë mes heshtjes kokulur ndaj deklaratave të atyre që në çfarëdo gjuhe të Evropës e akuzojnë haptazi Shqipërinë si çerdhen e gjithë të zezave dhe thënies shqip të të vërtetës se këto lloj forcash dhe jo Shqipëria janë problemi i Bashkimit Evropian, sot, nuk preferoj heshtjen tinëzare për motive politike të brendshme, po shqipen e qartë, shqipen evropiane të Naim Frashërit që ia ka thënë këtij kombi kaherë se dielli i shqiptarëve lind nga perëndimi. Shqipen evropiane të Fan Nolit që e bëri Shekspirin të flasë edhe shqip dhe foli për të gjithë shqiptarët gjuhën evropiane të integrimit në Evropë ende pa aguar Bashkimi Evropian. Shqipen evropiane që në Shqipëri e flasin njësoj në harmoni myslimanë dhe të krishterë, në emër të së cilëve si kryeministër i këtij vendi e refuzoj me përçmim abuzimin që bëjnë në fenë e shqiptarëve, këto lloj forcash dhe individësh që s’kanë asnjë lidhje me idealin e etërve themelues të Bashkimit Evropian.

Dua të jem prapë shumë i qartë dhe në shqipen evropiane dua ta përcaktoj sot rrugën tonë drejt familjes evropiane me fjalët e njërit prej mendjendriturve më të mëdhenj të Evropës, që ia kushtoi jetën dhe kaloi mes shumë peripecish për të çelur rrugën e Bashkimit Evropian, Jean Monnet, i cili thoshte ‘nuk jam optimist, por jam i vendosur për Bashkimin Evropian’. Rrugën e fatit evropian për atdheun tonë e kanë shkruar gjeografia, historia, gjaku, letrat dhe stërmundimet e njerëzve tanë, që nga rilindasit e kombit tek heronjtë e çdo beteje për kombin shqiptar, që nga dëshmorët e Luftës Nacional Çlirimtare tek martirët e diktaturës komuniste, që nga emigrantët e parë të ambasadave dhe studentët e dhjetorit, pak pas tyre, tek artistët që shkëlqejnë nëpër botë dhe tek çdo shqiptar i zakonshëm që në tërë këto vite ka ëndërruar Evropën dhe ka ndërtuar një copëz sado të vogël Evrope, qoftë këtu në Shqipëri për vendin apo për familjen e vet, qoftë jashtë Shqipërisë. Rrethanat e reja në Evropë prodhojnë, fatkeqësisht, gjithnjë e më pak optimizëm për Bashkimin Evropian dhe gjithnjë e më shumë “enlargement fatigue” siç e quajnë atyre anëve lodhjen nga zgjerimi, ndërsa për ne prodhojnë përditë dhe më shumë vendosmëri.

Vendosmëri jo për t’u mbushur mendjen atyre që do të na gjykojnë në Bruksel për progresin e bërë, por për të ndërtuar çdo ditë për popullin tonë rrugën e Shqipërisë Evropiane. Vendosmëri për ta rilindur vendin tonë dhe për ta ngritur atë në lartësinë e duhur në sytë e mbarë botës. Vendosmëri për të ecur më shpejt në rrugën që kemi nisur në këto 100 ditë, për të vendosur rendin ligjor dhe rilindur ekonominë kombëtare dhe familjare të shqiptarëve. Vendosmëri për dialog për të dëgjuar me vëmendje të tjerët, opozitën, sipërmarrjen, grupet e interesit, shoqërinë civile, përpara se sa të marrim vendimet që e kemi ne peshën e përgjegjësisë t’i marrim për çka është në kompetencat e qeverisë. Vendosmëri për të marrë përgjegjësi për të bërë ne të parët detyrën karshi kushtetutës, ligjit, palëve të tjera të interesuara sipas çështjeve dhe rasteve dhe pastaj për ta kërkuar deri në fund marrjen e përgjegjësisë edhe nga të tjerët. Vendosmëri për të krijuar dhe forcuar partneritete në çdo drejtim dhe për çdo sfidë për të ndërtuar së bashku me të tjerët falë dialogut dhe përgjegjësive respektive rrugën e re të Shqipërisë së gjeneratës tjetër. 100 ditë pasi u ulëm në shërbim të zgjedhësve dhe për Shqipërinë e gjeneratës tjetër në tryezën e qeverisë së vendit, ne, edhe falë refuzimit për të na e dhënë statusin tani dhe për të na e lënë në qershor, jemi ende më të vendosur dhe ende më besimplotë se ç’ishim që jo vetëm do t’ia dalim të mbajmë çdo zotim që kemi marrë përpara shqiptarëve, por do t’ia dalim që në katër vjet të transformojmë imazhin e të huajve për Shqipërinë, atdheun tonë të përbashkët.