Shqipëria merr statusin në dhjetor

51

beNdryshe nga tetori i kaluar, kësaj here Komisioni Europian pritet të rekomandojë pa kushte, statusin kandidat për Shqipërinë.

“Komisioni dëshiron të propozojë statusin kandidat për Shqipërinë, e deri tani nuk flitet për ndonjë kusht në lidhje me këtë nga ana e Komisionit,- rrëfeu për Top Channel, një zyrtar i lartë i këtij institucioni. – Por, kushtëzimet parashikohet të renditen në po këtë rekomandim për procesin e nisjes së negociatave për anëtarësim”.

Për kushtet në lidhje me negociatat, zyrtari europian shpjegoi se mund të ketë ndryshime në referencat ndaj 12 prioriteteve kyçe. Kjo për shkak “të paqartësisë” apo “përplasjeve”, meqenëse një veprim i caktuar nuk përkon vetëm me një, por me disa prioritete të listuara.

Pavarësisht propozimit për Shqipërinë që do të bëjë Komisioni ndaj Këshillit të BE-së më 16 tetor, vendet anëtare, që vendosin për këtë, shfaqen hezituese jo vetëm për çeljen e negociatave, por edhe për dhënien e statusit kandidat. Gjermania, Franca, Britania, Irlanda shfaqen skeptike për të miratuar dhënien e statusit në Dhjetor, siç rrëfejnë të tjera burime diplomatike për Top Channel. Holanda, megjithëse nuk shfaqet hapur kundër dhënies së statusit ndaj Shqipërisë, ka gjasa të ndjekë qëndrimin e vendeve skeptike. Kjo i faturohet imazhit “jo të mirë” që gëzon vendi për plotësimin e reformave të kërkuara nga BE për integrimin gjatë këtyre viteve.

Ndërkohë, mësohet se Komisioni u ka kërkuar kryeqyteteve skeptike europiane që të listojnë detyrat që duhet të përmbushë sipas tyre Shqipëria deri në muajin dhjetor për të pasur një vendim pozitiv për statusin kandidat.

Pas miratimit të dy ligjeve të mbetura dhe rregullores se Kuvendit, si dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Brukseli kërkon të shohë raste të ndëshkimit për korrupsion të zyrtarëve të lartë, të cilitdo krah politik qofshin ata. Ndërsa për çeljen e negociatave për anëtarësim, sipas burimeve të Top Channel një gjë e tillë është vështirë të arrihet përpara zgjedhjeve europiane të 2014.