Artan Didi merr flamurin e Policisë së Shtetit

53

plicMëngjesin e sotëm është zhvilluar ceremonia marrjes së detyrës nga drejtorit i ri i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Ky i fundit e ka marrë flamurin e Policisë së Shtetit nga Hysni Burgaj në praninë e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Tahiri në fjalën e tij u shpreh i vendosur në luftën kundër krimit dhe tha se do ta mbështesë drejtorin e ri. “Një gjë na bashkon të gjithëve, misioni i lartë në shërbim të qytetarëve dhe shtetit. Garantoj mbështetje të plotë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. I uroj shumë suksese te gjithëve dhe pune të mbarë”,- tha Tahiri gjatë prezantimit të bërë.

Ndërsa Didi u betua se do ta mbajë me nder këtë flamur dhe di t’i shërbejë vendit në emër të detyrës. “Në respekt të veprës së policisë shqiptare, në emër të atyre që kanë rënë në krye të detyrës, në emër të atyre që shërbejnë e në emrin tim, betohem për të mbajtur me nder flamurin e policisë së shtetit” tha Didi.

Këshilli i Ministrave miratoi dje emërimin e Artan Didit në krye të Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Hysni Burgajt. Prezantimi i Artan Didit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është bëra nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ndërsa po sot janë prezantuar edhe dy nëndrejtorët e policisë Sokol Bizhga dhe Altin Qato.

Policia e Shtetit ka pësuar dje një rokadë të thellë, që ka ndryshuar jo vetëm kupolën në qendër, por edhe 12 drejtorët e policisë në qarqe. 36 drejtues të lartë të policisë së shtetit janë lëvizur dje nga një strukturë në tjetrën, ndërkohë që kjo reformë ka prekur edhe kreun e policisë që u zëvendësua nga Artan Didi.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri sqaroi dje se ndryshimet në strukturën e Policisë së Shtetit dhe zëvendësimi i të gjithë drejtorëve të policive në qarqe përmbyllën fazën e parë të reformës strukturore të Policisë. Ministri Tahiri bëri të ditur se është reduktuar numri i funksionarëve në drejtorinë e policisë për të fuqizuar më tepër komisariatet ndërsa shtoi se krerët e rinj të policisë janë zgjedhur mbi bazën e kritereve të forta.

Artan Didi me një karrierë të gjatë në polici, me funksione si në hetimin e krimeve, ashtu edhe në të rendit, ishte nxjerrë në reformë në vitin 2006 nga qeveria e asaj kohe.