SHBA, Komisionit të Ligjeve: Ndryshimet nuk janë diskutuar bashkërisht

49

ambasada-amerikaneeeAmbasada e SHBA-së në Tiranë i ka dërguar një letër Komisionit të Ligjeve, lidhur me dy ligje që janë dërguar në Kuvend për miratim. Në letër, Ambasada Amerikane shprehet se nuk është diskutuar bashkarisht mbi projektligjin për parandalimin e krimit të organizuar dhe atë të procedurës penale.

Sipas ambasadës amerikane, ndryshimet në ligj janë propozuar pa konsultim publik dhe pa këshillimin me ekspertë të ambasadës apo të tjerë.

Ambasada e SHBA-së nxit Kuvendin që të marrë kohën e nevojshme për të vlerësuar, komentet dhe propozimet e të gjithë institucioneve që punojnë në fushën e të drejtës penale.

“Në veçanti ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale janë delikate nga pikëpamja teknike e politike dhe duhet të bëhen me kujdesin më të madh, në mënyrë që të jenë lehtësisht të zbatueshme e t’i qëndrojnë kohës. Në këtë kontekst, ne dëshirojmë t’ju kujtojmë se, qysh nga muaji tetor 2011, Ministria e Drejtësisë ka ftuar dhe angazhuar një numër të madh agjencish vendase e ndërkombëtare në një proces për rishikimin e plotë të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në letër.