Problemi është te Drejtësia? Apo te Politika?

45

berisha18-1024x651Nga Adrian Thano*

Të arrestohet Sali Berisha? Shqipëria nuk është gati. Problemi tek ne është drejtësia – thotë Mero Baze. A është plotësisht kështu? A është vetëm situata në Drejtësi arsyeja pse Sali Berisha dhe ministrat e tij nuk po shkojnë atje ku duhet të ishin? Pak e vështirë të thuhet.

Drejtësia është një sistem jo i centralizuar ku interesat janë të lëvizshme dhe personalitetet që i mbartin ato janë të larmishëm. Do ishte e tepërt të besoje se dikush mund ta kontrollojë këtë sistem të gjithin, ose njëherë e përgjithmonë. Është e vërtetë që ka gjykatës që janë hedhur tashmë pa kthim në anën e krimit, – si dhe ka të tjerët që janë ende me një këmbë apo me të dyja në anën e ligjit. Cila nga këto dy kategori nuk do ta dënonte Berishën? Gjykatësit e kriminalizuar? Jo. Ata më shumë se të tjerët janë gati t’ia lëpijnë këpucët Edi Ramës (për numrin e tij u duhet një goxha llapë) njësoj siç ia kanë lëpirë derimdje Berishës. Ne nuk i kemi të pakta dëshmitë që pikërisht ata “më të zjarrtit” (këtu nuk e kam fjalën vetëm për gjykatësit) janë të parët që e rrotullojnë gjuhën më “anë tjetër” kur vjen puna te talenti i lëpirjes.

Pra, këta gjykatës të korruptuar, mendoj unë, do ishin më të zellshmit për ta dënuar Berishën me sinjalin më të parë politik të mazhorancës së re.  Për pjesën tjetër të gjykatësve, që nuk e kanë ndyrë ende plotësisht veten dhe profesionin, afërmendsh nuk ka arsye që të mos zbatojnë ligjin nëse vjen fjala tek një proces gjyqësor ndaj Berishës apo një ish-ministri. E thënë shkurt, kjo drejtësi, edhe kështu siç është, e dënon që ç’ke me të Sali Berishën.

Me këtë nuk dua të them që drejtësia nuk ka nevojë për reforma. Jo vetëm drejtësia, por këtu të gjithë kemi nevojë për një shkundje të madhe, për një ristartim; së pari për një reflektim të thellë individual, për atë që po i bëjmë vetes. Ne kemi mbërritur si shoqëri në një pikë kritike, në një anarki morale, viktimë e së cilës mund të bëhet secili prej nesh, nga qytetari i parë tek i fundit. Askush nuk ka mbrojtje nga kjo, askush nuk mund të krijojë ishullin e tij të luksit dhe sigurisë në një vend të tillë. Kush mendon ndryshe është jo vetëm i papërgjegjshëm, por edhe naiv.

Padyshim pra, që drejtësia ka nevojë për reformim, por nuk është situata në drejtësi arsyeja pse Berisha, apo Ruli, Imami, Halimi, etj., që përmend Meroja, nuk po shkojnë në burg. Arsyeja është politike dhe duhet kërkuar tek politika, jo te drejtësia.

A e duan Rama e Meta arrestimin dhe gjykimin e Berishës? Unë besoj se Rama e Meta duan ta shmangin hë për hë këtë gjë me të gjitha mënyrat. Sepse sot, më shumë u bën punë një karagjoz jashtë se një hero brenda; më mirë për ta një gërdallë komiko-politike, që vazhdon edhe pas dy dekadash të merret me kockat e tretura të Enver Hoxhës, se një i saporënë nga pushteti, në burg; më mirë një i diskredituar që nuk e kupton ende sa shumë e urrejnë në këtë vend, se një i ndëshkuar që do tërheqë vëmendje për shkak të izolimit. (një tallje e vogël që e tradhëton këtë nevojë politike është “leja” e posacme që i është dhënë Berishës për të folur në Kuvend sa të dojë jashtë limiteve kohore).

Dhe sado paradoksale të duket besoj njëherazi që vetë Berisha e ndjell dhe e mezipret një proces të shpejtë ndaj tij, më shumë se ç’mund ta dëshirojnë 1 milion shqiptarët që e kundërvotuan.  Kronika e ngjarjeve sugjeron që Berisha po e kërkon me ngulm pas 23 qershorit një konflikt. E projektoi kur rrëmbeu godinën e SHQUP-it me shpresën që do ndërhyhej me forcë mbi të pas ndërrimit të qeverisë. E rikërkon me përpjekjen e pareshtur për të nxjerrë PD-në në rrugë, e provoi me nëpunësin civil, me videon e Korçës, pastaj me armët kimike, rrëmben si i lojtur gjithçka që mund të sjellë konfliktin. Dhe veç pandehmës së tij për t’u heroizuar afër të 70-ve, – një konflikt politik do energjizonte pasione të verbra në një publik që ka ende shumë rrugë përpara.  Ka njerëz që nuk janë ende në gjendje as të ndërtojnë një analizë të plotë e të saktë mbi atë që i ka bërë këtij vendi Berisha. Nuk kanë informacion, nuk kuptojnë dhe kush nuk kupton, adhuron.  Deformimi i mediave, ka bërë të vetën dhe Berisha është prapë hë për hë ushqyesi dhe përfituesi më i madh i kësaj situate.

Po a duhet arrestuar ai? A duhet dënuar ai dhe bashkëpunëtorët e tij? Padyshim që PO. Është e përçmueshme, e trishtuar, kriminale ajo që  ky i sëmurë për pushtet i ka bërë kësaj shoqërie. Mero e thotë mirë që ndëshkimi i tij, do të ishte lehtësim për një gjeneratë të tërë të zhgënjyer shqiptarësh nga demokracia. Por e ka gabim kur thotë që problemi është te drejtësia.

* Gazeta DITA