Në fjalimin e përjavshëm dje në radio, Presidenti Obama kritikoi përsëri republikanët për parashtrimin e kushteve politike për miratimin e projekt-ligjit për buxhetin dhe rritjen e tavanit të borxhit:
“Nuk do të paguaj shpërblim në shkëmbim për rihapjen e qeverisë. As nuk do të paguaj shpërblim për rritjen e tavanit të borxhit”.
Po dje, ligjvënësi republikan Eric Cantor kritikoi kundërshtimin e presidentit për të negociuar: “Ky nuk është qëndrim udhëheqës. Pikërisht mungesa e vullnetit për t’u ulur në negociata e ka sjellë këtë mbyllje të qeverisë”.
Ajo që e ndërlikon edhe më tej konfliktin është fakti se shumë ligjvënës demokratë dhe republikanë duket se besojnë se qëndrimi i tyre do të triumfojë nëse ruajnë unitetin brenda partisë dhe vazhdojnë rezistencën. Anketat tregojnë se amerikanët fajësojnë republikanët më së shumti për mbylljen e qeverisë. Ligjvënësi demokrat Jim Moran beson se kjo strategji do t’i dëmtojë: “Do t’u dalin llogaritjet keq, pasi mendoj se shumica e amerikanëve duan që qeveria të jetë në funksionim”.
Demokratët shpresojnë se irritimi publik do t’i detyrojë republikanët e moderuar të bashkohen me demokratët për të miratuar një ligj të pastër vetëm për buxhetin. Deri në atë moment, ligjvënësi Moran thotë se demokratët duhet të qëndrojnë të fortë: “Mendoj se do të ishte gabim të kapitullonim. Asnjë nga kërkesat e republikanëve nuk është e pranueshme”.
Republikanët po përpiqen të anulojnë ligjin për kujdesin shëndetësor dhe të reduktojnë qeverinë në përgjithësi. Shumë ligjvënës republikanë besojnë se mund ta arrijnë këtë nëse këmbëngulin në qëndrimin e tyre. Ligjvënësi republikan Doug Lamborn thotë se nuk beson se refuzimi i Presidentit Obama për t’u ulur në negociata do të vazhdojë gjatë:
“Zoti Obama po i përmbahet atij qëndrimi sot, por nuk mendoj se mund të vazhdojë gjatë në këtë mënyrë”. Për momentin, Presidenti Obama dhe demokratët në Kongres po i përmbahen një qëndrimi unik, duke kërkuar financimin e operacioneve qeveritare në nivelet e miratuara më parë.
Disa ligjvënës republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat kanë vënë në pikëpyetje taktikat e partisë së tyre, por përçarjet në parti ende nuk kanë marrë përmasa aq të mëdha sa të detyrojnë kryetarin e Dhomës John Boehner të hedhë në vote një projekt-ligj pa parakushte të tjera.
Dje Dhoma e Përfaqësuesve votoi për të paguar punonjësit qeveritarë që janë pezulluar nga mbyllja e qeverisë, por ende nuk dihet sa do të zgjasë kjo mbyllje.