Selanik, një i ri kërcënon me granatë në Kullën e Bardhë

61

policia grekeNë alarm është policia e Selanikut që nga ora 08.30 e ditës së sotme, pasi një mashkull i moshës rreth 30 vjet, qëndron në hyrjen e Kullës së Bardhë të qytetit dhe kërcënon të shpërthejë një granatë, që pretendon se e ka në xhepin e pantallonave.

Aty pranë ndodhen negociatorët e policisë duke u përpjekur të kthejnë mendjen 30 vjecarit. Pak para orës 10:00 dy negociatorët arritën t’i afrohen e të bisedojnë me të riun, i cili iu kërkoi atyre një cigare.

Nga informacionet paraprake, mësohet se 30 vjecari ka qenë më parë në një klinikë psikiatrike. Sipas policisë, kërkesat e tij nuk janë të qarta, por në mes tyre ai përmend se dëshiron “të pastrojë” emrin e tij.

Në vendngjarje ndodhet edhe ambulanca, ndërsa janë evakuuar vizitorët e Kullës dhe nuk lejohen kalimtarë pranë saj.