Sarandë, aty ku jetimët presin me padurim te integrohen

Share This
Tags

Shtepia-e-Femijes-ne-qytetin-e-SarandesTelnis Skuqi

Kur Fatjona, vajza jetime, gjeti fatin e saj në moshën 23 vjeçare, askush nuk foli për të, por kur u divorcua pas katër muajsh, disa fajësuan administratën e jetimores së Sarandës për “mblesëri të gabuar”. “Nuk mund të bëjmë pazar me jetën e jetimeve”, thotë Adriana Kushta, drejtoresha e shtëpisë së fëmijës. Ajo tregon se Fatjona ka pasur një prapambetje të moderuar mendore, si dhe është braktisur nga të dy prindërit qysh në lindje. Në shkollë, tregon Adriana, ka qenë një nxënëse mesatare, ndërsa në moshën 16 vjeçare i duhej të largohet nga jetimoria. “Fatjona ishte fatlume që shkollën e mesme ekonomike ta vazhdonte në Sarandë, por nuk tregoi interes”, thotë Adriana.

Administrata e gjetur përpara një fakti të tillë, vendosi ta mbajë si vullnetare në jetimore, pasi nuk kishte vend tjetër për të. Qëndrimi i saj, në fillim me dokumentacion të rregullt, i tha mundësi Fatjonës të aktivizohet me punët e institucionit derisa një ditë vlerësohet nga një inspektor i shërbimit social si e parregullt.

“Një inspektor i Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH) e ka cilësuar si shkelje ligjore”, thotë Adriana. Administrata e ndodhur para një fakti të tillë, nisi procedurat e largimit, por asnjë institucion social nuk e pranonte Fatjonën. “Ne kishim një detyrim moral që vajzen mos ta lëshonim në rrugë dhe kështu vendosëm ta martojmë me një djalë nga Delvina, pasi prindërit e tij treguan interes për të”, thotë Adriana. Nga jetimorja iku si nuse. Një dasëm u bë për Fatjonën, madje u desh një automjet për pajën. Por, pas katër muaj martesa mori fund. Vjehrra dhe burri e kthyen mbrapsht Fatjonën. “Që prej fundjanarit, Fatjona qëndron në Shtëpinë e Fëmijës me një urdhër nga pushteti vendor për një afat 10- ditor derisa të sigurohet një strehë për të”, specifikon Adriana.

Tashmë për Fatjonën dhe Adrianën kanë nisur problemet. Drejtoresha është e detyruar ta largoje nga jetimorja, ndërsa vajza 24 vjeçare është në kërkim të një institucioni social. Adriana thotë se Fatjona është rast i veçantë, ajo përfiton një asistencë sociale, por nuk ka strehë dhe punë.Jorgo Mitro Nenkryetar i bashkise Sarande Foto Telnis Skuqi ATSH

Sipas ligjit ekzistues, jetimët trajtohen në institucione sociale deri në moshën 16 vjeç, më pas vendosen në shkollat profesionale. “Shteti harxhon miliona lekë për rritjen e tyre dhe në moshën më delikate i lëshon në rrugë”, thotë Adriana e shqetësuar. Për rastin e Fatjonës, rrëfen Adriana, i kam shkruajtur letër Shërbimit Social Shtetëror dhe përgjigja ka qenë: “Të kujdeset pushteti vendor”. “Shteti duhet të japë zgjidhje”, thotë Adriana, duke shtuar se “Bashkia nuk ka asnjë mundësi ligjore që ta bëjë këtë”, shton ajo. Sipas Adrianës, shteti prej 24 vitesh nuk ka asnjë politikë për integrimin e jetimëve.
Sivjet, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë (MMSR), ka vendosur të rishikoje legjislacionin për të gjithë jetimët në vend, duke pasur parasysh edhe sugjerimet që kanë bërë vitet e fundit shoqatat për mbrojtje të tyre. Siç është bërë e ditur nga MMSR, 400 fëmijë që janë vendosur të institucionet e përkujdesit, nuk do të largohen pa mbushur 18 vjeç. Për jetimët dhe shtetin është një lajm i mirë, pasi do të ketë më shumë kohë për të menduar një zgjidhje për strehimin, arsimimin apo dhe punësimin e tyre. Drejtoresha e jetimoresh së Sarandës, Adriana Kushta, mendon se kjo është një zgjidhje e mirë, por e përkohshme. “Çfarë do të bëhet me këta jetime pas katër vitesh, ku do të strehohen, punësohen apo integrohet këta jetime pas moshës 18 vjeç”, pyet Adriana.

Nga 40 fëmijë jetime që jetojnë në Shtëpinë e Fëmijës Sarandë, 5 apo 6 prej tyre nuk kanë perspektivë të integrohen, sidomos vajzat. “Djemtë për shkak të natyrës kanë prirje të integrohen më shpejt, ndërsa vajzat janë më të brishta”, specifikon Kushta. Këtë mendim ndan edhe nënkryetari i bashkisë së Sarandës, Jorgo Mitro, i cili ka ndjekur hap pas hapi rastin e Fatjonës. “Si Fajtona ka shumë Saranda”, shprehet Mitro. Sipas tij, jetimora e qytetin bregdetar, në jug të vendit, ka një varësi të dyfishtë. “Sipas ligjit, bashkia ka vetëm rol rregullator, ndërsa politikat dhe rregulloret janë të caktuara nga ministria”, thotë Mitro. Nënkryetari i bashkisë është i vetdijshëm që ka nxjerrë një urdhër të “nxituar”, por, siç thotë ai, më mirë një fëmijë më shumë në jetimore, se sa një vajzë në duart e trafikanëve të “mishit të bardhë”. “Realisht pushteti vendor s’ka asnjë mundësi për ta sistemuar Fatjonën. Në fakt jetimët i kanë rrugët shumë të vështira, pasi nuk ekzistojnë politika të qarta për raste të tilla”, nënvizon Mitro. “E gjithë kjo procedurë është një zinxhir i këputur. Shteti duhet të hartojë politika të qarta dhe taksative”, shton ai.
Ilir Çumani, drejtori i përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë (IKIJSH), e vlerëson problematike “Statusin e Jetimit”.Ilir Cumani Drejtor i Institutit Foto Telnis Skuqi ATSH

“Shqetësimi për këtë problem është ngritur nga drejtuesit e institucioneve që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie, të cilët do të kërkojnë ndryshim të ligjit aktual”, thotë Çumani. Hartimi i një ligji të plotë, bashkëkohor, konform standardeve të Bashkimit Europoia, vijon Çumani, do të garantojë një status të avancuar social për jetimët. Sipas tij, synimi është që ligji t’u vijë në mbrojtje fëmijëve jetime në drejtim të punësimit, të arsimimit, të integrimit dhe të strehimit. Çumani thotë se shumë jetimë pasi tejkalojnë të 18-tat, shteti i braktis dhe shpesh janë fëmijë të harruar. “Në fakt “Statusi i Jetimëve” nuk ka të përcaktuar qartë kompetencat që ka qeveria qendrore dhe ajo vendore në respektimin e të drejtave të tyre”, nënvizon Çumani, ndërsa shton se zyrtarisht në Shqipëri numërohen 21 mijë jetimë.

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>