Rama: Pa drejtësi nuk ka paqe

68
Edi Rama në Top Channel.
Edi Rama në Top Channel.

I ftuar në emisionin ‘Top Story’ lideri socialist Rama ka deklaruar, se është shumë e rëndësishme të vihet në vend drejtësia, sepse pa drejtësi nuk ka paqe. Ai theksoi, se fillimisht duhet të heqim duart e ekzekutivit nga pushteti gjyqësor dhe se, nuk mund të ndërmerrte personalisht një kryqëzatë antikorrupsion, pasi kjo do të bëhej nga një sistem drejtësie i pavarur.

Zoti Rama, në vitin 1998 ju mbërritët në Tiranë për një çështje personale dhe pas pak kohe u futët në qeveri. 15 vjet pas nisjes së projektit që përfundoi me dy gola, atë që ju bën kryeministrin dhe tjetrës që i jep fund epokës së dominimit të politikës shqiptare nga zoti Berisha, ju si ndihen?

Të them të drejtën nuk e përjetoj si një triumf personal dhe jam shumë i sinqertë në këtë pikë. Vota e 23 qershorit ishte një votë e barabartë me një revolucion të heshtur me votë. Për mua nuk është një votë që ndryshon një qeveri nga një tjetër, por një votë për një ndryshim shumë më të madh dhe kjo paralelisht me gëzimin e natyrshëm rrit shumë edhe përgjegjësinë, rrit shumë edhe nevojën për të qenë të vetëdijshëm se shqiptarët nuk kanë luftuar për të na dhënë ne mundësinë të ulemi në karrige, por na kanë vënë në krye të punëve për të bërë për ta ndryshimin që besoj jua bëmë më të afërt duke i zgjuar një shpresë që dukej sikur nuk do të zgjohej më në kushtet e një rrënimi të përgjithshëm.

Në librin tuaj “Kurban”, duke bërë analizën e ndryshimeve kushtetuese, pranoni me tone autokritikë se për disa nga aty ndryshime, në vend që të vinim vetulla nxorëm sytë. Çfarë planifikoni të bëni për të riparuar atë dëm që është bërë për rivendosjen e balancës së pushtetit?
Kjo është një çështje e hapur dhe më lejoni që t’iu përgjigjem shumë thjesht: Ne i fituam zgjedhjet me një mandat shumë të fortë, për të ndërtuar një realitet të ri dhe natyrisht që jam i vetëdijshëm se zgjedhjet i fituam duke ndërtuar një koalicion që i dha mundësi njerëzve të ndihen të mbrojtur e shkuan në votime pa drojë, me bindjen që koalicioni ynë do të garantonte shprehjen e vullnetit të tyre siç rezultoi. Ky koalicion, i përbërë me shumë parti, por i vendosur mbi boshtin strategjik PS-LSI, do të vijë në pushtet me një reflektim për të shkuarën në shumë aspekte dhe gjëja që më takon të them është se të gjitha këto çështje do të konsultohen në mënyrë të ngushtë dhe intensive me partnerin tonë, e vendimmarrja do të jetë fryt i konsultimit. Pra, nëse deri dje kemi pasur një qeveri me një kryeministër që i anonçonte në TV vendimet, e të shumtën e herës vendime tërësisht arbitrare, kjo nuk do të ndodhë më. Vendimet që do të më takojnë të anonçoj do të jenë të konsultuara dhe edhe për këtë çështje do të konsultohemi, e vullneti i dyanshëm ekziston.

 

Tani që fillojnë bien emocionet, lodhjet dhe ekseset e fushatës, unë kam bindjen se deklarata juaj e fitores dhe deklarata e dorëheqjes së zotit Berisha ngelën dy momentet më brilante të kësaj fushate dhe kam bindjen që janë dy momente të cilat ne me krenari mund t’i vendosim në raftin e privilegjuar të demokracisë sonë. Por, ju keni deklaruar akti i parë do të jetë anulimi i planit rregullues të Tiranës, a do të rikonsiderohet kjo ashtu si ristrukturimi i administratës?

Të jeni të bindur që nuk ka paqe pa drejtësi. Me këtë dua të them që sigurisht që do të ndërtojmë një sistem ku nesër, cilido qoftë në pushtet e ne të parët, të mos jetë në gjendje të shpërdorojë liritë dhe të drejtat e njeriut, duke shpërdoruar detyrën shtetërore për të marrë njerëzit e kthyer në kope mitingjesh elektorale. Nga ana tjetër, në qoftë se do të ketë një shembull që “shiko kur gjërat mbarojnë nuk të mbron kush”, të mbron vetëm zgjedhja jote ndaj ligjit. Nëse kjo nuk bëhet, nesër, ata tanët do të bëjnë të njëjtën gjë. Fakti që nëse abuzon me idenë që e je i mbrojtur, siç kanë abuzuar një sërë drejtuesish të Policisë së Shtetit, që janë përgjegjës për situatën që doli jashtë kontrollit me pasojë vdekjen e njerëzve në Laç, atëherë historia përsëritet shumë thjesht. Kështu që ne, pa asnjë dyshim dhe e përsëris, e për këtë jam i bindur, do të bëjmë çmos të japim në radhë të parë njerëzve lirinë për të marrë frymë pavarësisht në janë me ne apo kundër nesh, kudo qofshin, mësues, nëpunës, mjekë, biznesmenë, etj. Nga ana tjetër, kjo s’mund të bëhet me fjalime, por duhet shoqëruar me akte dhe absolutisht konkrete e nuk mund të harrohen ata që i thanë njerëzit o në zyrën elektorale të PD, o në rrugë. Kjo nuk mund të harrohet pasi ky sistem po ndërtohet mbi bazën e kësaj fryme. Mund të kesh një detyrë partiake, por kur ke një detyrë shtetërore të paguan shteti dhe kur merr këtë detyrë e në të mund të bësh ligjin, bindjet politike nuk mund të tolerohen. Sa i takon Bashkisë së Tiranës, jam absolutisht i bindur që eksperienca ime, e atij rrethimi të Bashkisë nga gjithë ajo hordhi pushteti e abuzimi për të penguar punën, do të më ndihmoj që ky pushtet të mos përsërisë ato gabime për të mirë e qytetarëve dhe marrëdhëniet me bashkinë do të jenë të një raporti në respekt të qytetarëve dhe jo i diktuar nga marrëdhënia politike e personale me njerëzit që janë në krye të pushtetit vendor.

Nuk mund të mos bie dakord me idenë tuaj që gjithçka duhet të formësohet nga ligji, e kjo duhet të çojë sjelljen e njerëzve drejt një bashkëvlerë, por këtu ka një problem që nuk është hera e parë që ndërrohen pushtetet dhe ne kemi parë që largimi nga pushteti, nuk ka sjellë dënimin e korrupsionin të pushteteve të mëparshme, edhe për faktin që ajo qeveri që ka dashur të veprojë në këtë mënyrë, është akuzuar se ka dashur të hakmerret ndaj një kundërshtari paraardhës. Ne s’kemi një pushtet të pavarur gjyqësor, ndaj si kapërcehet ky handikap?
Ka dy aspekte, etik dhe penal. Në atë etik, qeveria nuk ka alibi. Nëse drejtori i shkollës nxjerr në rrugë fëmijët në miting ndaj opozitës, këtu jemi në shpërdorim detyre nga ana etike dhe ligjore. Pjesën etike e ka përsipër qeveria, sepse një ministër arsimi dhe një kryeministër që nëse nuk duan që kjo histori të përsëritet, duhet që ata që e kanë shkruar këtë histori si drejtues, s’mund të drejtojnë më. S’mund të drejtojnë më shkolla njerëzit që kanë mbyllur shkollën për të çuar fëmijët në miting dhe ndërkohë, ata që do t’i zëvendësojnë do të marrin mesazhin që vërtet unë mund të shërbejë symbyllurazi, por këta protektorët e mi një ditë s’do të jenë më. Nuk do të ketë më në Shqipëri një kryeministër që do të bëjë të gjithë detyrat, edhe historianin, edhe gjykatësin, edhe trajnerin e kombëtares, të cilin do at kishte bërë po të dinte diçka nga sporti, kryeministër që jepte dënime publike, gjëra që krijuan një gjendje asfiksie duke rrënuar besueshmërinë e institucioneve, duke hapur rrugën e një flirti gjithmonë e më mëkatues midis pushtetit ekzekutiv e atij gjyqësor, duke bërë favore të anasjellta. Pa pretenduar se drejtësia do të ndryshojë sakaq, fillimisht duhet të heqim krejtësisht duart e ekzekutivit nga pushteti gjyqësor. Ndëshkimi i korrupsionit të së shkuarës nuk më takon mua, sepse nuk mund të marr përsipër të bëj një kryqëzatë antikorrupsion, por këtë mund ta bëjë fare mirë një sistem drejtësie i pavarur.
Ka një farë situate agonie në administarë ç’është e vërteta, pasi nisur edhe nga deklarata e aleatëve se të gjithë të hequrit nga detyra do të kthehen, nisur nga këto që ju thatë në pjesën e parë, e duke pasur parasysh mosbesimin që ekziston, cili është mesazhi juaj?
Në tatime për shembull, ka njerëz që ka arsye të forta që tani duhet të ndihen jo mirë dhe të kërcënuar nga ndëshkimi sepse organet tatimore, me një trajtim arbitrar kanë bërë dëme të mëdha mbi kompanitë, e mbi njerëzit që në këtë vend kanë vendosur të merren me një sipërmarrje. Pse dhe si ka ndodhur që këta drejtues i kanë bërë këta dëme, ku e gjetën këtë forcë? Në mbështetjen politike dhe brenda një modeli abuziv që sidomos në vitin e fundit, nuk ka njohur asnjë cak. Ashtu si në rastin e shkollave, administratës, do të kërkojmë që të gjithë ata që kanë një dëshmi për këtë, për marrjen me pahir në fushatë, të dëshmojnë, ashtu siç do të jenë të mirëseardhura dëshmitë e kompanive. Nga ana tjetër, përsa i përket riformatimit të administratës, ne shumë shpejt do të startojmë një program që bazohet në ftesën për të gjithë njerëzit me kapacitet dhe gatishmëri për të shërbyer shtetin, që të aplikojnë dhe mbi bazën e aplikimeve të marrin sa më shumë burime njerëzore të përgatitura për të ndërtuar një administratë që të jetë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve, që do të thotë se të gjithë atyre që i dukej e pamundur t’i shërbehej shtetit sepse do të kalonin nga zyra e kuadrit në partinë që drejtonte ministri i Brendshëm, sot ta kenë të hapur për të ofruar kapacitetin e tyre në shërbim të shtetit. Kthimi i njerëzve në punë ka të bëjë me vendime gjyqësore që kanë përcaktuar se heqja e tyre është bërë arbitrare, ka pasur arbitraritet në heqjen e njerëzve, vetëm për t’i zëvendësuar me besnikë të këtij modeli që shqiptarët e rrëzuan me një votë absolutisht të padiskutueshme.

 

Zoti Rama do të keni ju një bashkëpunim ose një ftesë për parti që janë tashmë të opozitës siç është për shembull partia e Ndokës apo partia e Idrizit. Unë kam parë sot një deputet të ri tuajin që është shprehur kundër kësaj. Mund të na thoni se është dera e hapur për zotin Idrizi?

Koalicioni qeverisë është përcaktuar nga shqiptarët. Sigurisht që ne presim bashkëpunimin e të gjithë partive të opozitës në procesin legjislativ dhe do ishim të kënaqur nëse do ishin të gjitha partitë për sa më shumë konsensus.

 

Bashkëpunim qeveri-opozitë apo si aleat?

Në do të qeverisim me LSI dhe aleatët që u vunë në dispozicion të  1 milion shqiptarëve që na votuan, por dhe për ata që nuk na votuan.

Zoti Rama një problem i cili ka vendi është padyshim dhe menaxhimi i territorit. Ju jeni deputet i Vlorës dhe besoj e keni vënë re që në vijën bregdetare po bëhet kasaphanë me ndërtime?

Ndërtime pa leje po bëhen në mes të Tiranës dhe jo më në zona të tjera. Sot që flasim janë duke u ndërtuar pallate pa leje, pallate dhe jo shtesa. Tre gjëra që do unë do të merrem personalisht janë uji, legalizimet dhe kontrolli i territorit. Nëse për gjërat e tjera do të ketë njerëz kompetentë që do të përgjigjen për këto të treja s’ka asnjë dyshim se janë përgjegjësia ime direkte.