Hafizi: Shkodranët votuan për forcën politike, që do t’u kthente shpresën

71

0,,16911323_303,00Në një intervistë eksluzive për Deutsche Welle, deputetja e ardhëshme e koalicionit të majtë, Mimoza Hafizi flet për shkaqet e fitores së këtij koalicioni dhe për humbjen e së djathtës në qytetin e Shkodrës.

Zonja Hafizi, rezultati në qarkun e Shkodrës është surpiza më e madhe e zgjedhjeve? Shkodra, që nuk e pranoi kurre regjimin komunist të Enver Hoxhës, ka qenë njëzet e dy vjet bastion i së djathtës, duke votuar për PD, voton për herë të parë për të majtën. Si e shpjegoni ju ndryshimin e orientimit te popullata?

Shkodra është rajoni me burimet më të pasura natyrore dhe njerëzore në vend, por realisht thuajse më i varfëri dhe më i papuni. Ky realitet është rrjedhojë e një qeverisjeje pa shpirt, mosmirënjohëse dhe abuzive. Shkodranët e kishin kuptuar me kohë paradoksin e votës, që sjell varfëri, por u desh një forcë politike, që t’u jepte shpresën. T’u jepte dhe guximin për të dalë nga skemat e atrofizuara politike, të krijuara përmes propagandës rrenacake apo përmes trysnisë së grupeve në pushtet.

Programi i rilindjes ishte zgjidhja e duhur dhe shkodranët nuk mund të mos e përqafonin. Ndërkohë, skuadra jonë e rilindjes bëri një fushatë shembullore e të përkushtuar. Organizimi ynë për mbrojtjen e votës hutoi e mpiu prirjet tradicionale për manipulimin e votës. Shkodra jo vetëm u bë pjesë e lumit të rrëmbyeshëm të rilindjes, por i dha atij një drejtim. Shkodranët përmbysën balancat e votës, me mençurinë, guston e hollë, shijen qytetare dhe intelektuale.

A e priste koalicioni i majtë këtë fitore kaq të thellë me kaq epërsi ne Shkodër që para votimit, apo ishit disi të befasuar nga rezultati?

Unë jam shkodrane, lindur e rritur në atë qytet, të cilin e ndjej shumë mirë. Jam edhe fizikane e matematikane, me intuitë shkencore për të kuptuar çdo prirje. Që në fillim të fushatës e kam deklaruar maxhorancën në Shkodër, si objektiv të skuadrës së rilindjes. Nuk ishte bllof, se dinjiteti nuk ma lejon të them absurditete. Ishte objektiv, fillimisht i vështirë në dukje, më pas i pranueshëm dhe në fund realitet.

A do ta kishit siguruar fitoren ne zgjedhje ne qarkun e Shkodres, edhe sikur te mos kishin qenë votat e LSI-së?

Një llogaritje e shpejtë e numrave, që ka dhënë 23 qershori, tregon se votat e LSI ishin faktor i rëndësishëm plus në favor të së majtës, por fitorja jonë do të ishte ruajtur gjithsesi. Unë vetë jam e lumtur, që koalicioni ynë s’ka lënë asnjë forcë të majtë jashtë vetes. Ne dhe LSI kemi programe shumë të përafërta qeverisëse.

Çfarë problemesh kanë ndikuar konkretisht në ndryshimin e orientimit politik të popullatës në qarkun Shkodër? Si shpjegohet kjo lloj humbje e PD-se, kjo renie e thellë epopullaritetit te saj?

Varfëria, papunësia! Përmbytjet e përvitshme, që drobitën popullatën e ekonominë, por gjithashtu treguan qartë se si ky vend po keqmenaxhohet. Aferat tronditëse korruptive të përfaqësuesve të djathtë në pushtet! Klanizmi në qeverisjen lokale e rajonale, i çimentuar deri në neveri. Trysnia e papërballueshme politike, prirja e qartë drejt autoritarizmit!

Sfidat, qe presin fituesit e zgjedhjeve, jane plotesimi i premtimeve elektorale, punësimi, luftimi i varfërisë, luftimi i korrupsionit. A ekziston rreziku që në fushatë të bëhen premtime më shpresëdhënese nga ç’e lejon realiteti, e pastaj gjatë mandatit shihet mundësia e realizimit të tyre?

Programet e premtimet elektorale janë objektivi teorik, i shpallur nga forca politike. Një forcë serioze politike shpall objektiva sa më të realizueshëm. Unë jam e bindur se programi ynë është shumë realist dhe i mundshëm, veçse kërkon përkushtim të madh. Realiteti e lejon, mjafton të shfrytëzohen maksimalisht të gjitha burimet. Fryma ekziston. Gjithçka është në favorin tonë, përveç startit nga ku po e nisim, në gropën e thellë ku na hodhi kjo qeverisje. Unë besoj se do ia dalim me sukses, në aleancë me shqiptarët.

Me fitimin e mandatit, cilat duhet të jenë relatat tuaja me opozitën e ardhshme psh, përsa i përket punësimit në administratë, punës në parlament e në komisione?

Ne jemi forcë europiane e do ta tregojmë këtë edhe në relatat me opozitën. Fund arrogancës meskine, fund arbitraritetit vulgar, fund mediokritetit në drejtim! Fund abuzimit me pushtetin! Administrata jonë do të jetë shembulli i cilësisë në shërbim.

Ju jeni një profesoreshë e mirënjohur e astrofizikës në fakultetin e shkencave të natyrës dhe i njihni problemet e arsimit. Çfarë pritet të përmirësohet në arsimin shqiptar për ngritjen cilësore të tij?

Arsimi shqitar do të rilindë. Mësues të kualifikuar, tekste të cilësisë së lartë, kushte normale pune. Arsimi do t’i përshtatet objektivit për të formuar njerëz qytetarë dhe të aftë për punë në tregun shqiptar e europian. Arsimi i lartë do t’i thotë stop mashtrimit e diplomave pa vlerë. Ne gjithshka e thamë hapur e me guxim, populli na votoi, tani mbetet që ta realizojmë bashkërisht.