“Statusi nuk është gati deri në sekondën e fundit, dhe se sigurisht edhe kjo përpjekje kjo rezolutë ky debat dhe votimi në fund, ndihmon për të shkuar deri në çastin e fundit me gjithçka ne kemi në dorë që të ofrojmë si shprehje të një vullneti për të avancuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsioni në mënyrë të veçantë, ashtu siç e ka nënvizuar edhe KE. Ende duhet të bindim një numër vendesh anëtare, këtë e dimë ne dhe ju, ketë s’kemi pse ta fshehim me këtë dijeni duhet që të gjithë bashkë që rezultati i dhjetorit të jetë pozitiv, dhe Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat.”- deklaroi kryeministri.
Duke vlerësuar rezolutën për integrimin që Partia Demokratike ka paraqitur në Kuvend, kryeministri Rama theksoi se do të çmonte gjithashtu çdo përpjekje të opozitës për të kapërcyer atë që ai e cilësoi si pengesën e fundit në marrjen e statusit kandidat, që lidhet me hezitimin e disa vendeve të BE-së.
“Ky nuk është vendi për të rrahur gjoksin se kush është më shumë evropian dhe kush e do më shumë Shqipërinë. Ky është vendi për të bërë detyrat që na kanë ngarkuar ata që na kanë votuar. Si ne, si ju në fund të ditës nuk kemi asnjë arsye që të ndahemi kur vjen fjala tek ky proces i ndërlikuar dhe i domosdoshëm për Shqipërinë, siç është procesi i integrimit. E çmoj paraqitjen e rezolutës nga ana juaj. Do çmoja çdo përpjekje për të kapërcyer pengesën e fundit për kapërcimin e hezitimit të një sërë vendesh anëtare. Për të kapërcyer këtë nuk duhet vetëm që qeveria të prodhojë rezultate, por që edhe opozita të mos ngatërrojë atë që është pjesë e një qëllimi që unë besoj të përbashkët që është integrimi evropian. Nuk është vetëm vdekja që duhet të na bashkojë por është dhe ajo pjesë e jetës së përditshme të punë sonë që lidhet jo me ne por me të ardhmen e fëmijëve tanë. “- deklaroi Rama.
Duke renditur arritjet e qeverisë në dy muajt e para të punës së saj, kreu i maxhorancës tha se ka ende shumë për të bërë por qeveria është e vendosur për të bërë gjithçka duhet bërë.
Duke i cilësuar si dy muaj plotësisht të suksesshëm, kryeministri veçoi operacionet e suksesshme kundër krimit e korrupsionit, apo anulimin e koncesioneve dhe kontratave që sipas tij janë bërë në dëm të interesave të qytetarëve.
“Mund ta konsiderojmë këtë periudhë dy mujore të suksesshme. Në Shqipëri po qeveriset për shumicën, jo për pak njerëz që përfaqësojnë shumicën në këtë sallë apo në qeverinë e këtij vendi. Kemi anuluar licenca për ndërtimin e impianteve energjetike, 13 të tilla. 6 janë në rishikim. Do ti anulojmë të gjitha kontratat e bëra në dëm të interesave të Shqipërisë dhe interesave të publikut shqiptar dhe të tilla janë të gjitha këto që po anulohen. Jemi duke riparë një numër koncesionesh të tjera që sjellin dëme të mëdha për buxhetin e shtetit dhe xhepat e shqiptarëve”-deklaroi Rama.
Duke iu referuar akuzave të opozitës për lëvizjet në administratë, Rama tha: “Nuk ka asgjë të ngjashme me lëvizjet e viteve më parë. Por synohet t’i kthehen publikut institucionet e marra peng.”