Rama: 21 janari, arsye për qeverisje të drejtë

45

edi rama vlZgjedhja në postin e kryeministrit me votë plebishitare e rëndon peshën e karriges në të cilën Edi Rama është ulur. Kështu shprehet ai në një intervistë për “Top Story”. Por, ndërkohë që vlerëson rolin e mazhorancës së djeshme në hartimin e ligjeve, shprehet se ajo çka është e rëndësishme, zbatimi në praktikë i tyre ka ecur në regres dhe jo progres. Kryeministri ka komentuar vendimet e para të Qeverisë dhe është shprehur se heqja e fotos së Presidentit nga ceremoniali zyrtar është për të evituar përplasjet e herëpashershme politike, zgjidhja më e mirë për këtë ishte Ismail Qemali.

Sokol Balla: Shoh që zgjodhët një vend simbolik të zyrës së Kryeministrit. Dritaren, duhet të keni kujtime nga kjo dritare, protestave…

Kryeministri Edi Rama: Më mirë hajde ulemi i lëmë kujtimet.

Në fakt doja t’u pyesja për 21 janarin sa jemi këtu. E di që intervista të tilla duhet të nisnin ndryshe, por është një peng i madh, besoj, 21 janari.

Është një peng shumë i madhe dhe arsye shumë e fortë për të mos përsëritur të gjitha ato që i shtynë njerëzit të vijnë në këto protesta dhe nga ana tjetër është një arsye shumë e fortë për ta kthyer këtë mandat në mandatin e një qeverisjeje të drejtë.

Çfarë ndjen një person kur vjen në majë të pushtetit, natyrisht duke ardhur në një mënyrë të caktuar si ju, pasi ka qenë një rrugë jo e lehtë?

Është një ndjesi peshe mbi supe, jo një lloj boshllëku, por një lloj ndjesie paralele, një zbrasti që lidhet me kujtesën e hershme si një film me flashback se sa shumë punë, vështirësi, sa shumë problemeve, plagëve janë mbrapa këtij vendimi të njerëzve për të bërë këtë ndryshim sepse në fund ajo që ndodh në skenë është ajo që shohim, por kush e vë në skenë është një popull i tërë që fatkeqësisht bëhet i padukshëm pasi prozhektorët janë mbi skenë, por që është autori që ne jemi në skenë. Nga ana tjetër ma bëri më të lehtë të gjithë këtë kapërcim, se është edhe si një kapërcim, nuk është futja nga një palë shkallë në tjerat, por është një kapërcim periudhash jete dhe periudhash që lidhen me jetën e një vendi, ma bëjnë më të lehtë takimin me zonjën që ka qenë edhe kohën kur unë kam hyrë në këtë godinë si Ministër i Kulturës dhe që shërbente me shumë dashuri për të gjithë në barin e Kryeministrisë.

Ju këtë të diel, ju miratuat 3 vendimet e para. Mund të na thoni diçka më tepër për këto 3 vendime? Kur flitet për vazhdimësi të shtetit, ju bëtë një gjë që duket si një goditje, ju hoqët me vendim qeverie fotografitë e Presidentit Nishani.

Kjo nuk ka lidhje me këtë. E përsëris me Presidentin e Republikës do të bëj gjithçka është në dorën time që të ndërtojmë një marrëdhënie shembullore për nga mënyra se si dy përfaqësues të institucioneve të mëdha, kaq të rëndësishme, mund të bashkëpunojnë në respekt të Kushtetutës dhe në interes të qytetarëvedhe të ligjit pavarësisht se vijnë nga parti të ndryshme. Kjo ka lidhje me një histori shumë të stërzgjatur dhe qesharake të gjithë kësaj periudhe kur asnjëherë një fotografi e Presidentit të Republikës nuk ka gjetur paqe mbi mure sepse gjithmonë është bërë objekt i kontestit të palëve për beteja të verbra brenda vetes apo për inerci betejash me të tjerët. Besoj që ky vend ka nevojë për një rilindje morale dhe kjo rilindje morale duhet jo vetëm të përfshijë, por duhet të jetë pjesë e vetëdijes së qeverisë. Megjithëse simbolet kanë një peshë relative, pesha e tyre ndonjëherë është shumë e rëndësishëm në momente të caktuara dhe Ismail Qemali është një figurë e gjithëpranuar që rrezaton shumëçka në funksion të një rilindje morale të qeverisjes dhe në rrugën për të gjetur pika të përbashkëta me të gjithë.

A duhet të ndjehet Presidenti Nishani i rrezikuar potencialisht nga ndonjë shkarkimi i mundshëm i tij?

Presidenti Nishani nuk ka asnjë arsye të ndjehet i rrezikuar nga asgjë, por ka të gjitha arsyet që të ndjehet gardian i Kushtetutës, ashtu sikundër Kushtetuta e kërkon dhe mund t’ju siguroj që përsa më takon, epoka e municioneve që mblidheshin në këtë zyrë dhe pastaj mbushnin topat apo armët e luftës politike për t’u nisur të shtënat drejt Presidencës ka mbaruar. Në të gjitha rastet ju nuk do të dëgjoni që unë si Kryeministër të sulmoj publikisht Presidentin. Sigurisht që mund të ketë momente mosdakordësie, por gjithmonë në rast se do të shprehen, edhe pse do të bëj çmos që këto as të mos shprehen, por t’i shprehen Presidentit në rrugë konfidenciale. S’do kenë lidhje fare me çfarë na kanë parë sytë dhe na kanë dëgjuar veshët deri pak kohë më parë.

Çfarë do të thotë kodi ministror? Se shumë është interpretuar si një mënyrë censure ndaj ministrave.

Kodi Etik Ministror është praktikisht dokument i miratuar bashkarisht i një praktike të mirë që kemi huazuar si praktikë të parë, e kemi modifikuar në funksion të kontekstit tonë, nga qeveria britanike dhe e kanë edhe qeveri të tjera. Do të thotë që është një angazhim për një sërë elementesh që kanë të bëjnë me ndërveprimin dhe elemente etikë të qeverisjes dhe do të jetë publik.

Vendimi i tretë është i importit të mbetjeve.

Vendimi i tretë është anulimi i atyre ndërhyrjeve në ligj që kanë mundësuar futjen e plehrave nga jashtë në Shqipëri. Shqipëria nuk do të interpretojë më plehra nga jashtë. Ky është një angazhim solemn që e kemi marrë përpara popullit dhe na u duk shumë e rëndësishme që ta vendosim në vend këtë zotim qysh ditën e parë.

Pyetja që shtrojnë armiqtë tuaj politikë është a do të rezistojë dot raporti Rama-Meta?

Njerëzit shkojnë përpara altarit betohen për dashuri të përjetshme edhe përtej jetës në tokë dhe pastaj gjenden përballë në një gjyq divorci, ndërkohë që kur vjen puna tek politika, besoj se dy aleatë që janë divorcuar njëherë, kur ribashkohen, nuk ribashkohen për t’u divorcuar për të dytën herë sepse mos harrojmë që edhe koha bën të veten. Ne tanimë kemi në lëkurë shumë nga vragat e një jetë politike jo të lehtë dhe besoj që kemi nxjerrë mësime të çmuara për të qenë në lartësinë e kërkesës së njerëzve ndaj nesh. Besoj.

A është e vërtetë zoti Rama që ka patur jo një vendim, por një mendim për të lënë jashtë kabinetit të gjithë ata që kanë punuar me Fatos Nanon?

Nuk do ta shihja dot në mënyrë ka simpliste, ashtu sikundër nuk shoh shkëndija përtej natyrës dhe profilit të Ben Blushit. Ben Blushi është ai dhe pa ato do të ishte dikush tjetër. Ajo që shoh është një shumicë e re që duhet të jetë në lartësinë e mandatit që ka marrë dhe qeveria që unë kam kompozuar në bashkëpunim me aleatin tonë strategjik është një qeveri e kompozuar si një skuadër për t’iu përgjigjur pritshmërisë së parë të publikut dhe fakti që pritshmëria nuk u zhgënjye, por u rrit kur u paraqit skuadra qeverisëse, është prova më e mirë.

Një bashkëpunëtor i juaji më kujtoi kohën kur ju keni qenë kryetar bashkie dhe kur zoti Nano ju linte, ndoshta dhe qëllimisht, ndoshta edhe jo, që të prisnit gjatë para kësaj zyre. Çfarë ndjesie keni sot ndaj zotit Nano që besoj duhet të jetë gëzuar si personi që ju dha mundësinë që sot kulmon në këtë mënyrë, por nga ana tjetër edhe shumë histori të tjera?

Nuk është këtu, nuk na dëgjon, por e vërteta është që nuk më ka lënë asnjëherë të pres gjatë në atë kohë. Kemi patur një marrëdhënie shumë të mirë që buronte nga një marrëdhënie e krijuar jashtë oborrit të PS dhe nga një këndvështrim për njëri-tjetrin në distancë. Kur u njohëm nga pranë pastaj u bë e pamundur që të kishim të njëjtin raport, ai për arsyet e tij dhe unë për të miat. Unë të miat i kam thënë dhe përtej tyre nuk kam asgjë tjetër. Kam keqardhje për anën njerëzore dhe gjithmonë kam menduar që si ka mundësi që një person me aq shumë histori në politikë, të mos e vendosë vetë daljen. Por nga ana tjetër është një çështje që…

I jeni mirënjohës atij, qoftë edhe minimalisht, që jeni ulur sot në këtë karrike?

Unë kam një këndvështrim disi ndryshe për këtë temën e mirënjohjes kur vjen puna tek politika. Unë nuk mendoj, të themi që Sajmir Tahiri duhet të më jetë mua mirënjohës në formën që asnjëherë që të mos i shkojë mendja të mendojë ndryshe nga unë, apo edhe të dalë kundër meje nëse arsyet pse ai ka ardhur të punojë me mua dhe pse ne kemi një raport pune kaq të mirë, e përmend atë sepse ai ka qenë i pari që ka ardhur me mua nga jashtë në PS, sepse besoj që sa do të jetë ai mirënjohës ndaj meje, duhet t’i jem edhe unë mirënjohës atij që ai pranoi të punojë me mua. Unë kështu e shoh.

Cili do të jetë aksioni i parë i qeverisë? Që ju do të drejtoni.

Do të jetë një ballafaqim frontal me problemet. Nëse ju doni 3 cështje që unë i kam prioritete të forta të miat edhe si Kryeministër, së pari rimarrja e kontrollit të territorit në kuptimin e sigurisë të individit dhe pronës, së dyti dhënia e të drejtës për të gëzuar pronën qoftë bujqve në fshat, qoftë të ardhurve që kanë ndërtuar shtëpi rreth qyteteve për një jetë më të mirë në zonat informale dhe qoftë të atyre që kanë 20 vjet zvarriten dhe nuk marrin dot një pronë që mund të merrnin se ka raste sa të duash që nuk e marrin dot për arsye se është objektivisht e pamundur dhe duhet ndjekur një politikë kompensimi dhe e treta heqjen nga axhenda e fushatës së ardhshme elektorale pas 4 vitesh e ujit si një çështje ku të gjithë përplasen se kush do ta sjellë ujin, qoftë në arë, qoftë në rubinet.

Nëse mund të na thoni me 2-3 fjali, si realisht mendoni se do ta zgjidhni këtë problem?

Po të zgjidhej me 2-3 fjali të thjeshta kjo do ishte zgjidhur, besoj unë, por duhet të ulemi edhe me të tjerë. Shpresoj zoti Shehi, që është një promotor i kahershëm i idesë së një zgjidhjeje racionale përtej retorikave elektorale dhe të tjerë do të jenë të interesuar që ta bëjnë këtë me ne dhe të tjerë, ndërkohë që ne pavarësisht se kush do të na bashkohet do të bëjmë legalizimet falas për ata që kanë ndërtuar shtëpi në zonat informale dhe do të shkojmë përpara me përfundimin e procesit të stërzgjatur 20 vjet të ligjit 7501 për t’i dhënë certifikatën e tokës atyre që jetojnë me tokën dhe që tokën s’e kanë ende të tyre.

Megjithatë, në programin tuaj ka disa ide thelbësore përsa i përket mënyrës se si do të drejtohet ky vend në fusha të caktuara dhe këtu po përmend Byronë Kombëtare të Hetimit apo Shërbimin Kombëtar Shëndetësor.

Është tërësisht një tym që del nga oxhaku i propagandës kundërshtare. Byroja Kombëtare e Hetimit nuk do të jetë e varur nga Kryeministri, kjo është një sajesë që bazohet mbi keqkuptimin ose nevojën për keqinformim. Do të jetë pjesë e strukturave që varen nga Ministria e Brendshme dhe do të bashkojë të gjitha strukturat që sot ekzistojnë për që janë komplet të pakoordinuara me njëratjetrën dhe që merren me inteligjencën në kuptimin e punëve të brendshme, jo në kuptimin e shërbimit sekret shqiptar.

Cilin person që nuk e kishit këtu do të donit që ta kishit në këto momente pranë?

Nuk është këtu, por e kam pranë, është Linda.