Qosja: Fjala e Ramës katarsis, Shqipëria e çshtetëruar prej Berishës po bëhet sot shtet

57

qosjjaa1Akademiku kosovar, Rexhep Qosja, në një letër të botuar sot në GSH vlerëson protestën e të rinjve dhe studentëve, por dënon përpjekjet e bëra nga opozita për të përdorur protestën si fushatë kundëramerikane dhe për ta përdorur atë si kauzë politike. Akademiku Qosja thekson se fjala e Edi Ramës është fjalë që dëshmon se Shqipëria e çshtetëruar prej Sali Berishës po bëhet sot shtet kulturor demokratik, kurse politikës së tij primitive, po i sjell vdekje komike, trashëgimtari gojështhurur dhe mendjerrudhur.

“Me interesim të madh i kam përcjellë të gjitha ato që ndodhën dhe u thanë rreth shpërbërjes së armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Me interesim të madh i kam përcjellë protestat e të rinjve  të studentëve e të nxënësve dhe të prindërve të tyre. Por, me interesim e kam përcjellë edhe punën e Kuvendit të Shqipërisë, e në kuadrin e tij edhe tragjikomedinë historike politike të një numri të deputetëve të Partisë Demokratike.

Me interesim e kam përcjellë edhe përpjekjen e Sali Berishës dhe të nënbishtit të tij, Lulzim Bashës, për t’i manipuluar protestuesit e rinj në Tiranë. Më gëzoi shumë vetëdija e lartë e të rinjve, të cilët, prej mesit të tyre i përjashtuan dy protagonistët kryesorë të komprometimit të kulturës demo-kratike shqiptare. Me interesimin më të madh e kam pritur dhe e dëgjova fjalën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për shpërbërjen e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri dhe për të gjitha ato që në Shqipëri e në botë ndodhën dhe u thanë për këtë çështje. Kam fjalë të mira, vetëm të mira për protestat e të rinjve, por kam fjalë të këqija dhe vetëm të këqija për ata, që në përpjekje e sipër për t’i shfrytëzuar këto protesta e për t’i kthyer në fushatë kundëramerikane, nuk ngurruan të helmojnë shpirtin e të rinjve me propagandë përplot gënjeshtra, mashtrime dhe urrejtje. Kam fjalë të mira dhe vetëm të mira për protestat e të rinjve, por do të kisha edhe më shumë fjalë të mira dhe vetëm të mira për ta, sikur protesta të tilla të kishin bërë edhe gjatë viteve të kaluara: protesta të tilla kundër politikës së rrenave, shpifjeve, mashtrimeve, korrupsionit, mosdurimeve, urrejtjeve, me çka, vrasësi i protestuesve, Sali Berisha, me argatët e tij politikë gjatë 23 viteve po e helmonte shpirtin e shqiptarëve.

Fjala e Edi Ramës mbas gjithë këtyre për të cilat fola, ishte një katarsë politike, shpirtërore dhe morale për të rinjtë shqiptarë, për të gjithë shqiptarët. Ishte kjo një fjalë historike, vërtet historike, me kuptimin e saj, me moralin e saj, me politikën e saj. Kryeministri Edi Rama u paraqit çka ai në të vërtetë edhe është: intelektual i rendit të parë, demokrat i rendit të parë, politikan largpamës, përfaqësues i denjë politik, shtetëror e intelektual i Shqipërisë sot. Ai diti për mrekulli të respektojë vullnetin e popullit, por ai diti për mrekulli të lartësojë përkushtueshëm politikën dhe miqësinë pambarimisht të shtrenjtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar në përgjithësi. Dita e sotme ishte një ditë historike për Edi Ramën, por një ditë historike edhe për demokracinë shqiptare. Fjala e Edi Ramës, e shqiptuar sot (dje) në ora 17:00, është fjalë që dëshmon se Shqipëria e çshtetëruar prej Sali Berishës po bëhet sot shtet kulturor demokratik, kurse politikës së tij primitive po i sjell vdekje komike trashëgimtari gojështhurur dhe mendjerrudhur!”.