Qeveria, jo më kredi të buta për zyrtarët

57

keshilli i ministraveKëshilli i Ministrave, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, në mbledhjen e sotme miratoi një sërë projektligjesh të rëndësishme, siç janë disa marrëveshje mes vendit tonë dhe Turqisë, Belgjikës në fusha të ndryshme. Gjithashtu gjatë mbledhjes së sotme Këshilli i Ministrave vendosi shfuqizimin e  e vendimit për përfitimin e kredive të buta nga nëpunësit civilë të administratës së lartë shtetërore dhe të funksionarëve politikë.

Vendimet e qeverisë

Qeveria miratoi sot edhe marrëveshjen e grantit të fondit global të mjedisit (gef), ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e projektit “Raportimi për konventat, harmonizimi i planit kombëtar të veprimit për të luftuar shkretëtirëzimin në Shqipëri dhe përgatitjen e raportit kombëtar”. Po në këtë mbledhje u miratua edhe “strategjia për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të planit të veprimit”. Këshilli i Ministrave mori vendim edhe për disa ndryshime  në VKM “për kriteret që përcaktojnë kur disa tipe të metalit skrap pushojnë së qeni mbetje” dhe vendimin për “përcaktimin e marzheve të fabrikimit dhe të tregtimit të barnave”.

Qeveria miratoi p/ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak financiar, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, dhe të protokollit të zbatimit të ndihmës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”.

Në këtë mbledhje qeveria miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, për mbrojtjen shoqërore”.

Gjithashtu, në mbledhjen e sotme u miratua p/ligji “Për një shtesë në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, sipas të cilit “në rastin e bankave, degëve të bankave të huaja dhe subjekteve financiare jobanka, të licencuara nga Banka e Shqipërisë për ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies, në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, fshirja e borxhit të keq lidhur me procesin e kredidhënies njihet si shpenzim i zbritshëm me plotësimin e këtyre afateve:

a) 365 ditë pas depozitimit të kërkesës për fillimin e procedimit të ekzekutimit të detyrueshëm te përmbaruesi, në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme;

b) 365 ditë pas lëshimit nga gjykata të urdhrit të ekzekutimit, në rast se kredia nuk është e garantuar me pasuri të luajtshme/të paluajtshme”.

Në mbledhjen e sotme qeveria miratoi edhe projektligjin “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore”.

Ky ligj është përafruar pjesërisht me: Direktivën 2011/7/EU, të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, të datës 16 shkurt 2011, “Për luftën kundër pagesës me vonesë në transaksionet tregtare”; Celex: 32011L000, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, nr.48, datë 23.2.2011, f. 1–10. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatave ligjore për pagesat e vonuara, në rastet e furnizimit me mallra apo shërbime nga ana e ndërmarrjeve tregtare kundrejt ndërmarrjeve të tjera tregtare dhe autoriteteve publike, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i tregut të brendshëm, duke nxitur aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve tregtare dhe, në veçanti, të ndërmarrjeve të vogla e të mesme.