*Adrian Marku
Bashkimi Europian zotohet se Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë përbërëse e tij dhe se nuk ka një të ardhme pa të.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha të mërkurën se ka parashikuar një vizitë në rajon brenda muajit shtator, që t’ia bëjë vetë të qartë këtë ide vendeve aspirante.
Rajoni ka 6 shtete që kërkojnë të ulen në strukturat e Brukselit, por vetëm 2 prej tyre kanë avancuar më shumë: Serbia dhe Mali i Zi.
“Do udhëtoj për të dhënë një sinjal të fortë se zotohemi për procesin e integrimit. Ua kemi borxh të gjithë të rinjve që besojnë te e ardhmja europiane. Prandaj kemi rritur mbështetjen me investime dhe plane të reja ekonomike që janë sa një e treta e GDP-së së rajonit. Sepse duke investuar në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor investojmë edhe në të ardhmen e BE-së,” tha Von der Leyen.
Deklarata e kryekomisioneres së BE-së u bë në kuadër të shpalosjes së vizionit të përvitshëm që administrata e saj ka për unionin.