Tryeza kishte si qëllim bashkërendimin e Planit të Punës për mbarëvajtjen dhe koordinimin e projektit në fjalë, ndërsa nisma pritet të marrë jetë në të gjithë territorin ditën e premte, më datë 22 Nëntor.
Në zbatim të ligjit “Për Prefektin”, institucioni në fjalë ka ofruar bashkëpunimin dhe mbështetjen për komunikimin institucional duke mbledhur bashkë ditën e sotme, të gjithë aktorët dhe faktorët e pushtetit vendor dhe më gjerë, që veprojnë në kryeqytet dhe komunat përreth.
Qëllim i takimit gjithashtu ishte edhe ngritja e Shtabit Rajonal pranë Prefektit të Qarkut, për të koordinuar punën para dhe gjatë aksionit të pastrimit që do të zhvillohet ditën e premte.
“Është hera e parë që ky aksion shkon përtej nismave lokale dhe aksioneve modeste të ndërmarra nga shoqëria civile. Çdo ditë, ne përballemi me ndotjen e qyteteve dhe komunave ku jetojnë dhe të gjithë ndihemi të pafuqishëm për të ndërmarrë hapa të mëdhenj, por të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se nëse bashkohemi mund të bëjmë ndryshimin e madh”,– theksoi në fjalën e tij Vorpsi.
Projekti “Ta Pastrojmë Shqipërinë në Një Ditë” është iniciuar nga Shoqëria Civile dhe mbështetet e përkrahet nga Qeveria e Shqipërisë dhe një sërë organizmash ndërkombëtare.
Kjo nismë ka filluar si një iniciativë globale dhe për herë të parë synohet që të zhvillohet edhe në Shqipëri. Ajo është një lëvizje vullnetare rinore për të përmirësuar jetët e të gjithë qytetarëve, duke mundësuar një mjedis më të pastër dhe me sa më pak mbeturina të dëmshme për shëndetin. Në vendin tonë, ky aksion është caktuar të zhvillohet më datë 22 Nëntor.