Nuk kishte dokumenta, 23-vjeçari hidhet nga treni

17

Klisjan Jahja, një djalë shqiptar që jetonte në Milano ka humbur jetën për shkak se është hedhur nga treni.

treniNgjarja ka ndodhur të hënën, më 18 nëntor, rreth orës 15:30, në trenin rajonal të pasdites që lidh Milanon me Albengën. Kur agjentët e Polfer gjatë një kontrolli rutinë i kanë kërkuar dokumentet e biletën, Jahja është ndier ngushtë pasi nuk kishte asnjërën prej tyre. Ka kërkuar të shkojë në banjë, është mbyllur brenda, ka thyer xhamin dhe është hedhur poshtë ndërsa treni ecte me shpejtësi.

Alarmi është dhënë pas pak minutave kur është kuptuar veprimi ekstrem i 23-vjeçarit që nuk gjendej më në banjë. Pas kësaj është ndaluar treni dhe është bllokuar trafiku hekurudhor në atë linjë.

Policia dhe personeli i hekurudhave ka nisur kërkimet përgjatë linjës së hekurt dhe e kanë gjetur pranë shinave në territorin e komunës së Castellettos. Për Klisjan Jahjën nuk mund të bëhej më asgjë: kishte ndërruar jetë menjëherë për shkak të plagëve të rënda të marra në përplasjen me terrenin. /Shqiptari i Italisë/