Në numrin e veprave penale janë të përfshirë goditjet kundër krimit të organizuar e korrupsionit, krimet kundër personit, krimet kundër pronës, vepra të tjera penale, shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe rastet e dhunës në familje sipas Kodit Penal, procedimet për ndërtime të paligjshme, procedimet për prerje të paligjshme të pyjeve, si dhe një sërë prioritetesh të rëndësishme të periudhës si lufta ndaj kontrabandës së komit, apo goditja e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Krimet kundër personit
Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 12 vrasje. Në sajë të punës hetimore të kryer është bërë e mundur zbardhja e 9 prej tyre, ndërkohë vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e 3 vrasjeve të tjera. Autorë të këtyre vrasje janë evidentuar 12 persona, 8 prej të cilëve janë arrestuar nga strukturat e policisë, ndërkohë 4 prej tyre janë shpallur në kërkim.
Gjithsej, janë evidentuar 303 vepra penale të kësaj natyre dhe ka patur 356 autorë të proceduar. Zbulueshmëria është 97 %.
Lufta kundër drogës
Nga operacionet antidrogë të zhvilluara dhe forcimi i masave të kontrollit në Pikat e Kalimit Kufitar është bërë i mundur sekuestrimi i sasive të konsiderueshme të narkotikëve në Gjirokastër, Sarandë, Vlorë, Durrës, Tiranë, Korçë, etj. Kështu, janë sekuestruar 20.6 gr heroinë; 11 kg kokainë; 3 ton marijuanë, 8 kg hashash etj.
Autorët:
• 163 autorë të dyshuar
• 104 arrestuar
• 3 në kërkim
• 56 në gjendje të lirë
Lufta kundër krimit ekonomik
Strukturat kundër krimit ekonomik e financiar gjatë kësaj periudhe kanë ndërmarrë një sërë operacionesh të suksesshme. Më i rëndësishmi ishte operacioni i koduar “Fund Marrëzisë”, me objektiv goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Gjatë këtij operacioni, i cili është në vazhdim, u kontrolluan 1374 subjekte, u evidentuan 542 vepra penale zhvillim i palejuar i lojërave të fatit, u proceduan penalisht 534 autorë. Në subjektet e kontrolluara u sekuestruan 3.162 pajisje lojëra fati, 252 kompjuterë dhe 674 monitorë (televizorë).
Në luftën kundër korrupsionit veçojmë 7 operacione të rëndësishme, gjatë të cilave u arrestuan 17 persona dhe 7 autorë të tjerë të dyshuar janë shpallur në kërkim.
Për tu evidentuar është operacioni i zhvilluar për goditjen e korrupsionit në fushën e tatimeve gjatë të cilit u arrestuan 2 autorë të dyshuar dhe 7 të tjerë u shpallën në kërkim.
Të proceduarit ishin punonjës të tatimeve dhe të cilët nga hetimet e kryera rezultoi se kanë shkaktuar një dëm prej 5 milionë dollarësh. Po ashtu janë goditur:
– një goditje në sektorin e naftës me 6 autorë të dyshuar të arrestuar,
– një rast në sistemin e drejtësisë me 1 autor të arrestuar,
– një rast tek transporti rrugor me 1 person të arrestuar,
– 1 rast tek pushteti lokal me 2 autorë të arrestuar,
– 1 rast tek Kryqi i Kuq, me 4 autorë të arrestuar,
– si dhe 1 rast në shëndetësi me 1 autor të dyshuar të arrestuar.
Operacioni “Mërkuri i Bardhë 2” i organizuar nga INTERPOL në bashkëpunim me vendet e ballkanit për goditjen e aktivitetit kriminal të tregtimit, prodhimit dhe mbajtjes së mallrave të falsifikuara. Ky operacion është në vijim të operacionit të mëparshëm të zhvilluar në ditët e para të muajit tetor. Në kuadër të këtij operacioni janë proceduar 11 autorë.
Operacioni policor për goditjen e aktivitetit të paligjshëm lidhur me shfrytëzimin e mineralit të kromit. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 25 vepra penale dhe janë proceduar 26 subjekte apo persona për fshehje të të ardhurave, kryesisht në qarqet Dibër, Lezhë, Durrës etj..
Operacioni “TOKU” për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, i zhvilluar në qytetin e Shkodrës, gjatë të cilit u bë i mundur arrestimi i një personi dhe sekuestrimi i një sërë dokumentesh të falsifikuara, si dhe i pajisjeve me të cilat realizohej falsifikimi i tyre.
Operacioni “RAFINERIA” kundër kontrabandës dhe fshehjes së të ardhura zhvilluar në Elbasan, në kuadër të të cilit u sekuestruan 232 mijë litra solar e bitum. Po ashtu u arrestua një autor i dyshuar dhe një tjetër u procedua penalisht.