Pipero: Turizëm seksual edhe në Shqipëri

77

PellumbPiperoNdonëse turizmi seksual në vendin tonë nuk është i organizuar, nuk përjashtohet mundësia e ushtrimit të tij edhe te ne”. Deklarata është bërë nga ish-drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, njëkohësisht mjek infeksionist, Pëllumb Pipero. Sipas tij, kjo ndikon në rritjen e të prekurve nga Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme, ndërsa vihet re se ai është 2-3 herë më i lartë më muajt e verës. Në këtë intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Pipero shprehet gjithashtu se në këtë periudhë të vitit shtohen edhe marrëdhëniet seksuale rastësore. Duke marrë parasysh këtë fakt, ai apelon për përdorimin e prezervativëve, si e vetmja mënyrë për të evituar prekjen nga këto infeksione.
Z.Pipero, sipas konstatimeve tuaja, cila është tendenca e Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshme në vendin tonë?
Ajo që dua të them me dhimbje është që Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme (IST) në vendin tonë kanë ardhur duke u shtuar. Këtu nuk flasim për infeksionet e zakonshme siç është Gonorea, Klamidia, Sifilizi etj., por mbi të gjitha ka një shtim të rasteve me HIV/AIDS dhe sidomos me hepatit B dhe C. Kjo është shqetësuese për sistemin shëndetësor, është shumë problematike për shëndetin e qytetarit dhe pse jo edhe për jetën e tyre.
Cilat janë disa nga arsyet e shtimit të të prekurve?
Në radhë të parë unë mendoj se kujdesi i qytetarëve ndaj IST-ve është tejet i ulët. Së dyti, theksoj se komunikimi me qytetarët, për t’i reduktuar ata, nga ana e sistemit shëndetësor dhe arsimor është shumë i ulët. Janë disa norma të edukatës seksuale dhe shëndetësore që merren që në ditët e para të jetës duke filluar nga familja, edukimi parashkollor e kështu me radhë e më pas nga një komunikim i vazhdueshëm i sistemit shëndetësor dhe arsimor me të gjitha moshat, për të bërë të mundur parandalimin e Sëmundjeve Seksualisht të Transmetueshme. Kjo pasi shumë prej tyre, veçanërisht AIDS nuk kanë zgjidhje adekuate mjekësore sot edhe pse trajtohen me kujdes.
Kohët e fundit vendi ynë po frekuentohet edhe nga turistë të huaj. Duke marrë parasysh rritjen e IST-ve, a ka ndikuar kjo në shtimin e rasteve?
Unë do të thoja që në radhë të parë kujdesi duhet treguar nga emigrantët dhe ndaj emigrantëve. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse shumica e tyre kanë disa vite që janë jashtë shtetit dhe duke qenë se shkojnë nga një sistem totalisht i mbyllur në një sistem të hapur, pa normat elementare të edukatës seksuale kanë qënë pre e marrëdhënieve seksuale shpesh të pambrojtura dhe veçanërisht IST-të ne na vijnë më tepër nga emigrantët. Së dyti, gjatë kësaj periudhe ka shumë turistë dhe ata janë shumë “të etur” për të pasur marrëdhënie seksuale me partnerë shqiptarë, qofshin këta meshkuj apo femra. Ky është një problem tjetër që duhet marrë në konsideratë. Ndërkohë që nëse flasim në terma bashkëkohorë, duhet të marrim në konsideratë që sot gjithmonë e më shumë flitet për atë që quhet turizëm seksual. Jo se ne shqiptarët e ushtrojmë turizmin seksual, por është bërë modë në shumë vende të botës ofrimi i shërbimeve të turizmit seksual si pjesë e paketave turistike, të cilat e përfshijnë brenda mundësinë e seksit.
Ju folët për turizëm seksual dhe ndonëse në vendin tonë ai nuk është i përshirë në paketa turistike, mendoni se ai ekziston?
Natyrisht që unë nuk e përjashtoj mundësinë e një “turizmi seksual të fshehur” edhe në vendin tonë, ndonëse i paorganizuar. Ne jemi një vend që po shkon drejt Bashkimit Evropian, jemi një vend i hapur dhe është më mirë të flasim që sot për turizmin seksual sesa të flasim mot dhe të jemi të papërgatitur. Është një fazë zhvillimi e shoqërisë njerëzore, që do ta kalojmë edhe ne, pavarësisht se ne ofrojmë apo jo paketa turistike me seksin brenda. Por turizmi seksual është një realitet i prekshëm kudo në botë.
Duke qenë se përgjithësisht turizmi “planifikohet” në muajt e verës, në raport me muajt e dimrit, sa më i lartë është numri i IST-ve?
Është shumë e vështirë të jepen statistika se sa është numri i IST-ve gjatë muajve të verës apo muajve të dimrit, sepse kemi të bëjmë me një periudhë inkubacioni të gjatë. Duhen studime më të thelluara për të thënë që numri në verë është kaq e në dimër aq, por statistikat në botë dëshmojnë se përgjithësisht në muajt e verës numri i raporteve seksuale të rastësishme është shumë herë më i madhe sesa në periudhën e dimrit dhe numri i IST-ve është disa herë më i madh në verë se në dimër. Natyrisht që sot nuk jam në gjendje të them se sa është numri, por padyshim është dy-tre herë më i lartë se në muajt e zakonshëm të vitit.
Çfarë duhet bërë sipas jush për parandalimin e këtyre rasteve?
Kostoja e trajtimit është shumë e lartë ndaj është i rëndësishëm parandalimi, i cili konsiston vetëm në marrjen e masave mbrojtëse. Këtu kam parasysh përdorimin e kondomëve gjatë marrëdhënieve seksuale dhe veçanërisht gjatë periudhës së verës ku kontaktet seksuale janë të rastësishme dhe vetëm për një natë. Pra, nuk kemi të bëjmë me lidhje partnerësh që e njohin mirë njëri-tjetrin, por kemi të bëjmë me lidhje rastësore që bëhen vetëm për një natë dhe përfundojnë ditën tjetër dhe shpesh i gjejnë partnerët në pamundësi për t’u mbrojtur, sepse nuk kanë një kondom me vete. Ndaj në periudhë vere është e rekomanduar e veçanërisht për femrat, sepse ato janë më të prekshmet nga IST-të në raport me meshkujt, kur shkojnë me pushime, të marrin prezervativë me vete, sepse mund ta gjejnë farmacinë mbyllur.

*G.SH