Rama mbledh qeverinë e re në Vlorë më 21 gusht

51

ramaKryeministri i zgjedhur, Edi Rama, pas 10 ditësh reflektimi që u ka lënë në dispozicion ministrave të tij, do të mbledhë në mesditën e 21 gushtit në një nga hotelet e qytetit bregdetar të Vlorës, ekipin e tij qeveritar. Lajmi u konfirmua dje për “Gazeta Shqiptare” nga burime zyrtare në selinë rozë. Data 20 gusht, ishte përcaktuar si kohë e lënë në dispozicion të ministrave të për-zgjedhur, për të hartuar programin specifik të 100 ditëve të para të qeverisë. Në mbledhjen e parë të Ramës me ministrat e tij, mësohet se jashtë diskutimeve nuk do të ngelet as kodi etik i ministrave, i cili tashmë duket se është finalizuar dhe që siç ka premtuar kryesocialisti bazohet në modelet më të shkëlqyera të mirëqeverisjes demokratike. Ky është takimi i parë i kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, me të gjithë anëtarët e kabinetit.
 Zbulohet strategjia e lënies së mandatit të deputetit prej 17 ministrave të qeverisë së re “Rama”, në shtator. Burimet nga Partia Socialiste shpjeguan dje, për mediat, se jo të gjithë ministrat do të heqin dorë nga mandatet në të njëjtën kohë; kjo, për të mos “rënë” mazhoranca në Kuvend. Kjo procedurë do të nisë, pasi të jetë votëbesuar qeveria e re në Kuvend. Pra, fillimisht 17 deputetët-ministra do të mbajnë edhe mandatin e deputetit, edhe postin ministror, në mënyrë që votëbesimi i qeverisë së re në Kuvend të mos vonohet. Më pas, ndërsa është kryer kjo procedurë, hap pasi hapi do të fillojë me grupe dorëheqja e deputetëve-ministra nga mandati i deputetit. Në fakt, edhe zëvendësimi i të dorëhequrve të parë kërkon një periudhë kohe. Secili prej 17 ministrave, 5 të LSI-së dhe 12 të PS-së, duhet t’i drejtohen individualisht Kuvendit me një kërkesë zyrtare për t’u dorëhequr si deputetë dhe më tej është Parlamenti që bën njoftimin e KQZ-së për boshllëkun që krijohet. Por në fakt, ashtu si për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka shumicën për të mandatuar 17 deputetët e rinj të Kuvendit. Rrjedhimisht do të duhet që të ndiqet e njëjta procedurë si me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve, pra që mazhoranca e re t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi.
E gjithë kjo procedurë, sipas ligjvënësve mund të zgjasë ndoshta edhe përgjatë gjithë muajit shtator. E gjithë problematika mbetet në taktikën se si do të jepen dorëheqjet, pasi nëse të 17 ministrat do të dorë-hiqeshin menjëherë, atëherë mazhoranca PS-LSI do të mbetej me 66 deputetë. Kaq mandate do ta pengonin votëbesimin e qeverisë së re, në rast se edhe opozita e re, pra PD do të zgjidhte si strategji mungesën e plotë në seancën e votëbesimit të kabinetit “Rama” si fillim, por më tej, nuk do të plotësohej edhe numri 71 i deputetëve që kërkohet për zhvillimin e një seance normale parlamentare.