Incidentet me Kishën në Përmet, reagon Athina zyrtare

60

greqi-flamurAthina zyrtare reagon për incidentet e dhunshme që ndodhën në Përmet mes klerit të Kishës Ortodokse dhe përmbaruesve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Konstantinos Kutras është shprehur në një deklaratë:

“Mësuam me shqetësim të thellë për incidentet e dhunshme që ndodhën sot në Kishën e Virgjëreshës Mari, në qytetin e Përmetit.

Largimi me dhunë i klerit, ndalimi i besimtarëve për të hyrë në vendin e adhurimit fetar ditën e Shën Mërisë, heqja e ikonave dhe objekteve të shenjta nga tempulli, janë akte të papranueshme dhe të dënueshme, pavarësisht nga çdo pretendim ligjor.

Respekti për lirinë fetare, mbrojtja e vendeve të adhurimit dhe ushtrimi pa pengesë i detyrave fetare janë në themel të një shteti ku sundon ligji dhe një element themelor i kulturës institucionale evropiane.

Prandaj ne shpresojmë se këto veprime janë kryer pa dijeninë e qeverisë shqiptare. Ambasada jonë dhe autoritetet konsullore në vend janë udhëzuar për të monitoruar nga afër këtë çështje”, përfundon deklarata.