PD: Rama me gjakftohtësi kriminale, po lë shtresat në nevojë pa festat e fundvitit

46

vokshi-pdPartia Demokratike ka akuzuar sot qeverinë Rama, se me një gjakftohtësi absurde kriminale ka lënë personat në nevojë, pa asistencë ekonomike, duke i lenë këto të fundit në pamundësi për të festuar festat e fund vitit.

Ndonëse skema e abuzimit nga Ministria e Punës në kohën e qeverisjes Berisha, pikërisht me fondet e ndihmave për këtë kategori në nevojë është zbardhur dhe Prokuroria ka proceduar me arrestime dhe hetime të mëtejshme, kjo nuk e ka frenuar PD-në të akuzojë qeverinë Rama, se me fondet që i ka lënë ajo, ka mjaftueshëm edhe buxhet për këtë kategori në nevojë.

“Sot, kryeministri Edi Rama konfirmoi zyrtarisht se personat me aftësi të kufizuar, të verbrit, paraplegjikët e tetraplegjiket, personat në nevojë dhe ata që marrin asistencë ekonomike për papunësinë, nuk do të festojnë as Krishtlindje, e as Vitin e Ri. Qeveria si asnjëherë më parë në këtë vend, u mohoi atyre festën duke mos u dhënë shpërblimin, që u takon e me të cilin ata jetojnë. Lajmin e dha Ministri Erion Veliaj sot, me një gjakftohtësi absurde kriminale, kur tha se pagesat e prapambetura do të merren vetëm nga janari 2014″- tha deputetja Vokshi.

Ndonëse Vokshi nuk citon arsyen se pse qeveria është detyruar të marrë borxh, ajo e akuzon atë se nga 220 milionë dollarë e marrë borxh, harroi të linte fondin prej 2-3 milionë dollarë për këtë kategori në nevojë.

“Me rishikimin që i bëri buxhetit, duke e zhytur vendin në borxhe, thjesht harroi të parashikonte vetëm 2-3 milionë dollarë për të verbrit, paraplegjikët, tetraplegjikët apo për të papunët nga plot 220 milionë dollarë që mori borxh.  Qeveria harroi Personat me Aftësi të Kufizuara dhe të papunët, por nuk harroi të akordonte fonde për shpenzimet e Kryeministrit, të ministrave, për udhëtime, dieta e rregullime zyrash etj,”- tha ajo.