Vjenë, Rama takim me Fischer: Austria mbështetje Shqipërisë për në BE

9

Rama AustriKryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Presidentin e Austrisë Heinz Fischer. Sipas njoftimit të zyrës së presidencës, gjatë këtij takimi në Vjenë, Kryeministri Rama ka falënderuar Presidentin Fischer për ndihmën e vazhdueshme, që Austria i ka dhënë Shqipërisë. Kryeministri Rama e njohu gjithashtu Presidentin Austriak me reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Një tjetër moment i rëndësishëm i bisedës, sipas njoftimit të presidencës, ishte edhe integrimi evropian i Shqipërisë, proces për të cilin Presidenti Fischer ofroi mbështetjen e Austrisë.

Duke folur për situatën në rajon, vazhdon njoftimi, Kryeministri Rama theksoi se viti 2014 do të jetë i pari vit me një paqe të plotë në Ballkan. Ai nënvizoi se ky moment i ri për rajonin duhet shfrytëzuar për të forcuar bashkëpunimin ekonomik mes vendeve, si edhe për të përshpejtuar proceset integruese në BE.

Presidenti Fischer përgëzoi Kryeministrin Rama për punën e deritanishme dhe njoftoi vizitën e tij në Tiranë brenda vitit 2014.

Edi Rama ndodhet në Vjenë për një vizitë njëditore, i shoqëruar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj. Ditën e sotme, Kryeministri Rama do të mbajë një fjalim edhe në Forumin Ekonomik të Vjenës.