Paris, të shtëna me armë në hollin e gazetës “Libération”, një i plagosur rëndë

52
Photo Kenzo Tribouillard. AFP
Photo Kenzo Tribouillard. AFP

Një sulm i papritur ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 10:15 në ambientet e së përditshmes “Libération” në Paris. Një person ka penetruar brenda korridorit të gazetës, duke shtënë me armë zjarri në hollin e godinës dhe më pas është larguar me shpejtësi. Një  ndihmës fotograf që gjendej për momentin aty, është plagosur rëndë.

Sipas burimeve policore, viktima i ka marrë plumbat në toraks. Gjithë daljet dhe hyrjet që të çojnë tek ambientet e gazetës janë bllokuar nga forca të shumta policore.

Redaksia e gazetës ka konfirmuar, se të shtënat kanë ndodhur menjëherë pas mbledhjes së radhës së redaksisë. Punonjësi, që gjendej në hollin e pritjes, është fshehur pas tavolinës menjëherë, sapo ka parë personin e armatosur të hynte brenda.

Një tjetër sulm kërcënues ka ndodhur të premten në një kanal informativ. Të premten në mëngjes një person ishte futur në hollin e kanalit informativ BFMTV në Paris duke kërcënuar gazetarët dhe më pas është larguar nga ambientet. Por, sipas autoriteteve policore është e pamundur në këto momente të bëhet një lidhje midis dy ngjarjeve.

Tweet i çuditshëm i një përgjegjësi të UMP-së (Unioni për Lëvizjen Popullore- Parti e Djathtë) 

Tweet UMP
Tweet UMP

Menjëherë pas tragjedisë në redaksinë e ‘Libération’, një përgjegjës i UMP ka shpërndarë një tweet në rrjetet sociale ku thuhej : A janë francezët të acaruar nga manipulimi mediatik?

Pak momente më vonë tweet-i është fshirë duke kërkuar ndjesë për keqkuptimin.