Ornela Prifti, ju rrëfej kandidaturën time

153

Asgjë nuk është e lehtë por çdo gjë është e mundur, kjo ka qenë gjithmonë motoja e jetës time dhe titulli i blogut që së shpejti do të jetë publik, ku unë tregoj për rrugëtimin tim.
Quhem Ornela Prifti, 28 vjeç, e martuar, jam emigrante e gjeneratës së re këtu në shtetin e Belgjikës. Kam qenë vetem 12 vjeçe kur prindërit morën vendimin për t’u larguar me lotë në sy nga Pogradeci një nga qytetet e bukura të Shqipërisë. Lotët nuk na u ndanë edhe këtu, vështirësitë qenë të mëdha për ne. Gjuha, kultura, ambjent tjetër dhe qielli nuk dukej i njëjtë. Që e vogel kam dashur të luftoj kunder padrejtësive dhe pabarazive, kjo ishte arsyeja pse unë zgjodha studimet e drejtësisë. Jam specializuar në një nga shkollat e larta më të mira (Louvain-La-Neuve) për drejtësi civile dhe penale. Gjithashtu kam bërë dhe stazhin e perfundimit të studimeve për mbrojtjën e të drejtave të të huajve ku kam pasur shansin të njoh dhe të ndihmoj për problemet administrative dhe juridike shumë shqiptarë.

E vetëdishme se në jetë duhet të jemi ndryshimi që shpresojmë, dhe me besimin se asgjë nuk është e pamundur, kam vendosur të angazhohem në politikë me partinë socialiste frankofone të Belgjikës që ka mbrapa një histori për aritjet sociale. Mora pjesë në zgjedhjet lokale të 2012, në komunën e Koekelbergut ku perfaqësoj banorët në Qendrën e Aksionit Social që prej 6 vitesh. Ndihma ndaj njerzëve në nevojë dhe lufta ndaj diskriminimeve kanë qenë dhe janë prioritete që u konkretizuan me këtë funksion. Aty jam e vetmja juriste, antare e opozitës që mundohem gjithmonë që ligji të respektohet dhe të mos mohohet e drejta sidomos e atyre më ne nevojë.

Pas perfundimit të studimeve, ka qenë zoti Ahmet Gjanaj, deputeti jonë i nderuar, perfaqësuesi i shqiptarëve në Parlamentin e Brukselit, që më ka vënë në dijeni për një vend pune në Parlament, dhe qe i jam shumë mirënjohëse. Kandidova dhe për fatin tim të mirë, jam angazhaur si juriste dhe kam punuar per Philippe Close, kryetari i grupit parlamentar i PS-së dhe kryebashkiaku aktual i Brukselit që ka bërë shumë për komunitetit tonë këtu në Bruksel në bashkëpunim me Ahmet Gjanajn. Sot jam juriste në Parlamentin e Brukselit, per grupin socialist. Kam në ngarkim komisionet e punëve të brendshme, gjenerale, sociale si dhe financat. Përvec punës juridike, kam pasur dhe nderin të organizoj në Parlament, konferenca dhe ekspozita mbi tema aktuale, si për emigrimin në Evropë, ku flitej edhe për Shqipërinë, radikalizimin dhe luftën kundër terrorizmit. Ngritja e imazhit të shqiptarëve është shumë e rëndësishme për mua dhe gjithmonë kam ftuar përfaqësues të ndryshëm të komunitetit shqiptar sepse asnjëherë nuk harroj se nga vij. Më është dhënë gjithashtu shansi, të organizoj bashkë me deputetin Ahmet Gjanaj vitin e kaluar, një konferencë për të përmirësuar marrëdhëniet dhe shtimin e bashkëpunimeve midis, disa komuna të Brukselit dhe disa komuna të Shqipërisë e Kosovës.

Që prej vitit 2015 pata nderin të zgjidhem nga Parlamenti i Brukselit si perfaqësuese e tij ne Qendrën Interfederale kundër diskriminimeve (UNIA). Ky është organi më i lartë i Belgjikës në luftën kundër diskriminimeve ku kemi fituar disa beteja të rëndësishme në të gjitha fushat si diskriminimi mbi bazën e origjinës në gjetjën e një banese, një pune, ose të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Mosnjohja ose keqnjohja e shqiptarëve shpesh ndihet edhe në mediat belge. Para disa muajsh pata nderin të shoqeroj iniciatorin, Ahmet Gjanaj për një takim historik do të shtoja, me një nga mediat televiziv më të mëdha këtu në Belgjikë (RTl TVI), për t’i sensibilizuar që të mos jepet origjina shqiptare e autoreve për akte kriminale, që shpesh herë janë edhe jo të sakta. Këto kronika rrisin racizmin dhe mbajnë gjallë paragjykimet ndërkohë që krimi nuk ka kombësi.

Për të rritur imazhin e komunitetit tonë është më se e nevojshme që të flitet më shumë për talentet, kulturën dhe njerëz me plot vlera, që me punën e tyre ngrenë imazhin e shqiptarëve, siç janë dhe kandidatët shqiptarë që kandidojnë këtë vit në zgjedhjet lokale të Brukselit, dhe shembulli i ne të gjithëve, deputeti Ahmet Gjanaj.

Besnike ndaj angazhimeve, krenare per origjinën dhe me e motivuar se kurrë, rikandidoj në zgjedhjet lokale të 14 tetorit në vendin e 4 ne listën e partisë socialiste, për komunën e Koekelbergut. Me nje ekip dinamik dhe me nje projekt ambicjoz me në krye Ahmed Laaouej që është deputeti federal më aktiv e i njohur në publikun belg dhe mediat belgë duke qenë një referencë për financat shtetërore dhe çështjet fiskale si dhe zevendës-presidenti i partisë socialiste në Bruksel.

Eksperienca e fituar nga funksionet e ndryshme, sidomos ai në qendrën e aksionit social, me kanë bërë që të njoh më shumë nevojat dhe ndryshimet e rëndësishme që i duhen komunës ku unë jetoj që prej 16 vitësh. Dua të ndaj me ju disa nga projektet që unë i kam per zemër, siç është vendosja e permanencave informuëse dhe falas kundër diskriminimeve për të gjithë banorët që të njhen më mirë me të drejtat e tyre sociale. Krijimi i një qendre kulturore për të rinjtë që të ketë funksion t’i ndihmojë edhe për vështirësitë shkollore, si dhe vendosja e shkollimit falas në shkollat komunale. Ndërtimi i një banese urgjence për familjet në nevojë, që për arsye të ndryshme gjenden pa strehim dhe krijimi gjithashtu i një restoranti social. Siç thotë dhe Amin Maalouf, projekti i një bashkie nuk është asnjëherë një letër e bardhë dhe nuk është aq më pak një letër e shkruar definitivisht. Janë banorët ata që e bëjnë një bashki, dhe konsultimi me ta është më i rëndësishmi.

Komuna banohet nga një komunitet shqiptar relativisht i madh. Pjesmarrja ime në ekipin e kandidatëve shqiptarë në disa komuna të rajonit të Brukselit i formuar me iniciativën e Ahmet Gjanajt ka për qëllim që të shkëmbejmë sa më shumë eksperiencat respektive dhe të mund të arrijmë dhe më shumë në promovimin e vlerave reale të komunitetit tonë dhe të kontribuojmë dhe më shumë në integrimin evropian të shteteve tona. Modeli i mirë ekziston dhe është për t’u fuqizuar në hapat e ndjekura nga Ahmet Gjanajt me mbështetjën e pjestarëve të tjerë të ekipit dhe me rezultatet e mira në zgjedhjet ku urojmë që të marrim përkrahjën e komunitetit si zgjidhja më e mirë për një faktorizim sa më të denjë e të suksesshëm të shqiptarëve!